Sofroni: Po rishikojmë ligjin e artit skenik
Ndonëse ideja e krijimit të Teatrit të Komedisë sapo është hedhur në tryezë diskutimi, paralelisht në Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve po përgatitet baza ligjore. Drejtoresha e Artit, Moza Sofroni, u shpreh se aktualisht po punohet për rishikimin e ligjit “Për artin skenik”. “Deri më tani ky ligj ka qenë i specifikuar për artet skenike, por do të transformohet në ligjin “Për artin”, në mënyrë që të ketë mundësinë e përfshirjes së të gjitha fushave. Për më tepër jemi duke riparë mundësinë e përfshirjes së dy institucioneve të reja, të Cirkut dhe të Teatrit të Komedisë, duke krijuar kështu mundësinë e kompeticioneve. Kjo do të thotë se teatrot dhe institucionet tona artistike do të rishikohen për mënyrën e funksionimit dhe do të reformohen në mënyrë moderne, duke iu larguar sistemit të vjetër”, ka theksuar Sofroni. Si pjesë e këtij rishikimi, Sofroni ka përmendur krijimin e Qendrës së Artit, një strukturë që ishte parashikuar që në ligjin aktual të ngrihej nën emërtimin “Qendra e Artit Skenik”, por që deri më tani nuk ishte zbatuar. Sofroni shpjegon se kjo qendër do të funksionojë pak a shumë si Qendra Kinematografike, do të krijohet me një akt nënligjor, do të jetë në një godinë më vete dhe mund të ketë të punësuar rreth 15 veta. Do të jetë pikërisht Qendra e Artit që do të marrë në shqyrtim projektet që deri më sot shqyrtoheshin në Ministrinë e Kulturës dhe mbështeteshin me fondin që kishte ministria për projektet artistike. “Ende nuk është përcaktuar nëse Qendra Artistike do të ketë një fond të mëvetësishëm nga qeveria, apo nga Ministria e Kulturës, por do të jetë nën varësinë e kësaj të fundit. Në këtë mënyrë, MTKRS-ja zhvishet nga imazhi i një fondacioni dhe njëkohësisht shmanget ndikimi politik në dhënien e projekteve”, ka sqaruar drejtoresha e artit. Gjithsesi, Ministria e Kulturës do të ketë një fond të veçantë për të mbështetur festivalet që do të organizohen nën varësinë e saj, përzgjedhja e të cilëve do të bëhet nga bordi që do të ngrihet pranë ministrit. Pjesë e rishikimit do të jetë edhe statusi i artistit. Sofroni tregon se është menduar që pas përfshirjes së institucioneve të reja do të rishitet edhe mënyra e funksionimit të institucioneve artistike ekzistuese”. Një nga pikat e këtij ligji parashikon ngritjen e një komisioni rivlerësimi për artistët që janë aktualisht në organikën e institucioneve. Bordi i këtyre institucioneve do të vlerësojë angazhimin dhe cilësinë e tyre artistike. Kjo do të ndodhë njëherë në dy vjet, me qëllim që të mos ketë vegjetim të tyre, por të ketë angazhim nëpër vepra. I njëjti vlerësim do të jetë edhe për sa u përket shpërblimeve, sepse është konstatuar se shpesh herë i kalojnë normat”. Aktualisht puna për rishikimin e këtij ligji është në fazën e përfshirjes së institucioneve të reja, ndërkohë që po punohet paralelisht për krijimin e akteve nënligjore.
#