Vritet me shtatë plumba Bledar Balliu
Një vrasje ka tronditur të mërkurën në mbrëmje Tiranën. Pak a shumë në të njëjtin vend ku u ekzekutua Aleksandër Koliçi, është ekzekutuar edhe Bledar Balliu, të dy personazhe të njohur të krimit në Tiranë. Ata janë arrestuar më parë në kuadër të një operacioni të quajtur Poter-AL, që vuri në pranga anëtarë të një grupi të fuqishëm të trafikimit të narkotikëve. Balliu dhe Koliçi ishin mes tyre. Por edhe pse operacioni u krye në vitin 2006 dhe ata morën nga 12 vite dënim, përfituan nga manovrat në gjykatë dhe dolën shumë shpejt jashtë burgut. Brenda në burg mes tyre kishte pasur përplasje për shkak se Koliçi kishte pranuar të bashkëpunonte me drejtësinë. Koliçi u ekzekutua para pak kohësh. Balliu u akuzua për këtë vrasje, por shumë shpejt akuza ra për shkak se nuk u siguruan prova. Ndërkohë që të mërkurën Balliu, i cili po shihte ndeshjen mes Portugalisë dhe Spanjës, u thirr në telefon të dilte jashtë lokalit ku ndodhej. Pasi ka dalë, është qëlluar me shtatë plumba.
