Dajti: Garda tejkaloi kompetencat më 21 janar
Garda ka tejkaluar kompetencat pasi ka qëlluar në drejtim të turmës me armë luftarake. Ish-kreu i Policisë Bashkiake, Zyhdi Dajti, ka bërë këtë deklarate, pas dëshmisë që ka dhënë në gjykatë në procesin për 21 Janarin. Për rreth 60 minuta, Dajti ka rrëfyer para Gjykatës në lidhje me ngjarjen e rëndë të 17 muajve më parë, ku mbeten të vrarë katër protestues të opozitës, raporton Vizion Plus. Ai ka treguar se në 21 Janar ishte vënë në mbrojtje të institucioneve dhe qytetarëve të Tiranës, ndërsa së bashku me deputetë të tjerë socialistë dhe drejtues të policisë së Tiranës, ishin angazhuar në largimin e turmës, pasi kishin parë se Garda kishte nisur të qëllonte me armë luftarake.
Mua më kanë marrë oficerët e lartë të policisë që të qetësoja situatën dhe unë u përpoqa që demonstruesit të mos hynin në kryeministri. Kisha afër deputetin Besnik Bare, Saimir Tahiri dhe Artan Gaçe dhe së bashku u përpoqëm të qetësonim qytetarët. Unë kuptova që plumbat ishin të vërtetë jo vetëm nga zhurma, sepse kam qenë vete gardist, por sepse degë pemësh filluan të thyheshin, kujtoi Dajti, një ndër ata dhjetëra dëshmitarë okularë që do të dëgjohen në gjykatë.
I pyetur në lidhje me praninë e të pandehurit Agim Llupo në ambientet e Kryeministrisë, ish-kreu i Policisë Bashkiake deklaroi se fillimisht kishte dyshuar se mund të kishte qenë ai, por më pas këtë e kishte verifikuar nëpërmjet medias. Ndërsa dëshmitari i dytë qe dha shpjegime para gjykatës ishte Erald Bisha, i cili gjatë protestës mbeti i plagosur. Dëshmitari tha para gjykatës se plumbat i kishin ardhur nga Kryeministria, pa qenë në gjendje të shquante se kush e kishte qëlluar.