Basha: Brenda gushtit 2010, Shqipëria me sistem evropian adresash
Nëse më parë gjetja e një vendndodhjeje të caktuar në një zonë që nuk njihej mirë ishte shndërruar në një problem të madh për një shtetas shqiptar, brenda muajit gusht të vitit 2010 gjithçka do të ketë një zgjidhje. Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, deklaroi se Shqipëria brenda gjashtë muajve do të ketë një sistem modern evropian të adresave. “Shqipëria brenda muajit gusht 2010 do të ketë një sistem modern evropian, elektronik, të adresave, të ndërlidhur me Regjistrin Kombëtar Elektronik të Gjendjes Civile. Për çdo shtetas shqiptar që figuron në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile do të korrespondojë një adresë e saktë në Regjistrin Kombëtar Elektronik të Adresave”, - u shpreh Basha gjatë konferencës për modernizimin e sistemit të adresave, organizuar në bashkëpunim me OSBE-në, ku u paraqit ecuria e deritanishme e projektit dhe detyrat për t’u realizuar deri në përfundimin e plotë të tij.
Numri një i Ministrisë së Brendshme shtoi se do të vihen në funksion të realizimit të këtij projekti të gjitha njohuritë, energjitë dhe financat e nevojshme, në mënyrë që projekti të zbatohet në përputhje me praktikat më të mira në të gjithë Shqipërinë. Basha tha se nëpërmjet përgatitjes së gjithë infrastrukturës ligjore në më pak se një vit, gjatë vitit 2008 u arrit që në bashkëpunim me qeveritë vendore të emërtoheshin pjesët publike të territorit.
Nën mbështetjen e fuqishme të Kryeministrit, projektit iu vunë në dispozicion materialet e fotografimit ajror të territorit, që zyrat e urbanistikës në njësitë e qeverisjes vendore të mundësojnë. Tashmë, janë siguruar të gjitha pajisjet e nevojshme që do të bëjnë të mundur realizimin e këtij procesi brenda afatit të përcaktuar kohor.
“Ministria e Brendshme ka siguruar të gjitha pajisjet hardware dhe software, duke krijuar kështu infrastrukturën e nevojshme, proces i cili ka kaluar përmes disa etapave si: vektorizimi i materialit ortofoto, evidentimi i të gjitha pjesëve të territorit publik dhe emërtimi i tyre, numërtimi i ndërtesave dhe përcaktimi i hyrjeve të tyre, përcaktimi i vendit të vendosjes së tabelave, krijimi i strukturës së bazës së të dhënave, si dhe plotësimi i saj me të dhënat përkatëse”, - deklaroi Basha.
Gjatë fjalës së tij të mbajtur në konferencë, kryetari i Delegacionit të Komisionit Evropian në Tiranë, Helmut Lohan, vlerësoi punën e deritanishme të bërë dhe theksoi nevojën e shtimit të përpjekjeve nga zyrat e urbanistikës në të gjitha njësitë e qeverisjes vendore, për të realizuar detyrat e mbetura deri në realizimin e plotë të projektit të modernizimit të sistemit të adresave.
Gjithashtu, edhe zv.ambasadorja e pranisë së OSBE-së, Renate Herrmanns, u shpreh se të gjitha njësitë e qeverisjes vendore kanë kryer një punë të madhe për realizimin e detyrave të përcaktuara për krijimin e sistemit të adresave dhe se një pjesë e mirë e tyre kanë avancuar më shumë, duke qenë tashmë fare pranë vendosjes në terren edhe të tabelave dhe emërtimeve përkatëse.
OSBE do të financojë prodhimin dhe vendosjen e tabelave në Bashkinë e Sarandës. Për këtë qëllim, gjatë kësaj konference u nënshkrua memorandumi mes OSBE-së dhe Bashkisë së Sarandës. Ndërkohë prodhimi dhe vendosja e tabelave për grupin e parë të bashkive të mëdha të Shqipërisë, konkretisht në 10 bashki, do të financohet nga Banka Botërore nëpërmjet projektit LAMP. Numërtimi i banesave në të gjithë Shqipërinë parashikohet të përfundojë në mars të vitit të ardhshëm, ndërsa procesi i plotë përfundon në muajin gusht 2010, nga ku të gjitha qytetet shqiptare do të kenë një sistem modern evropian, elektronik, të adresave, të ndërlidhur me Regjistrin Kombëtar Elektronik të Gjendjes Civile.