Dajti, akuza të tjera policisë. Dialogu i plotë, ja si tallet me drejtësinë
Tiranë- I akuzuari i drejtësisë shqiptare Dritan Dajti ka vijuar edhe sot me hapjen e kutisë së ‘Pandorës’, siç i quan ai rrëfimet mbi disa vrasje, që sipas tij kanë për autor vetë uniformat blu.
Dajti tha sot në gjykatë se në vrasjen e dy policëve në Tropojë ka gisht ish-shefi i grupit të ndërhyrjes për kapjen e tij, Arjan Muça. Dajti ka ripërsëritur sërish pretendimet se efektivin Duçkollari se ka vrarë ai, por kolegët e tij pas shpine.
Sakaq seanca e rradhës për Dritan Dajtin është shtyrë për 24 korrik, sepse ai është larguar sërish nga salla duke u tallur me drejtësinë shqiptare me pretendimin se s’ka avokatë mbrojtës.
Ndërkohë avokatët e caktuar nga gjykata Shametaj dhe Tafani nuk pranuan asnjëri mbrojtjen e Dajtit, njëlloj si një duzinë avokatësh që s’kanë pranuar ta mbrojnë.
Deklaratat e Dajtit në seancën e sotme në Gjykatën Krimeve të Rënda:
Gjykata- Verifikojmë prezencën e palëve. Eshtë paarqitur i pandehuri. Konstatohet prania e dy avokatëve kryesisht të kërkuar nga gjykata, avokatët Elton Shametaj dhe Erjon Tafani. Konstatohet prania e prokurorit. Avokat jeni caktuar mbrojtës kryesisht në seancën e kaluar kur i pandehuri u largua nga salla. Numrin e licensës dhe NIPT-in.
Avokati E.Shametaj- I nderuar zoti gjykatës, jam njoftuar për gjyqin Dajti, unë refuzoj…
Gjykata- Na jep NIPT-in njëherë…
Avokati E.Shametaj- A mund ta them një moment tjetër, në një moment të mëvonshëm. Pra unë refuzoj mbrojtjen për të pandehurin, pasi kam patur konflikt të hershëm me familjarët e Dajtit.
Gjykata- Po…
Avokati 2, E.Tafani: E nderuar gjykatë, siç e kam paraqitur në kërkesën me shkrim, po jua them edhe këtu në sallë, nuk mund të jem përfaqësues kryesisht për Dajtin. Arsyet janë: Së pari unë paraqita në Dhomën Kombëtare të Avokatisë një kërkesë për të qënë në listën kryesisht, por më pas në maj të këtij viti unë fitova konkursin për përmbarues privat, kështu që bëra një kërkesë të dytë për të mos qenë më në këtë listë. Tjetra është se unë nuk kam ushtruar asnjë ditë profesionin e avokatit, pra nuk kam përfaqësuar asnjë çështje penale. Dua ta shënoni edhe këtë argument. Përfundimisht nuk marr përsipër mbrojtjen.
Gjykata- Atëherë meqë nuk merrni përsipër mbrojtjen, largohuni, lëvizni që aty.
Gjykata- Paraprakisht, relatojmë se para gjykatës është është sjellë një vendim i Gjykatës së Lartë në të cilën rrëzohet kërkesa për përjashtimin e trupës gjyqësore nga çështja Dajti, të administrohet kjo gjë.
D.Dajti- Me leje zoti kryetar
Gjykata- Një minutë… gjyakta relaton se jemi në momentin procedurial.
D.Dajti- Kërkoj të deklaroj, ose të bëj dy kërkesa: Së pari lidhur me kërkesën time të herëpashershme që gjykata të më krijojë mundësinë, të më gjejë avokat.
Gjykata- Tjetër çfarë kërkoni?
D.Dajti- Kërkoj edhe një pajisje që të dëgjoj rregjistrimin audio që bëhet këtu në sallë, në këtë gjyq, pasi në qeli më thonë se duhet të jepni një vendim ju.
Prokurori- E ftoj të pandehurin Dajti që, meqë kërkon këtë të rregjistrimit audio, të kërkojë edhe të filmohet. Ai, e nderuar gjykatë, mund të kërkojë shumë gjëra, por ju garantoj se është i pandehuri më i privilegjuar i drejtësisë shqiptare.
Gjykata- Gjykata atëherë kontstaton se i ka përmbushur detyrimet e saj duke i vënë në dispozicion procesverbale, si dhe të gjitha CD audio të gjyqit.
D.Dajti- Me leje, kërkoj të shënohet në seancën e sotme ajo që prokurori tha për privilegjimin tim nga drejtësia, ai e tha por sekretarja nuk e shkroi, është njësoj sikur me jepni samarin, por jo gomarin.
Gjykata- Me kujdes…
D.Dajti- Nga fshati jemi, s’marrim vesh gjë.
D.Dajti- Përsa i përket deklarimit të prokurorit, jo vetëm që nuk jam privilegjuar nga policia dhe burgjet, por karshi meje janë bërë veprime të paligjshme.
Prokurori- Me leje…këto fraza skanë lidhje me gjyqin. Po ka shkelje i pandehuri tua thotë organizmave të tjera, s’kanë lidhje me gjyqin.
Gjykata- Po i pandehur, deklaro nëse do të deklarosh , cfarë ke për të thënë për gjyqin, këto që thua, ka mekanizma të tjera.
D.Dajti- Lidhur me procesin gjyqësor, sapo më treguat se ligji nuk është i barabartë, prokurori e bëri deklaratën kurse mua smë lini, se prokuroria ka bërë veprime të kundraligjshme dhe ju i keni mbajtur ison.
Gjykata- Ule zërin, ule tonin, i pandehur ty po të dëgjojmë.
D.Dajti- Po, faleminderit, atëherë vijoj deklarimin tim për S.Duçkollarin
Gjykata- Me avash.
D.Dajti- S. Duçkollari u qëllua pas shpine nga F.G. unë si i pandehur kërkoj që të pranohet kërkesa ime për tu ballafaquar me F.G. Unë si i pandehur po u pranua kërkesa e F.G vjen këto ballafaqohet, në çdo kohë e në çdo vend, jam i gatshëm të vijoj pastaj gjykimi pa avokat nëse F.G vjen për ballafaqim, por kam edhe një kusht tjetër, që të kem rregjistrimet t’i dëgjoj, edhe tjetra të jetë edhe media këtu. E kërkoj këtë ballafaqim pasi gjyqtarja Nertina Kosova kur ai ishte ma hoqi të drejtën që ta pyesja.
Së dyti është prenduar se ka një ekspertizë që më bën mua fajtor, por unë pretendoj dhe sfidoj këdo dhe kurdo se nuk ka patur dhe nuk ka asnjë ose ndonjë ekspertizë, ekspert apo çfarëdolloj që të ketë arritur në konkluzionjin se Dajti ka vrarë S.Duçkollarin. Kam për këtë të gjitha provat, balistike dhe kimike, ai është vrarë pas shpine nga kolegu i tij. Dua të them se e vërteta e vrasjes së tij është krejt ndryshe, të gjitha provat shkencore vërtetojnë këtë gjë. Jua kujtoj sërisht eksprtizën numër 318.
Gjykata- Sjemi në këtë moment proceduriaal…
D.Dajti- E di, e di, që është radha e prokurorisë për të sjellë prova por ky aktekspertim tregon se S. Duçkollari u vra pas shpine, në trupin e tij ka tre qitje, në drejtimin e kundërt. Vrima e shkaktuar nga qitja është tetë milimetra. Këtë vrime nuk e shkakton asnjë armë tjetër përveç kallashnikovit.
Gjykata- Po…
D.Djati- Kaq. Bazuar në KPP, unë si i pandehur kërkoj të largohem me vullnet të plotë nga salla e gjyqit, duke qenë se avokatë s’ka.
Gjykata- Erdhën avokatë por nuk morën përsipër mborjtjen i pandehur.
D.Dajti- Dakord, ashtu të shkruhet. Dua t’ju kujtoj se nuk kam harruar që do flas për vrasjen e dy policëve, kur ju keni qenë gjyqtar në Tropojë dhe Arjan Muça oficer. Unë po iki! Mirupafshim.
Prokurori- S’jam i qartë e nderuar gjykatë, i pandehuri edhe kërkoj të vijojë gjykimi se do bëjë deklarime, edhe do për ballafaqim F.G, edhe ikën. Ju duhet të saktësoni zoti gjyqtar cfarë kërkon saktësisht i pandehuri. Mendoj që nga ana juaj duhet të mbahet një qëndrim sepse po kthehet pjesë e debatit gjyqsor. F.G. Ka qenë në gjykatë, është konsumuar kjo fazë. Po flitet për një njeri që është pjesë e strukturave shtëtërore, akoma është pjesë e grupit operacional, atij njeriu po i thuhet emri mbiemri. Megjithatë ju e dini, unë si prokuror kërkoj të pezullohen afatet e paraburgimit meqë i pandehuri u largua dhe gjyqi shtyhet për të.
Vendim: Gjykata e këshilluar në vend, e ndodhur në kushtet kur i pandehuri u largua, vendos të caktojë avokat të tjerë nga lista kryesisht. Gjykata vendos të njoftojë Këshillin e Lartë të Drejtësisë dhe Ministrinë e Drejtësisë. Procesi caktohet për në datën 24 korrik 2013 ora 12.