E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Dafinest”

Deri më tani vetëm është dëgjuar se një këngëtare e re me talent të jashtëzakonshëm. Shpejt do të bëhet pjesë e estradës kosovare. Dhe kjo ngjau gjatë kësaj jave, pasi 17-vjeçarja në Prishtinë promovoi albumin e saj të parë në karrierë. Bëhet fjalë për Dafina Rexhepin, e cila ka lindur dhe është rritur në Gjermani.

Albumi i saj përmban njëmbëdhjetë këngë, derisa dy prej tyre janë të pasuruara edhe me video-klipe, të cilat o promovuan bashkërisht me albumin që mban titullin ‘Dafinest’.

Fjala është për këngën ‘Ti m’i then kufijtë’, në të cilën Dafina këndon me Etnon (Etno Engjujt) dhe ‘Delicious’, bashkëpunim ky i Dafinës me Mc Kreshën. Albumi i saj është realizuar në GR Entertainment, kurse video-klipet janë punuar nga Entermedia.

Mysafirë të Dafinës në këtë album, përveç Etnon dhe Mc Kreshës, janë edhe Lyrical Son, Dj Blunt, Dj M.I.M dhe Gentz.

Ky i fundit, pra producenti i njohur Genc Prelvukaj, ka qenë mbështetësi më i madh i Dafinës në realizimin e këtij albumi dhe video-klipeve. Prelvukaj tregon se së bashku me Dafinën kanë punuar plot një vit për realizimin e këtij albumi.

“Një album i mirë nuk realizohet shpejt. Duhet punë, kohë, angazhim, lodhje etj. Ky projekt ma ka marrë një vit komplet për realizimin e tij”, tha Prelvukaj për Express.

Ai pohon se brenda një viti sa ka punuar me Dafinën në realizimin e këtij albumi nuk ka hasur në asnjë pengesë. “Nuk e kemi pasur aspak vështirë ta realizojmë albumin, edhe pse kemi punuar në të gjatë një viti të plotë. Dafina është këngëtare shumë e mirë dhe me lehtësi i kemi kaluar pengesat e vogla”, pohoi ai. Prelvukaj paralajmëroi se edhe ndonjë këngë tjetër e këtij albumi do të pasurohet së shpejti me video-klip të ri.

Në anën tjetër, edhe vetë Dafina është ndarë e kënaqur me punën që është bërë në albumin e saj të parë. “Jam ndarë e kënaqur me album, por edhe me video-klipe. Sikurse GR Entertainment, ashtu edhe Entermedia kanë bërë punën e tyre si duhet. Edhe Lara Enterprise e ka mbështetur fuqishëm projektin tim. Pa ndihmën e tyre ky projekt nuk do të ishte kaq madhor siç është sot. I falënderoj të gjithë”, thotë për Express Dafina Rexhepi, e cila thekson se këtë projekt ia kushton familjes së saj dhe shoqërisë të cilët e kishin përkrahur vazhdimisht.

Ajo falënderon posaçërisht producentin Genc Prelvukajn, i cili ishte i përqendruar jashtëzakonisht shumë në realizimin e projektit të Dafinës. “Angazhimi i tij ka qenë maksimal në çdo sferë që ka të bëjë me industrinë e muzikës. Genci ishte preferenca ime për bashkëpunim, rrethit tim dhe miqve të mi. Por, miku i familjes sime, Blerim Destani, më sugjeroi dhe më vendosi në kontakt me GR Entertainment dhe Genc Prelvukajn, dhe në fund doli që nuk kam gabuar. Përkundrazi”, theksoi Dafina, e cila ndjek shkollën e solokëndimit.

Në natën kur promovohej albumi i saj, shumëkush thoshte se Dafina Rexhepin e pret rrugë e suksesshme nëpër të cilën kishte kaluar edhe Dafina Zeqiri. Por, 17-vjeçarja thotë se do të ndjekë një rrugë të veçantë prej kolegëve të saj, për të cilët thotë se ka respekt të madh.

“Që në fillim me Gencin jemi fokusuar në atë që ta bëjmë punën tonë sa më mirë, pa marrë asnjë model tjetër. Nuk do të ec hapave të dikujt tjetër. Qysh në fillim me Gencin kemi vendosur ta krijojmë një stil të veçantë. Pse dua të jem më ndryshe, nuk do të thotë që unë nuk i respektoj të tjerët. Përkundrazi. Unë i respektoj të gjithë dhe i vlerësoj. Po ashtu, do të provoj të kem raporte të mira me të gjithë”, përfundoi Dafina.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›