Fundjava e fundit e Merilin Monrosë
Të dielën e 15 gushtit të vitit 1962, trupi i Merilin Monrosë u gjet i zhveshur dhe i pajetë në shtratin e saj në shtëpinë e rrugës “Helena Drive” në Kaliforni. Ishte 36 vjeçe. “Ylli i trazuar mbante telefonin në njërën dorë dhe një shishe boshe me hapa gjumi në dorën tjetër”, shkruante atë ditë “Associated Press”
Para se ajo të zbulohej zyrtarisht e vdekur të dielën, fqinjët kishin parë një ambulancë misterioze që ishte parkuar përballë rezidencës së yllit të kinemasë të shtunën në darkë. Ata dëshmuan edhe për një helikopter që kishte bërë disa fluturime aty sipër. Madje natën ishin dëgjuar nga shtëpia edhe zëra të lartë dhe zhurma xhami të thyer. Ndërsa disa fqinj të tjerë kishin raportuar në orët e para të ditës se një grua me një zë histerik kishte bërtitur brenda shtëpisë së Merilinit: “Vrasës, vrasës. Jeni të kënaqur tani që ajo vdiq?”
Për 48 vjet rresht, jeta e Merilin Monrosë dhe madje edhe ngjarjet që dolën në dritë më pas, si lajmet për një vizitë që i bëri natën e vdekjes në shtëpi i dashuri i saj Bob Kenedi, apo që ambulanca e mori ndërsa thuhej se ishte ende gjallë, ka mbetur një nga misteret më të mëdha dhe më ndjellëse të Hollivudit. Vdekja e Merilin i preku shumë njerëzit dhe admiruesit e saj dhe kjo vazhdoi për shumë e shumë vite, por edhe sot e kësaj dite ende nuk dihet nëse ishte vetëvrasje, apo vrasje? Disa kanë sugjeruar se ish i dashuri i saj, Frenk Sinatra, tek i cili ajo kishte besim, mund ta kishte shpëtuar Monronë, por ai zgjodhi në fakt që t’i kthente kurrizin kur ajo ishte në një moment shumë të vështirë. Pyetjet dhe dyshimet, zbulimet dhe skandalet që gjithmonë pasojnë një vdekje të papritur të një ylli kinemaje, apo njeriu të famshëm, veçanërisht kur bëhet fjalë për dikë të bukur dhe të ri, kanë vazhduar që të magjepsin amerikanët dhe jo amerikanët. Por thuajse pas 50 vitesh duket se nuk ka mbetur më gjë për t’u thënë, apo për t’u zbuluar deri më tani. Së fundi një pianist xhazi i famshëm, dikur mik i ngushtë i Sinatrës, i ka folur një gazetari të vjetër amerikan, që u mor për një kohë të gjatë me çështjen e Monrosë në lidhje me fundjavën misterioze që Monro kaloi në një shtëpi në liqenin Tahoe, 5 ditë para se të vdiste. është hera e parë që dikush ka rrëfyer personalisht se çfarë ndodhi në atë shtëpi. Tashmë 83 vjeç, këngëtari që ende ka një buzëqeshje karakteristike në fytyrë, thotë se fundjavën e 28 dhe 29 korrikut të vitit 1962 e kanë rrethuar gjithmonë paqartësi, mistere dhe mendime ogurzeza. Ata që ndodheshin në atë shtëpi, përfshi edhe ish të dashurin e Monrosë, Sinatra, (ishte pikërisht ai që ia kishte bërë ftesën), si dhe një nga padronët më të mëdhenj të mafies, Sam Giancana, ose kanë vdekur të gjithë, ose refuzojnë që të rrëfejnë për atë që ndodhi gjatë një 48-orëshi, që duket se ka vulosur fatin e aktores. Në fakt, për jetën dhe vdekjen e saj misterioze janë shkruar deri më tani rreth 100 libra dhe me të drejtë ajo është konsideruar si femra seks simbol e shekullit të kaluar, por ndërkohë asnjë nga autorët e këtyre librave nuk ia ka dalë që të penetrojë thellë në të vërtetat e hidhura të ditëve të fundit të kaluara gjallë nga ylli dhe mbi të gjitha në orët e kaluara buzë liqenit fundjavën e fundit të jetës së saj. E, megjithatë, janë pikërisht këto orë që përmbajnë të dhëna kyçe mbi të vërtetën e Merilinit dhe vdekjen e saj tragjike. Vetë Monro ishte në një situatë shumë të vështirë në atë kohë. Robert Kenedi, që e trashëgoi Monronë si të dashur nga vëllai i tij, Presidenti Kenedi, kishte hyrë në muajin e pestë të marrëdhënies kur ajo ndërroi jetë. Një nga të pranishmit e asaj darke kujton se atë natë ajo ishte shumë e brishtë nga ana mendore dhe emocionale e se lidhja e saj me realitetin ishte shumë e turbullt. Kjo situatë e bënte që të ishte e papërgjegjshme kur i kërkonte me ngulm dhe dëshpërimisht Bobit që të divorconte bashkëshorten e tij, që ishte dhe nëna e 7 fëmijëve, e të bashkohej përfundimisht me të. Vetë Bob, edhe pse mund ta kishte dashur Monronë, nuk e kishte aspak ndërmend që të shkatërronte familjen dhe të martonte një yll Hollivudi me shumë probleme dhe tri herë të martuar si Merilin. Por, nga ana tjetër, edhe Monro i kishte shfrytëzuar vëllezërit, duke bërë sjellje të caktuara për të arritur atë që dëshironte prej tyre, para dhe favore të ndryshme, por kur paratë mbaruan në njëfarë mënyre, ajo i kërcënoi vëllezërit, duke harruar se ishte shumë e brishtë për t’u bërë presion dy burrave më të fuqishëm të kohës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. “Nëse Bob nuk do të më përgjigjet për atë që dua prej tij, atëherë do të organizoj një konferencë për shtyp dhe do t’ua them të gjithëve të vërtetën time dhe të vëllezërve”, i deklaroi ajo një ish të dashuri të saj disa ditë para vdekjes. Ata që ishin pranë artistes dhe e njihnin temperamentin e saj të paqëndrueshëm, e dinin se nuk bëhej fjalë për një kërcënim të kotë nga ana e saj, por për diçka që edhe mund të ndodhte, nëse ajo do ta ndante mendjen për një gjë të tillë.
Merilin ndërkohë po kalonte edhe një periudhë të vështirë në karrierën e saj artistike me disa refuzime nga producentët më të mëdhenj të kohës, me të cilët kishte bërë disa filma të suksesshëm në të shkuarën e afërt. Kjo, sepse Monro i neglizhonte xhirimet, vonohej dhe kur shkonte ose ishte e pirë, ose e dendur me ilaçe. Në atë kohë Monro ishte shumë e dhënë pas pijes dhe në një gjendje të vazhdueshme depresive dhe halucinante. Kjo bëri që t’ia varte punës dhe të kërcënonte lart e poshtë vëllezërit. Por, pavarësisht të gjithave, kur mbërriti buzë liqenit dukej mirë dhe esëll. Aty ndodhej edhe Sinatra, i cili ishte përpjekur ta qartësonte dhe ta ndihmonte nga alkooli, por duke parë që aktorja vazhdonte me të sajën, kishte filluar që të mbante qëndrim. Me kalimin e mbrëmjes ajo nisi që të pinte dhe kësisoj të shqetësonte të gjithë njerëzit që ishin në mbrëmje. Sinatra ishte i pari që u shqetësua dhe u nevrikos nga sjellja e Merilinit, sepse ajo ishte në një gjendje që mund të thoshte shumë gjëra, për të cilat njerëzit e fuqishëm nuk do të donin që të diheshin. Në një rast të tillë situata do të ishte prishur dhe mund të ishin krijuar probleme për të gjithë të pranishmit në darkë, që pa dashjen e tyre do të përfshiheshin në deklarata “djegëse”. Në këto rrethana Sinatra lajmëroi truprojën e tij për ta larguar pa rënë në sy Monronë, çka ai e bëri. Për një pjesë të njerëzve që ishin aty, kjo sjellje e Merilinit ishte tërësisht e re dhe ata nuk mund të kuptonin se si gruaja, që në fillim të mbrëmjes ishte plot humor dhe e ngrohtë me të gjithë, tashmë ishte shndërruar në një kafshë të plagosur që rrezikonte darkën e humorin e të gjithëve dhe kjo vetëm sepse nisi që të pinte shumë e të bënte sjellje të papërgjegjshme. Disa nga të pranishmit u shqetësuan për fatin e saj dhe njëri prej tyre madje, këngëtari që përmendëm më sipër, shkoi të shihte se çfarë po bënte ylli tani që e kishin nxjerrë në oborr për ta veçuar. Ai pa se Monro ishte zhytur në pishinë e vetme e pa rroba dhe dukej si një e mbytur që kishte hequr dorë nga të kërkuarit e ndihmës dhe ishte pajtuar me fatin e saj. Këngëtari kujton se ndoshta ishte faji i Hënës, por nga larg Monro dukej si një fantazmë, si t’i kishte humbur të gjitha format njerëzore dhe të ishte shndëruar në një të ikur. Ndërsa shumë nga të pranishmit mund të ishin mësuar me pamje të tilla të Monrosë në mesin e mbrëmjeve, këngëtarit gjithçka që shihte për herë të parë i bëri shumë përshtypje, madje aq sa nisi të ndiente një keqardhje për atë grua që nuk kishte arritur dot t’u bënte ballë atyre që i kishte sjellë jeta. Ndërkohë brenda Sinatra kishte nisur bisedimet me truprojën e tij dhe nuk ishte aspak i qetë dhe vazhdimit gjatë gjithë mbrëmjes ishte në një situatë të turbullt e të shqetësuar. Të nesërmen në mëngjes, ndërsa të gjithë të ftuarit e një nate më parë kishin dalë për të ngrënë mëngjesin, Monro mungonte.
Ajo ishte larguar që një natë më parë, edhe pse në një gjendje të keqe. Kjo ishte hera e fundit që shumë nga personat që ishin në atë darkë dhe që e njihnin mirë panë aktoren e trazuar. Ka nga ata që mendojnë se Sinatra pikërisht atë natë e kishte humbur përfundimisht durimin me aktoren që tashmë i ishte nisur një rruge pa krye. A mos vallë ishte ai që e la atë në mëshirë të fatit, duke mos i dalë më për zot dhe duke e lënë në fatin e saj? Ka mundësi që ky të jetë një skenar i mundshëm. Mënyra se si mund të sillej Monro, duke rrezikuar shumë gjëra, e bënte përfundimisht një person të rrezikshëm dhe të padëshirueshëm në disa rrethe njerëzish. Në fakt ka zëra që thonë se Sinatra e kishte thirrur Monronë atë fundjavë në shtëpinë buzë liqenit për t’i thënë që ta mbante gojën mbyllur dhe të mos ta çonte nëpër mend, por me sa duket Monro nuk ia kishte vënë veshin dhe ndoshta në këto kushte këngëtari e la në duart e ujqërve.
#