E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministria e Kulturës fshin emrin e Kondakçi nga lista për dekorim

Hetimet Këngëtarja e akuzuar për trafik droge përballet me prokurorin për ekstradim drejt Italisë

Arrestimi i Liljana Kondakçi në Greqi ka bërë që Ministria e Kulturës t’ia heqë emrin nga lista për ta dekoruar. Emri i saj ishte përgatitur për çmimet “Naim Frashëri” që do të jepen këtë të premte, por sapo është marrë informacioni se ajo është arrestuar në Greqi për trafik droge, këngëtarja është zhdukur nga kjo listë. Sipas të dhënave nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, në ceremoninë që do organizohet të premten në ambientet e këtij institucioni ishte përgatitur një listë me artistë shqiptarë, të cilët do të dekorohen me çmime si “Mjeshtër i madh i Popullit”, “Urdhri Naim Frashëri”, etj. Lista përbëhej nga 14 artistë shqiptarë, mes të cilëve ishte edhe emri i këngëtares Liljana Kondakçi, ose i aktorit të njohur Koço Devole. Por, pak ditë më parë, Kondakçi u arrestua në Selanik për shkak se kërkohej nga drejtësia italiane për trafik droge. Duke marrë këtë informacion, Ministria e Kulturës ia ka fshirë emrin dhe lista ka mbetur me 13 veta, të cilët do të jenë të pranishëm ditën e premte. Nga ana tjetër, ditën e djeshme, këngëtarja Liljana Kondakçi është paraqitur para prokurorit dhe së shpejti do të vendoset për ekstradimin e saj nga Greqia në Itali. Nën masa të rrepta sigurie dhe në fshehtësi të madhe, këngëtarja shqiptare Liljana Kondakçi, që është arrestuar nga Antidroga greke e Selanikut javën e kaluar, është shoqëruar te prokurori i Apelit, i cili ka nisur procedurën për ekstradimin e saj në Itali. Në ditët e ardhshme pritet të mblidhet Këshilli i Gjykatës së Apelit në Selanik, i përbërë nga tre prokurorë dhe në një seancë tipike do të vendoset sesi do të veprohet me të. Sipas burimeve policore, ylli i muzikës shqiptare që u arrestua me urdhër të Interpolit, ka blerë dy shtëpi në lagjen “Evozmo” në perëndim të Selanikut. Në një prej tyre banon vajza e saj, kurse në tjetrën banonte vetë, ose e jepte me qira. Të njëjtat burime konfirmojnë se pasi agjentët italianë kanë zbuluar sinjalin e telefonit të saj në Selanik, Antidroga e këtij qyteti kishte më se tre muaj që kishte vënë në përgjim telefonatat e saj. Sipas përgjimeve, tashmë Kondakçi nuk është më një transportuese e thjeshtë e lëndëve narkotike, por është koka e një rrjeti trafikimi, të cilit ajo i jep urdhra nëpërmjet telefonit. Për herë të parë edhe në shtypin grek publikohet lajmi për arrestimin e këngëtares së njohur shqiptare, e cila madje krahasohet për famën e saj edhe me të mirënjohurën greke Marinela. Sipas së përditshmes “Esspreso”, por edhe gazetës së mirënjohur “Eleftherotipia”, Kondakçi, e njohur nga organet italiane të antidrogës me emrin “La mama”, ishte e dënuar me tre vjet burg në Itali, pasi u kap me tre kg heroinë në vitin 2006 dhe më pas është liruar me kusht. Interpoli ka dashur që nëpërmjet saj të arrestojë edhe pjesëtarë të tjerë të rrjetit. Emri i saj u përfol edhe më vonë në Shqipëri, kur u prenë shumë urdhër-arreste, por ajo nuk u arrestua. Më pas u largua nga Shqipëria e nuk dihej se ku ndodhej deri para një jave, që ra në prangat e Interpolit.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›