Festivali i Tiranës, mastera e bursa
Në edicionin e tij të tretë "Tirana Music Festival", vjen më shpejt këtë vit. Për të shfrytëzuar më mirë sezonet shkollore, por edhe freskinë e pranverës, festivali muzikor i zhvilluar nga Akademia Muzikore e Umbrias në bashkëpunim me Akademinë e Arteve dhe Institutin Italian të Kulturës, zhvendosen nga muaji korrik nëprill. Përgjatë një jave, nga data 23-30 prill, muzikantët e rinj kanë mundësi të mësojnë më shumë. Master me pedagogë italianë, koncerte, bursa e çmime. TMF u drejtohet në radhë të parë muzikantëve të rinj shqiptarë, studentë pranë Akademisë së Arteve në Tiranë, apo në shkolla të tjera. Për të vijuar me muzikantët italianë, apo të ardhur nga vende të ndryshme të botës, të cilët duan të perfeksionohen me profesorë të mëdhenj dhe të shkëmbejnë eksperienca artistike me muzikantë shqiptarë. Masterklaset prezantojnë kurse të mirëfillta të perfeksionimit të lartë, duke mbështetur si studentët vendas, të cilët i përfitojnë ato falas, si dhe të interesuarit nga jashtë Shqipërisë. Sipas organizatorëve, termi "masterklas" nënkupton maksimumin e nivelit artistiko- didaktik. Çdo masterklas ka si pikë referimi një profesor, ndërsa numri i instrumentistëve që mund të marrë pjesë në leksionet e kursit do të jete jo më i lartë se 12, që do të përzgjidhen pas një provimi që do të zhvillohet ditën e parë të masterit. Edhe këtë vit ofrohet kurs për piano me prof. Maria Terza Carunccio, kanto lirike me prof. Carmen Gonzalez, violinë me prof. Crtomir Siskovic, violoncel Claudio Casadei, kitarrë Claudio Piastra, laborator orkestral / Muzikë dhome me prof. Marco Pontini dhe klarinetë me prof. Piero Vincenti. Ashtu si edhe në dy edicionet e mëparshme, Akademia Muzikore Umbria vë në dispozicion të pjesëmarrësve shqiptarë në "Tirana Music Festival" 3 bursa studimi për në Shkollën Superiore të Muzikës të Akademisë Muzikore Internazionale, për vitin 2009 ( çdo bursë studimi konsiston regjistrimin dhe pjesëmarrjen gratis në një prej kurseve të parashikuara). Si dhe 5 bursa studimi për në ambientet e Festivalit Internacional Umbria Estate 2009, në bashkëpunim me Institutin Italian të Kulturës. Organizatorët e "Tirana Music Festival" parashikojnë gjithashtu organizimin e 3 koncerteve për një ose me tepër grupe shqiptare në Festivalin Internacional Umbria Estate 2009.
Ashtu si edhe në dy edicionet e para kurset do të zhvillohen në ambientet e Akademisë së Arteve, ndërsa koncertet në skena të ndryshme, jo vetëm të Tiranës, por këtë herë edhe në rrethe të tjera të vendit. Kështu koncerti hapës, parashikohet në datën 24 prill në Teatrin "Aleksandër Moisiu" në Durrës, për të vijuar në Teatrin "Skampa" të Elbasanit. Në koncerte do të interpretojnë studentë e profesorë të festivalit.