E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dajti: Policia më vodhi 150 mijë euro pas arrestimit

TIRANË - "Kisha 150 mijë euro me vete. Prisja të paguaja diçka. Këto para nuk janë asgjëkund, në asnjë procesverbal të policisë apo prokurorisë, ato më janë vjedhur nga policia"


Ky pretendim i autorit të masakrës së Durrësit, konfirmohet nga burimet zyrtare pranë Gjykatës së Krimeve të Rënda, e cila dy ditë më parë shqyrtoi kërkesën e institucionit të akuzës për vleftësimin e arrestit dhe caktimin e masës së sigurisë ndaj Dajtit.


Sipas këtyre burimeve, mësohet se i arrestuari Dajti edhe pse i shtrirë në barelën e urgjencës së Spitalit të Burgut, në fjalën e tij të mbajtur para gjyqtares së masave Marsela Balili, dy prokurorëve të çështjes, Eugen Beçi e Ardian Nezha si dhe të avokatit të caktuar kryesisht Remzi Ponari, ka drejtuar akuzën e vjedhjes së parave nga uniformat e policisë.


Pretendimi i tij, zyrtarisht mbetet një gënjeshtër. Në procesverbalet e ngjarjes janë pasqyruar vetëm 13 kartmonedha 500 euroshe dhe 30 mijë lekë të reja.


Prokurorët e çështjes, pasi ai e përsëriti disa herë pretendimin për shumën e eurove, i kanë kërkuar Dajtit, të japë prova apo dëshmi që këto para i kishte me vete. Gjithashtu, përveç kësaj, prokurorët Nezha dhe Beçi bashkë me gjyqtaren e masave Balili e ftuan të arrestuarin Dajti t'i drejtohet Prokurorisë së Rrethit Tiranë me një kallëzim përkatës.


"Në vendngjarje, policia dhe prokuroria ka sekuestruar në çantën tuaj vetëm 13 copë nga 500 euro, 30 mijë lekë të reja në prerje të ndryshme, 10 celularë, 15 karta SIM dhe disa letra me mbishkrime të ndryshme, fjali e numra. Policia dhe prokuroria në këqyrjen e vendit të ngjarjes nuk ka gjetur dhe sekuestruar asnjë shumë të tillë që i arrestuari Dritan Djati pretendon.


Nëse ka prova për këto që thotë, e ftojmë t'i paraqesë në Gjykatë sot apo në vazhdim ose t'i drejtohet prokurorisë së kryeqytetit me një kallëzim penal për "vjedhje" dhe ata e nxjerrin përfundimin e këtij pretendimi pas një hetimi paraprak",- tha prokurori.


Edhe vetë gjyqtarja, para se të shprehet me vendimin e vleftësimit të arrestit dhe caktimit të masës së sigurisë, e ftoi të arrestuarin të japë prova për këto pretendime ose t'i drejtohet prokurorisë me një kallëzim.


Pas këtij debati, i arrestuari Dajti nga brenda kafazit të hekurt të sallës së gjyqit u shpreh se "në ditët në vazhdim, me konsultimin që do bëj me avokatin tim do të vendos se çfarë rruge do të ndjek".


Të gjitha këto debate, mësohet se janë zhvilluar në seancën gjyqësore të vleftësimit të arrestit dhe caktimit të masës së sigurisë dy ditë më parë në sallën nr.2 të Gjykatës së Krimeve të Rënda, ku vetë i arrestuari kishte kërkuar të sillej ashtu i shtrirë e i lidhur me barelë.


Dajti, policët nuk janë identifikuar, mendova se janë grabitës

TIRANË- Ashtu siç pritej edhe ndodhi. I arrestuar për vrasjen e katër policëve Dritan Djati në mbrojtjen e tij para gjykatës, për akuzat e vrasjes së agjentëve të policisë, pretendoi se nuk e dinte që qëlloi mbi policë.


"Nuk i njihja personat që më erdhën me pistoleta në dorë dhe me maska. Mendova se janë grabitës dhe donin të m'i merrnin 150 mijë eurot që kisha me vete për atë qëllim reagova ashtu",-ka deklaruar në sallën e gjyqit Dajti i shtrirë në barrelën e mjekëve.
Mesa kuptohet, kjo do të jetë edhe strategjia e mbrojtjes që i dënuari me 25 vjet burg Dajti do të ndjekë gjatë fazës hetimore dhe më pas para togave të zeza.


Kjo do të vështirësojë prokurorinë në lidhje me interpretimin ligjor të veprës penale të kryera nga Dajti, atë të "vrasjes në rrethana të cilësuara", për shkak detyrës së policëve.
Prokurorët e çështjes këmbëngulin se kanë siguruar prova materiale dhe dëshmi të personave që kanë qenë në vendngjarje, që e rrëzojnë pretendimin e Dajtit.


Sipas prokurorëve, agjentët e policisë janë prezantuar si të tillë, duke i kërkuar të zbriste nga makina. Gjithashtu, përveç këtij prezantimi prokurorët nënvizuan se njëri nga agjentët e vrarë nga dora e Dritan Dajtit kishte të veshur një xhup me mbishkrimin "Policia" dhe njëri nga agjentët e tjerë ishte i veshur me jelekun antiplumb ku në gjoks shkruante "policia".


Edhe pse prokurori pretendon se këto justifikime të Dajtit janë të pabaza, ekziston rreziku që mbrojtja të pretendojë se kualifikimi i veprës penale është i njëjtë si në rastin e të arrestuarit Ilir Paja, i cili pretendon se nuk kishin shenja dalluese personat civilë me maska në kokë që kishin tentuar ta ndalonin.


TIRANË- I shtrirë në barelë dhe i lidhur me zinxhirë brenda kafazit të hekurit të sallës së gjyqit, Dritan Dajti binte në sy me gjymtyrët e tij dhe fytyrën e nxirë nga plazhi. Mesa duket, i dënuari me 25 vjet burg për vrasjen e biznesmenit Agim Beçja dhe për arratisjen nga Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë në nëntor të 2003 edhe pse i shpallur në kërkim kishte vazhduar jetën normalisht, duke bërë edhe plazh.


Kjo lë të dyshosh se Dajti lëvizte i lirë prej kohësh nëpër Tiranë e Durrës. Ndoshta edhe banesa të cilën e kishte blerë buzë detit e ka ndihmuar që mos të binte në sytë e inspektorit të zonës i cili kishte për detyrë të mbikëqyrte zonën e plazhit ku ai kishte blerë shtëpinë, pak metra larg rrugës që të shpie tek pista "Iliria".


Dajti me deklarimin e tij në gjykatë për paratë e sekuestruara, duke ngritur pretendimin për zhdukjen e një sasie eurosh, shtoi edhe fjalinë që "300 mijë lekët, i kisha për lekë plazhi". Pra kishte ditë që merrte rreze i patrazuar.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›