Ruli: Do të vazhdojmë mbështetjen me fonde të kultivuesve të ullirit
Rritja e vëmendjes në zhvillimin e sektorit të ullirit në Shqipëri ka mbledhur së bashku drejtues të lartë të Ministrisë së Bujqësisë, përfaqësues të USAID-it në Shqipëri, që po asistojnë këtë sektor si edhe prodhues dhe përpunues privatë të ullirit. Ministri i Bujqësisë Genc Ruli tha se Shqipëria ka aktualisht 1,5 rrënjë ullinj për frymë të popullsisë dhe një normë konsumi të vajit të ullirit, afërsisht 3 litra për frymë në vit, në një kohë kur në vendet e tjera të Mesdheut këta tregues janë 4-5 herë më të lartë. Megjithëse nga financimi i dhëne nga kjo ministri mbillen çdo vit rreth 1000 hektarë apo 250-300 mijë rrënjë ullinj përsëri ritmet e rritjes së sipërfaqeve si dhe të prodhimit në këtë sektor janë të ulta, theksoi Ruli. Edhe për vitin aktual dhe ate të ardhshëm kjo ministri do të vijojë skemën e mbështetjes me më shumë fonde për sektorin e ullirit për mbjelljet e reja, për trajtimet kimike si dhe përpunimin e vajit të ullirit.