E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rënie e paparashikuar e ekonomisë eurpiane

Ekonomia e zonës euro ka rënë më tepër nga sa është parashikuar në tremujorin e dytë, me një rënie të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) prej 0,2 për qind në krahasim me tre muajt e mëparshëm, njoftoi sot Zyra Evropiane e Statistikave, Eurostat, në një vlerësim të ri.
Në vlerësimin e mëparshëm, të publikuar më 2 shtator, Eurostat-i ka parashikuar një rënie të PBB-së prej 0,1 për qind në 16 vende të zonës euro. Ky është i pesti tremujor radhazi me rënie të PBB-së në zonën euro, edhe pse ritmi i rënies është ngadalësuar ndjeshëm në krahasim me rënien rekord prej 2,5 për qind të arritur në tremujorin e parë.
Për 27 vendet e Bashkimit Evropian, Eurostat-i është treguar gjithashtu më pesimist se më parë: PBB-ja e tyre ka rënë me 0,3 për qind në tremujor, kundrejt -0,2 për qind që pritej sipas vlerësimit të mëparshëm.
Në krahasim me tremujorin përkatës të vitit 2008, Eurostat-i ka rishikuar gjithashtu me rënie vlerësimet e mëparshme. PBB-ja e zonës euro ka rënë me 4,8 për qind (kundrejt 4,7 për qind më parë) dhe ajo e BE-së me 4,9 për qind (4,8 për qind më parë).
Investimet kanë patur një rënie më të madhe nga sa pritej, me 1,5 për qind në zonën euro (kundrejt 1,3 për qind të parashikuara më parë) dhe 2,3 për qind në BE (kundrejt 1,9 për qind).
Rënia e eksporteve ka qenë gjithashtu më e madhe nga sa parashikohej: -1,5 për qind në zonën euro (kundrejt -1,1 në vlerësimin e mëparshëm) dhe -1,7 për qind në BE (kundrejt -1,5 për qind). Por, edhe importet kanë rënë më tepër nga sa parashikohej: -2,9 për qind si në zonën euro dhe në BE (kundrejt -2,8 për qind më parë).
Rifillimi i konsumit është konfirmuar në zonën euro, por ai mbetet më i dobët nga sa pritej (+0,1 për qind, kundrejt +0,2 për qind më parë).
Ndërsa në BE ai ka rënë përsëri me 0,1 për qind në tremujorin e dytë, ndërkohë që Eurostat-i parashikonte deri tani që ai të ishte i qëndrueshëm.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›