Dade: PS mbështet shqetësimin e shoqatave të juristëve
Sekretarja e Marrëdhënieve me Jashtë në selinë rozë, Arta Dade, ka deklaruar dje qëndrimin e PS-së pro shoqatave të gjyqtarëve, prokurorëve dhe avokatëve, të cilët kanë kundërshtuar qeverinë me qëndrimin e saj ndaj sistemit të drejtësisë. Gjatë një konference për shtyp, Dade tha se "takimi i djeshëm i të gjithë aktorëve që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në sferën e drejtësisë, përfaqësuesve të nderuar dhe të respektuar të shoqatave të gjyqtarëve, prokurorëve, avokatëve, vërtetoi katërcipërisht shqetësimin e PS-së se kjo mazhorancë ka ndërhyrë brutalisht në pavarësinë e institucioneve të njohura nga Kushtetuta si të pavarura". Ky cenim, tha Dade, është shprehur dukshëm përmes akteve ligjore dhe nënligjore që kjo mazhorancë ka kaluar, si dhe përmes ndërhyrjes direkte të ekzekutivit në punën e prokurorisë, duke thelluar konfliktualitetin mes institucioneve në vend, gjë e cila përbën përkeqësimin e mëtejshëm të imazhit të Shqipërisë në rrafshin ndërkombëtar. "Prania në tryezën e djeshme e përfaqësuesve të EURALIUS si kontribut i Komisionin Evropian, është tregues i shqetësimit edhe të BE-së, qëndrim i shprehur edhe para pak ditësh përmes deklaratës së ambasadorëve të vendeve të BE-së në Tiranë, e cila pasoi shqetësimet në rritje të ambasadorit të ShBA-së, Xhon Uidhers, tha Dade. Më tej ajo ka theksuar se PS është e shqetësuar që pakti për drejtësinë, i propozuar prej saj, ku qartazi merr udhë filozofia për reformën në drejtësi, nuk gjeti mbështetje nga mazhoranca dhe nuk ka se si të ndodhë ndryshe, për sa kohë që filozofia e mazhorancës për këtë reformë është diametralisht e kundërt me vizionin tonë. Gjithashtu sekretarja për Marrëdhëniet me Jashtë, Arta Dade, ka vlerësuar nënshkrimin nga Presidenti Bush për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. "PS si kontribuuese kryesore e integrimit të vendit në NATO, ripërsërit falënderimet për Presidentin Bush dhe SHBA", tha Dade.