Dajti përsërit për prokurorët: mendova se ishin grabitës
Dje për herë të parë i akuzuari për masakrën e 7 gushtit ndaj katër efektivëve të policisë është pyetur nga prokurorët e çështjes
I akuzuari mohoi dje të ketë parë veshje me mbishkrimin "POLICIA", duke pretenduar se nuk i kishte njohur viktimat
TIRANË- Prokuroria e Krimeve të Rënda në kryeqytet, 38 ditë pas vrasjes së pesëfishtë të ndodhur në zonën e plazhit në qytetin e Durrësit, mori në pyetje dje autorin e kësaj masakre, të dënuarin me 25 vite burg në mungesë, Dritan Dajti.
Edhe dje ai i qëndroi alibisë së tij, se kishte menduar se policët me maska janë grabitës. Kjo konfirmohet nga burime pranë Prokurorisë së Përgjithshme dhe Drejtorisë së Burgjeve, që kanë në varësi Qendrën Spitalore të Burgut.
Sipas këtyre burimeve, prokurorët e çështjes Ardian Nezha e Eugen Beçi dhe një oficer i Policisë Gjyqësore, si dhe mbrojtësi i Dajtit, Arben Qeleshi, kanë "zbarkuar" mesditën e djeshme në njërën nga dhomat e katit të parë të Spitalit të Burgut, duke marrë në pyetje për rreth 45 minuta "vrasësin" e pesëfishtë.
Seanca e marrjes në pyetje e të akuzuarit Dajti, është zhvilluar brenda dhomës ku i dënuari me 25 vite burg po mjekohet për tre plagët e marra gjatë shkëmbimit të zjarrit në operacionin e policisë së organizuar më 7 gusht të këtij vitit për kapjen e tij.
Gjatë gjithë kohës së marrjes në pyetje, mësohet se Dajti nuk ka lëvizur nga shtrati ku qëndron i shtrirë që prej ditës së ngjarjes.
Ai iu është përgjigjur pyetjeve të prokurorëve pa lëvizur, kjo për shkak se njëra këmbë i është paralizuar nga plumbi që i ka prekur shtyllën kurrizore. Sipas burimeve mësohet se i dënuari me 25 vite burg Dritan Dajti, edhe gjatë marrjes në pyetje nga prokurorët e çështjes ka vazhduar me alibinë e tij, se policët që tentuan ta arrestonin nuk i kishte njohur si të tillë.
"Ishin një grup personash që ishin me maska dhe më rrethuan tek makina. Unë kisha 150 mijë euro me vete dhe kisha frikë se do më vidhnin, pasi dukeshin si grabitës.
Për këtë shkak reagova, pasi kishin në duar armë dhe kisha frikë se po më vrisnin",- mësohet se është shprehur Dajti para prokurorëve. Ndërkohë, në lidhje me pyetjen e prokurorëve se "a kishin oficerët veshje me mbi shkrimin POLICIA", mësohet se Dajti është shprehur: Jo, nuk kam parë një gjë të tillë".
Ndërkaq, i pyetur nga prokuroria se "pse kishte qëlluar ndaj personave që po prangosnin shokët e tij", mësohet se Dajti me këshillimin e avokatit ka rezervuar të drejtën për të mos u shprehur, duke mjaftuar me fjalën "nuk kam parë pranga dhe as policë aty, të gjithë dukeshin si grabitës".
Gjithashtu, këto burime sqaruan për "Shekullin" se "vrasësi" i pesëfishtë Dajti ka shpjeguar edhe lëvizjet e tij të asaj dite, bashkë me kunatin e tij Ergest Xhoxhi dhe shoqëruesin tjetër Ledion Mara që mbeti i vrarë. Sa i përket identitetit të personit të tretë, që mendohet se po e shoqëronte Dajtin, ky i fundit është shprehur se "nuk ka pasur person tjetër. Kemi qenë vetëm unë, Ergesti dhe Ledioni".
Marrja në pyetje e Dajti, sipas burimeve pranë ekipit mjekësor të Spitalit të Burgut, ka ardhur pasi gjendja e shëndetësore e tij është përmirësuar, pa çka se në trup ka ende dy plumba të marrë nga shkëmbimi i zjarrit mesditën e 7 gushtit. Gjatë operacionit për arrestimin e tij, katër efektivë policie mbetën të vrarë dhe njëri prej shoqëruesve bashkë me Ledion Marën, një prej shoqëruesve të Dajtit.
Dyshohet si shkaktar i aksidentit ndalohet motoçiklisti
TIRANË- Arrestohet drejtuesi i motorit që dyshohet të jetë autori i aksidentit në mbrëmjen e 12 shtatorit, në autostradën Tiranë- Durrës, pranë një qendre tregtare. Jeton Deliallisi, 18 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Maminas të Durrësit është arrestuar dje rreth orës 7 : 00, nga specialistët e aksidenteve rrugore.
Sipas të dhënave zyrtare të Policisë së kryeqytetit, i riu, duke udhëtuar me motorin tip "Gilera", në afërsi të fshatit Yrshek, dyshohet se ka aksidentuar këmbësorin Saliko Kambolli, 70 vjeç, me banim në Domje të Tiranës, duke e lënë të vdekur në vend.
Nga hetimet e Policisë së Tiranës për aksidentin mësohet se viktima pasi është goditur nga motori është përplasur përsëri nga dy automjete të tjera që po lëviznin nga Tirana në drejtim të Durrësit.
Burimet e policisë saktësojnë se automjeti tip "Volsvagen", me targa TR 3750 P, drejtuar nga Avdul Zefi, pasi ka goditur 70- vjeçarin ka ndaluar në mesin e korsisë, ku si pasojë është goditur nga një tjetër automjet tip "Opel" me targa TR 0699 P, drejtuar nga Orges Çungo, 24 vjeç.
Mjeti i vjedhur në Pogradec, autori kapet në kryeqytet
TIRANË- Policia e kryeqytetit arreston një të ri i cili dyshohet se në bashkëpunim me persona të tjerë të ketë vjedhur një automjet që është gjendur në qytetin e Pogradecit. Gerald Stamolla, 20 vjeç, me banim në Tiranë është arrestuar nga blutë e Komisariatit nr. 4 mbrëmjen e së dielës, i dyshuar si autor i vjedhjes së automjetit tip"Benz 200" me targa TR 3360 A, ku është gjetur në Pogradec dhe është sekuestruar nën cilësinë e provës materiale. Sipas të dhënave të Policisë së Tiranës, 20- vjeçari dyshohet se vjedhjen e makinës e ka realizuar në bashkëpunim me dy bashkëmoshatarë të tij, të cilët janë identifikuar.
Ndërkohë, blutë e kryeqytetit po hetojnë nëse ka vjedhje të tjera që janë kryer nga i arrestuari apo nëse ka persona të tjerë të përfshirë në vjedhje. Materialet hetimore në ngarkim të 20- vjeçarit Stamolla i kaluan Prokurorisë së Tiranë, për hetime të mëtejshme, ndërsa ndaj këtij të fundit rëndon akuza e "vjedhjes e kryer në bashkëpunim".