E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dafina kthehet te Krenari me (apo pa) 55 valixhet

Një ndarje e sajuar apo krizë e vërtetë në çift

Më shumë sesa zhurma e ndarjes së këngëtares Dafina Zeqiri nga i dashuri i saj Krenari ishin valixhet e saj ato që jehuan. Plot 55 të tilla, që përgjatë ditëve të “grindjes” me të dashurin asaj iu desh t’i mbushte dhe pa kaluar dy ditë reflektoi dhe ndoshta i ka rimbushur sërish për t’i kthyer te shtëpia e Krenarit… E pra ka ndarje dhe bashkime, por kjo e Dafinës me Krenarin nuk i bëri as “tri ditë, sa ç’është edhe çudia më e madhe”… Dafina nuk e la lajmin e ndarjes të përhapej dhe të përflitej siç ndodh rëndom, por pa u përtypur mirë nga audienca, ajo u shfaq më e lumtur se kurrë në krah të Krenarit në një foto të publikuar prej saj në profilin në Twitter. E një ditë më pas ajo hodhi edhe fotot e këngës së re “My Swag”. Aq sa të bën të mendosh se e gjithë kjo zhurmë e jetës personale të çiftit ka qenë pjesë e marketingut që këngëtarja seksi po i bën punës së saj. Në tymnajën e thashethemeve që vërshuan në ndarjen e çiftit, u tha se shkak për ndarjen ishte xhelozia e Krenarit ndaj këngëtares dhe më tej një flirt i Dafinës me menaxherin e saj Drin Zatriqri. Por një ditë më pas Drini e ka mohuar kategorikisht këtë lajm: “Për hir të sqarimit ndaj opinionit publik si dhe veçanërisht nisur nga respekti profesional dhe personal ndaj miqve të mi të nderuar, Dafina Zeqiri dhe Krenar Çoçaj, dëshiroj të distancohem publikisht nga disa media sensacionaliste të cilat këto ditë sajuan dhe lançuan dezinformata, trillime dhe intriga lidhur me natyrën e raporteve të mia me kolegen time profesionale Dafina Zeqiri. Të gjitha këto trillime të ulëta janë krejtësisht të pa baza dhe në kundërshtim drastik me raportet e mia të shkëlqyera profesionale dhe kolegjiale me miqtë e mi Dafina Zeqiri dhe Krenar Çoçaj, ndaj të cilëve veç e veç dhe bashkërisht ushqej konsiderata të larta. Kjo fushatë e ulët dhe e pa moralshme synon rrënimin e bashkëpunimit të suksesshëm, korrekt dhe profesional ndërmjet Dafina Zeqirit dhe meje si menaxher, si dhe dëmtimin e raporteve të shkëlqyera miqësore që i kam me Dafina Zeqirin dhe Krenar Çoçajn”, është shprehur në deklaratën e tij zoti Zatriqi. Nuk kaloi vetëm një ditë pas kësaj deklarate kur Dafina u dha përgjigje të gjithëve me foton e re krah Krenarit. E kjo nuk ishte për hir të mallit… aspak, por sepse të dy u rikthyen së bashku. Pa komente, me ose pa valixhe, Dafina u kthye te Krenari. Nuk dihet nëse ka ekzistuar vërtet një krizë mes çiftit, apo ishte një truk për më shumë vëmendje, në prag të lançimit të këngës së saj të re. Sido që të jetë, e vërtetë e padiskutueshme mbetet fakti që Dafina tërhoqi jo pak vëmendje!

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›