E Shtunë, 31 Tetor 2026

Njeriu i luftës

është bombarduar, qëlluar dhe rrahur me dhjetëra herë. Reportazhet e tij mbulojnë një periudhë kohe 30-vjeçare të ngjarjeve në Lindjen e Mesme. Puba i jep shumë kënaqësi, i ka dhënë çmime, por edhe shumë armiq. Sot është 61 vjeç dhe Robert Fisk, pavarësisht të gjithave, nuk ka ndërmend që të dalë në pension.

Me kalimin e viteve ballkoni i apartamentit të Robert Fisk në Bejrut, që sheh për nga qyteti, ka fituar veti legjendare. Në shkrimet e tij ai e përmend jo rrallë duke e konsideruar si një vend prehjeje e shpesh edhe strehimi. Aty ai përpiqet të harrojë tmerrin e përditshëm me të cilin e furnizon dita e vështirë e punës. Për 30 vjet me radhë ka bërë një punë në të cilën dihet ku të zë mëngjesi, por jo mbrëmja. Ia ka dalë të mbijetojë, aty ku shumë të tjerë kanë humbur jetën. Ai e konsideron fat, por edhe një provë të një lloj mbrojtjeje hyjnore që i është dhënë për të rrëfyer ngjarje e vende te të cilat nuk vë dot kush këmbë kollaj. Së fundi ka botuar librin “Lufta e madhe e civilizimeve”. Në të cilin përshkruan se si çdo ditë, që nga fillimi i luftës në Irak, teksa hap sytë mendimi i parë që i vjen ndër mend është: “Ku do të shpërthejë sot bomba? “Nëse do që të bësh një bisedë me Fisk nuk mund të gjesh vend më të mirë se ballkoni i apartamentit të tij. Ai zakonisht flet me zë të lartë, por kur rrëfen gjëra që e revoltojnë zëri shndërrohet në një piskamë, në një zë të mbushur me inat e mllef, gati në ulërimë. është i kthjellët dhe mbi të gjitha një argumentues i shkëlqyer. Për çdo argument jep të paktën tre shembuj historikë dhe bën një arsyetim të cilin nuk mund ta zmbrapsësh.

Për sa i përket luftës, Fisk ka lidhje të hershme me të. Në tryezën e punës mban një kartolinë të Arqidukës Franz Ferdinand në momentet para se ta vritnin në vitin 1914. I ati i tij ka luftuar në llogoret e Luftës së Parë Botërore, një fakt ky që ka ndikuar thellësisht në jetën e tij. Fisk është një nga gazetarët më të famshëm në botë dhe njëherazi ndër më të guximshmit. Ai çmohet si për cilësinë e jashtëzakonshme të raportimeve të tij në një botë të dominuar nga lajmet televizive 24 orë në ditë, ashtu edhe për kurajën për të hedhur në letër atë që pakkush do të kishte guximin ta zinte në gojë. Askush nuk i shpëton dot llavës së nxehtë të inatit të tij, madje as Bush dhe Bler, apo liderët izraelitë e diktatorët arabë. Për të qëllimi i gazetarisë është të vërë gishtin te fajtorët. Gjatë periudhës mbi 30-vjeçare në Lindjen e Mesme, kohë gjatë së cilës ka mundur t’u shpëtojë bombave, plumbave, dy tentativave për grabitje dhe rrahjeve, ka fituar më shumë çmime se të gjithë gazetarët e lajmeve ndërkombëtare dhe ndërkohë ka shkruar dy libra super të shitur: “Mëshironi Kombin!”, një histori rrëqethëse e luftës civile në Liban dhe “Lufta e madhe e civilizimeve”, një vëllim prej 1300 faqesh, një rrëfim historik i pasur me dëshmi dhe ngjarje të nxjerra nga blloqet e shënimit. Një tjetër libër “Epoka e luftës” me përmbledhje të artikujve të tij, sapo është botuar. Leksionet dhe shkrimet e Fisk shiten në mënyrë marramendëse në të gjithë botën dhe për të firmosur një libër prej tij duhet të presësh në një radhë të gjatë ditën e promovimit në librari. E ndërsa për disa është një hero, për të tjerë s’mund të jetë veçse një figurë e urryer, veçanërisht pas sulmeve të 11 shtatorit, kur ai i befasoi të gjithë me pyetjen se cili ishte motivi i vërtetë i atyre që ishin përgjegjësit realë të sulmit. Si pasojë ai u shndërrua në një figurë të urryer, pasi po vinte pikëpyetje për autorësinë e vërtetë të krimit. Të shumtë janë ata që e sulmojnë. E quajnë “Antikrisht”, antiamerikan, antisemit, një gazetar që shtrembëron faktet me qëllim. Nga ana tjetër, ai është një idhull për shumë gazetarë dhe lexues.

Atij i admirojnë kurajën dhe mënyrën e të shkruarit. është një reporter brilant dhe kjo ndihet edhe gjatë debateve. Shembull i kësaj përkryerjeje profesionale është libri mbi luftën civile në Liban. është një libër që nuk ka të dytë dhe që rrëfen skuta të pashkelura nga askush. Situatat që ai ka kaluar e kanë bërë në njëfarë mënyre të pandjeshme. “Më është trashur lëkura dhe nuk më bëjnë përshtypje vdekjet. Por fatkeqësia këtu nuk jam unë, por njerëzit, që sikurse unë nuk u bëjnë më përshtypje gjaku, gjymtimet, vrasjet. Ata dhe unë jemi mësuar me të keqen dhe kjo është pasoja më e rëndë e një lufte”, thotë Fisk. Po a trondit një humbje e tillë ndjeshmërie? “Jo. Nëse do të bësh punën time atëherë do të marrësh parasysh se do të shohësh shumë të vdekur. E ndërsa jam mësuar me vdekjen, inati dhe revolta nuk më janë ulur e reshtur për asnjë çast. Nuk kam frikë të vë gishtin te pala faktore dhe t’i çoj në ferr. Në Sabra–Shatila, kur në vitin 1982, Falangistët e Krishterë vranë 2000 refugjatë izraelitë pashë një mal me të vdekur. Nisa të numëroja dhe ndala te shifra 100. Ecja përmes kufomave. Mendoja se çfarë mund të më rrëfenin këta njerëz, po të mundeshin për momentet e tyre të fundit. Isha i tmerruar. Teksa i shihja ashtu të qetë e të pajetë mendoja për ata që e kishin bërë këtë masakër. Disa prej të cilëve i njihja personalisht. Me kalimin e kohës kam takuar edhe përgjegjës të tjerë të asaj masakre barbare. Unë nuk kam frikë. E di se do të vdes një ditë, por sigurisht dua të jetoj sa më gjatë, të shoh sa më shumë në këtë copëz jete që është e mbushur me kaq shumë vuajtje”.

Po nëse Fisk nuk do që të vdesë përse bën këtë punë të rrezikshme prej një kohe të gjatë? Tani sapo ka mbushur 61 vjeç dhe shumëkush do të kishte dalë në pension, por jo Robert. Historinë e luftës ai e nisi në moshën 29-vjeçare. “Në atë moshë ke parasysh filmat dhe përfundimet tyre ku heroi gjithmonë fiton dhe mbijeton. Kështu qëkur nisesh për një punë të vështirë je i bindur se do t’ia dalësh. Më kujtohen kohët kur plumbat vërshëllenin lart e poshtë si të ishin bletë. Unë ndieja presionin që shkaktonin në ajër. Shpesh kisha frikë dhe jo rrallë provoja tmerr. Të provosh frikë në këtë profesion është mirë, pasi tregon se t’i do t’u tregosh lexuesve për sa po ndodh dhe për këtë do të të duhet të mbetesh gjallë”. Ai është kundër të ashtuquajturës “gazetari hoteli” ku reporterët qëndrojnë në dhomat e tyre dhe marrin informacionin pa dalë në terren, një tendencë kjo e vënë re vitet e fundit në Irak, ku pakkush ia ka dalë që të futet në zonat e rrezikshme. Fisk është nga ata që nuk ia përton të futet skutave. Po përtej kësaj jete në rrezik e gjithmonë përballë vdekjes si i duken Fisk gjërat e tjera të jetës si dashuria, miqësia, shtëpia? Atij nuk i pëlqen që të flasë për jetën private. Zyrtarisht, është i divorcuar nga një gazetare, por kuptohet që një jetë e tillë si e tija nuk mund të jetë një ndikim pozitiv për lidhjet e marrëdhëniet. Gjithçka që ai thotë për jetën personale është: “Nuk jam i sigurt se kam qenë i lumtur. Pas turneut që bëra për të promovuar librin tim të fundit, u ula në ballkon me një filxhan çaji dhe po mendoja që nuk mund ta ktheja më pas filmin e jetës. Kam kaluar gjysmën e saj në Lindjen e Mesme. Kam pasur momente tmerri e depresioni dhe vetmie. Cila do të ishte gjëja më e mirë për t’u bërë? Mund të kisha qenë në Paris dhe të bëja një punë të qetë dhe të sigurt, ndërsa shihja fëmijët si rriteshin. Pastaj më kujtohet një letër që kam marrë nga botuesi i “Times” për një vend të shkëlqyer pune në vitin 1988. Ishte sikur Mbreti Abdullah të të ofronte Jordaninë. Teksa pija çajin mendoja se edhe sikur të kisha pranuar për njëfarë kohe ofertën kjo nuk do të ishte përgjithmonë, pasi do të isha rikthyer sërish në këtë vend, në këtë apartament, në këto toka ku përditë jeta përleshet me vdekjen”.

Fisk ka lindur në vitin 1946 në Kent dhe ishte fëmijë i vetëm. I ati merrej me financa dhe ishte një person shumë i ftohtë. E ëma ishte njeriu që i qëndroi më pranë. I ati ishte luftëtar llogoresh dhe ndoshta ajo pjesë e jetës e përjetuar aty ia kishte ndryshuar tërësisht karakterin. Pavarësisht marrëdhënieve me të atin ai është i bindur se ekziston një lidhje e fortë dhe e fshehtë mes përvojës së të atit në luftë dhe profesionit të tij. Pas fitores së aleatëve në vitin 1918, fitimtarët i ndanë tokat e armiqve. Siç shkruan ehe në parathënien e librit “Lufta e madhe e civilizimeve”, në harkun kohor të 17 muajve u krijuan kufij të rinj në Irlandën e Veriut, Jugosllavi dhe Lindjen e Mesme, vendet ku Fisk kaloi 30 vite nga jeta e tij duke parë njerëz të digjen e piqen. Në moshën 12-vjeçare ai vendosi që të bëhej reporter. U diplomua për gjuhësi dhe letërsi klasike dhe menjëherë pas shkollës nisi karrierën gazetareske në Newcastle. Që nga viti 1972 ishte korrespondent në Belfast për “Times”.

Më pas në vitin 1979 u zhvendos në Bejrut. Prej andej raportonte edhe për revolucionin iranian, luftën Iran-Irak, Luftën e Gjirit, konfliktin në Ballkan dhe sigurisht për Luftën Civile 15-vjeçare në Liban. Gjatë krizës së pengjeve ai ishte gazetari i vetëm perëndimor që qëndroi në Bejrut. “Mendoja me vete se nëse do të isha larguar në atë moment nuk do të isha kthyer kurrë më. Rreziku ishte shumë i madh dhe mbi të gjitha frika se njerëzit mund të mendonin se unë isha një spiun. Ka ende syresh që e mendojnë një gjë të tillë, për faktin e vetëm se jam i huaj”. Kur Fiks mbërriti në Liban, lufta ishte në vitin e saj të katërt. “Kur vendosa të shkoj në këtë zonë babai më dha një këshillë: mos ju druaj plumbave, por snajperëve. Mendoj se kjo këshillë më ka shpëtuar kokën”. Kur Izraeli i urdhëroi të gjithë gazetarët që të largoheshin nga Bejruti Perëndimor, e ëma arriti që ta gjente në telefon dhe ta urdhëronte që të kthehej në shtëpi. Kur ai i tha se do të qëndronte në kryeqytet ajo ia ktheu. Thjesht doja të të dëgjoja zërin, sepse e di që ty nuk të kthen dot gjë pas”. Fisk ka një shtëpi në Irlandë, megjithatë Fisk mund të imagjinohet vetëm në apartamentin e tij në Bejrut. “Nuk i besoj gazetarët që thonë se e duan Libanin. Ata vijnë, marrin lajmet dhe historinë që u duhet. Nuk tentojnë të mësojnë asnjë fjalë të kësaj gjuhe dhe më pas ikin për të bërë korrespondentin në toka paqësore. Mua më pëlqen jeta këtu, por libanezët janë të rrezikshëm. Janë mikpritës, të dashur, kozmopolitanë, të mësuar e megjithatë e futën veten në një luftë civile që mori 150 mijë jetë njerëzish. Unë i trajtoj libanezët me respekt, sepse në radhë të parë ata përjetojnë përditë një tragjedi, jetojnë në një vend artificial. Një pjesë e tyre kanë rrezikuar jetën për mua.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›