Dajti në gjyq me 11 akuza, bie gjobëvënia
KËRKESA
Prokuroria mbylli hetimin ndaj të akuzuarit për vrasjen e katër policëve gjatë operacionit për arrestimin e tij
Nuk provohen gjobëvëniet. Mister kush plagosi Dajtin dhe identiteti i bashkëpunëtorit të tretë
TIRANË- Prokurorisë së Krimeve të Rënda në kryeqytet, iu deshën katër muaj kohë për të përpiluar 53 procesverbale e 40 akt-ekspertime të ndryshme si dhe një sërë provash të tjera materiale, për të zbardhur ngjarjen ku Dritan Dajti vrau katër efektivë policie, shokun e tij dhe plagosi një kalimtar të rastit.
Ky lajm konfirmohet nga burimet zyrtare të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, ku dy prokurorët e çështjes, Ardian Nezha e Eugen Beçi, përfunduan fazën hetimore dhe dorëzuan dosjen penale. Tashmë pritet që kancelaria e Gjykatës së Krimeve të Rënda të caktojnë trupën gjykuese, e cila do ta gjykojë dosjen voluminoze me shtatë fashikuj hetimorë.
Sipas kërkesës për gjykim me nr. 62 që "Shekulli" ka siguruar një kopje, prokurorët e çështjes, Nezha e Beçi, tregojnë me detaje të gjitha lëvizjet e oficerëve të policisë që tentuan ta arrestonin Dajtin.
Nga organi i akuzës, nuk është bërë i mundur identifikimi i personit të katërt që shoqëronte Dajtin dhe nuk është provuar se nga cila armë e policëve ka mbetur i plagosur Dajti në momentin që ky i fundit po tentonte t'i ikte policisë. Më poshtë botohet e plotë kërkesa për gjykim ndaj Dajtit, Xhoxhit dhe Muçës.
DOSJA
Kërkesë për gjykimin e procedimit penal nr 62/1 viti 2009.
Më datën 07.08.2009 Shërbimet e Sektorit të Operacioneve Speciale pranë Drejtorisë së Luftës Kundër Krimit të Organizuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, kanë marrë informacion mbi lëvizjet dhe vendndodhjen e personit në kërkim për vrasje, shtetasit Dritan Dajti. Nga kjo strukturë është organizuar puna për identifikimin, mbajtjen në vëzhgim dhe kapjen e këtij shtetasi duke hartuar dhe planet e operacionit përkatës.
Gjatë kryerjes së këtij operacioni për kapjen e personit shumë të kërkuar, shtetasit Dritan Dajti, kanë qenë të pranishëm punonjësit e policisë: Fatos Xhani, Kastriot Feskaj, Sajmir Duçkollari, Altin Dizdari (të cilët mbetën të vrarë) dhe policët me inicialet A.Xh., P.L., F.M., P.S., A.M., F.G., A.K. dhe P.H.
Pikërisht në këtë datë, këta punonjës policie kanë mbajtur nën vëzhgim të pandërprere në zonën "Iliria" në lagjen nr.13 Plazh, Durrës, shtetasin Dritan Dajti dhe rreth orës 13:45 minuta kanë konstatuar automjetin e tipit "Volksvagen Touareg" ngjyrë e zezë me targa "CR 535 FR".
Pikërisht për këtë automjet ishte marrë informacion se drejtohej nga shtetasi Ergest Xhoxhi, i cili është kunati i personit në kërkim, Dritan Dajti. Në vendin e parë të mjetit ka udhëtuar shtetasi Ledjon Mara dhe në sediljen e pasme të mjetit ka qenë shtetasi Dritan Dajti.
Pas konstatimit të këtij automjeti, grupi operacional ka vazhduar ndjekjen për mbajtjen në vëzhgim dhe kapjen e këtyre personave. Në një moment rreth orës 13:50 min të datës 7 gusht 2009 ky automjet ka ndaluar në afërsi të kryqëzimit që të çon për tek pista e vogël "Iliria".
Në këtë moment grupi operacional është afruar në drejtim të mjetit tip "Touareg " me tre automjetet e tyre dhe më konkretisht me makinën tip "golf" ngjyrë blu brenda së cilës kanë qenë punonjësit e policisë A.Xh. dhe P.S..
Në automjetin e dytë tip "Ford festa" ngjyrë jeshile kanë qenë punonjësit e policisë Kastriot Feskaj dhe F.M. Ndërsa në mjetin e tretë tip "Renault" ngjyrë gri kanë qenë efektivat P.L., F.G. dhe Sajmir Duçkollari. Ndërsa punonjësi i policisë Altin Dizdari është afruar tek mjeti "Touareg" me një motor tip skuter ngjyrë bezhë.
Sapo janë afruar tek mjeti "Touareg", punonjësi i policisë Fatos Xhani ka hapur derën e parë të shoferit të mjetit tip "Touareg" dhe me thirrjen "ndal policia!" i është drejtuar personit që ndodhej në sediljen e pasme të mjetit.
Menjëherë nga ana e personit që ndodhej brenda mjetit është hapur zjarr në drejtim të Fatos Xhanit duke e lënë të vdekur atë. Po nga brenda makinës nga i njëjti person është hapur zjarr nga krahu i djathë i makinës sedilja e pasme nga brenda jashtë me dy armë zjarri ku për pasojë ka mbetur i vrarë punonjësi i policisë Sajmir Duçkollari.
Ndërkohë efektivët e policisë P.S. dhe Kastriot Feskaj janë përpjekur të neutralizojnë tre persona që qëndronin në këmbë pas mjetit tip "Touareg" në momentin kur forcat policore hynë në veprim. Polici P.S. ka neutralizuar për momentin një djalë të ri të moshës rreth 25 vjec, 1.80 metër i gjatë të cilin e ka rrëzuar në tokë.
Punonjësi i Policisë F.M. ka neutralizuar dhe prangosur shtetasin Erges Xhoxhi të cilin ka tentuar ta largojë nga vendi ku po zhvillohej ngjarja pasi kishte shumë të shtëna me armë zjarri. Personi i kapur nga polici P.S. ka mundur t'i largohej këtij të fundit dhe në ndjekje të tij është vënë polici Kastriot Feskaj duke u futur në një rrugicë e cila është paralel me rrugën ku kishte ndaluar mjeti "Touareg".
Personi që qëlloi nga brenda "Touareg-ut" dhe vrau dy punonjësit e policisë Fatos Xhani dhe Sajmir Duçkollari, doli nga dera e pasme e mjetit krahu pas shoferit dhe menjëherë ka hapur zjarr në drejtim të punonjësit të policisë Altin Dizdari në distancë të afërt. Nga shkëmbimi i zjarrit pikërisht në mesin e kryqëzimit ku po zhvillohej ngjarja ka mbetur i vrarë polici Altin Dizdari si dhe shtetasi Ledion Mara i cili ishte i shoqëruar me Ergest Xhoxhin.
Pasi ka kryer këto veprime personi që doli nga makina vazhdoi rrugën në drejtim të plazhit me një çantë që kishte krahë qafë. Me pistoletën që mbante në dorë personi ka qëlluar dy herë në drejtim të P.S. i cili kishte mbetur i rrëzuar në mesin e rrugës për në plazh në momentin që po përleshej me personin që arriti të largohej. Personi që u largua u ndoq nga Kastrioti dhe në hyrje të rrugicës së dytë Kastrioti ka arritur ta neutralizojë këtë person.
Pasi ka parë këtë skenë personi që kishte pistoletën në dorë (Dajti) i është afruar nga pas policit Kastriot Feskaj duke e qëlluar këtë dy herë nga pas. Personi i neutralizuar (i paidentifikuar akoma) arriti të largohej nga vendi i ngjarjes dhe nuk është bërë e mundur kapja dhe identifikimi i tij.
Personi që kishte pistoletën në dorë (Dajti) pasi ka qëlluar Kastriotin ka vazhduar rrugën drejt plazhit dhe ka qëlluar dhe në drejtim të shtetasit Fatos Shamku (i mitur) i cili po kthehej nga plazhi dhe ishte kalimtar i rastit. Në ndihmë të këtyre punonjësve të policisë kanë ardhur dhe efektiva të tjerë policie të cilët kanë bërë të mundur neutralizimin e Dajtit me pistoletë në dorë.
Pranë tij është afruar polici P.S. i cili ka arritur ta prangosë. Në këtë moment personi i prangosur është vetë identifikuar si Dritan Dajti. Gjatë veprimeve të kryera është konstatuar se arma që kishte në dorë Dritan Dajti nuk kishte më fishekë.
Ai rezultoi të ishte i plagosur dhe për këtë arsye është transportuar nga Policia në drejtim të Spitalit Rajonal Durrës. Në çantën që ai mbante krah qafë u gjetën dhe sekuestruan disa sende dhe dokumente personale të tij si dhe një krehër pistoletë me fishekë.
Nga kjo ngjarje siç edhe shpjeguam më lart, kanë mbetur të vrarë me armë zjarri punonjësit e policisë Fatos Xhani, Altin Dizdari, Sajmir Duckollari, Kastriot Feskaj dhe shtetasi Ledjon Mara, si dhe janë plagosur i arrestuari Dritan Dajti dhe shtetasi Fatjon Shamku. Gjatë këtij operacioni policie është bërë e mundur të arrestohet shtetasi Ergest Xhoxhi kunati i të arrestuarit Dritan Dajti.
Gjithashtu gjatë hetimit të këtij procedimi penal është arritur të provohet se shtetasi Dritan Dajti ka falsifikuar dhe ka përdorur tre dokumente policie. Ndërsa në bashkëpunim me shtetasin Ergest Xhoxhi ai ka falsifikuar dhe ka përdorur dokumentet e mjetit tip "Volksëagen Touareg" me targa CR 535 FR.
Siç edhe shpjeguam, shtetasi Dritan Dajti me veprimet e tij të kundraligjshme ka konsumuar veprën penale të "Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese" me pasojë vdekjen e katër punonjësve të policisë si dhe vrasjen me dashje në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave me pasojë vdekjen e shtetasit Ledion Mara dhe plagosjen e shtetasit Fatjon Shamku.
Nga hetimi i këtij procedimi penal është arritur të provohet se shtetasi Ergest Xhoxhi, ka përkrahur të pandehurin Dritan Dajti, duke e transportuar atë nga një banesë në tjetrën si dhe duke i siguruar kushte për tu fshehur dhe për tu strehuar me qëllim që Dritan Dajti t'i shpëtojë kapjes dhe arrestimit, kjo falë lidhjeve familjare që Ergest Xhoxhi kishte me Dritan Dajtin pasi Dritani rezulton te jetë burri i motrës së Ergest Xhoxhit.
Gjithashtu gjatë hetimit të këtij procedimi penal është arritur të provohet se shtetasi Ergest Xhoxhi në bashkëpunim me shtetasin Dritan Dajti ka falsifikuar dhe ka përdorur dokumentet e mjetit tip "Volskwagen Touareg" me targa CR 535 FR mjet me të cilin lëvizte shpesh Dritan Dajti.
Siç ka rezultuar dhe nga veprimet e kryera në kuadër të këtij hetimi paraprak i arrestuari Ergest Xhoxhi ka përkrahur në mënyrë të vazhdueshme të kërkuarin Dritan Dajti me qëllim t'i shpëtojë kapjes dhe arrestimit të tij.
Në vend ngjarje, përveç të tjerave, është sekuestruar dhe një aparat telefoni celular me numër 06943....që i përket të arrestuarit Ergest Xhoxhi.
Nga këqyrja e këtij aparati telefoni por dhe nga marrja e të dhënave analitike nga Kompanitë e telefonisë celulare ka rezultuar se ky shtetas, pra Ergest Xhoxhi, kishte kontakte telefonike të shpeshta me punonjësin e policisë Mariglen Muçaj në numrin e telefonit celular 0694111... (telefoni i punës).
Gjithashtu po nga këto të dhëna të përftuara prej këqyrjes së telefonit celular të të arrestuarit Ergest Xhoxhi ka rezultuar se ky shtetas ka pasur kontakte dhe me disa punonjës të tjerë policie.
Për këtë arsye, nga ana jonë hetimi u përqendrua në verifikimin e lidhjeve dhe marrëdhënieve të të arrestuarit Ergest Xhoxhi me këta punonjës policie.
Pas pyetjes së të gjithë punonjësve të policisë që kishin kontakte telefonike me të arrestuarin Ergest, ka rezultuar se punonjësi i policisë Mariglen Muçaj ka pasur lidhje të ngushta shoqërore me të arrestuarin Ergest Xhoxhi.
Jo vetëm kaq por duke iu referuar dhe të dhënave të përftuara nga shpjegimet e punonjësve të policisë të pyetur nga ana jonë ka rezultuar se oficeri i Policisë, shtetasi Mariglen Muçaj, ka bërë të mundur t'i sigurojë Ergest Xhoxhit një uniformë policie, uniformë të cilën Ergesti dhe kunati i tij, i pandehuri Dritan Dajti e ka përdorur për të realizuar disa dokumente policie me foton e tyre.
Nga hetimi ka rezultuar se në këto dokumente policie i pandehuri Dritan Dajti ka përdorur foto të realizuar me uniformën e policisë që oficeri i policisë Mariglen Muçaj i kishte dhënë Ergest Xhoxhit që në muajin mars të viti 2008 .
Nga hetimi ka rezultuar se këtë uniformë policie oficeri i policisë Mariglen Muçaj e kishte tërhequr në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Korçë në kohën kur ai ishte oficer policie në atë Drejtori.
Gjithashtu është provuar fakti se në fotot e dala me uniformë policie nga i pandehuri Dritan Dajti dukshëm dallohet grada nënkomisar që i përket gradës më të cilën është i graduar oficeri Mariglen Muçaj.
Dhe në fletëhyrjen dokument identifikimi lëshuar nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Korçë me emrin Astrit Zeneli dhe me fotot të të pandehurit Dritan Dajti funksioni organik është i njëjtë me funksionin që ka pasur ne Korçë dhe ka aktualisht ne D.P.Q Durrës oficeri Mariglen Muçaj konkretisht "Specialist në sektorin kundër Krimeve ndaj pronës".
Pra nga hetimi i këtij procedimi arritëm të provojmë se oficeri i policisë, Mariglen Muçaj, me veprime në kundërshtim me ligjin i ka krijuar lehtësira të arrestuarve Ergest Xhoxhi dhe veçanërisht personit shumë të kërkuar Dritan Djatit që t'i shmangej kapjes dhe arrestimit të tij përmes krijimit të kushteve për të fshehur identitetin dhe pozitën ligjore të tij.