E Shtunë, 31 Tetor 2026

Daimler, Nissan dhe Renault, shpallet aleancë e re e makinave

Tri markat e fuqishme do të bashkëpunojnë edhe për modelin e një makine elektrike

Prodhuesi gjerman i makinave, “Daimler”, pritet që t’i japë “Renault” dhe “Nissan” 3.1% të aksioneve të biznesit të saj si pjesë e një tendence globale të bashkimit të firmave të ndryshme të fuqishme. Në këmbim “Daimler” do të marrë 3.1% të aksioneve si të “Renault”, ashtu edhe të “Nissan”, të cilat kanë qenë në aleancë me njëra-tjetrën që nga viti 1999. Marrëveshja parashikon që kompanitë të vazhdojnë të jenë të veçuara nga njëra-tjetra, por do t’u lejojnë që të shkëmbejnë teknologji dhe të ndajnë kostot e zhvillimit. Prodhuesit e makinave do të bashkëpunojnë që të prodhojnë makina elektrike dhe kamionë të lehtë ngarkimi. Duke komentuar në lidhje me marrëveshjen, kryetari i “Daimler”, Dieter Zetsche, tha se bëhej fjalë për një lidhje që premtonte shumë dhe që do t’u mundësonte kompanive të ndanin burimet. “Ne e plotësojmë shumë mirë njëri-tjetrin”, deklaroi kreu i “Benz”. Kompanitë do të bashkëpunojnë për zhvillimin e projektit të markës “Smart” dhe “Renault Twingo” në versionet e tyre elektronike. Motorët e prodhuar nga “Nissan”-“Renault” do të modifikohen që të përshtaten me makinat e reja “Benz”, të cilat do të prodhohen shumë shpejt. Gjithsesi, pavarësisht bashkëpunimit, secila nga kompanitë do të vazhdojë të ruajë origjinalitetin e vet. Mbi të gjitha ajo që do të ketë më shumë vlerë në këtë shkëmbim është përvoja mes kompanive dhe bëhet fjalë për tri nga kompanitë më të suksesshme të tregut të prodhimit të makinave. Sa për “Renault” dhe “Nissan” ato krijuan një aleancë mes tyre në vitin 1999 bazuar thuajse në të njëjtat parime si ato me të cilat tani po bashkëpunojnë me prodhuesin e makinave gjermane.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›