E Diel, 1 Nëntor 2026

Roli i Zogut në konfliktin arabo-izraelit dhe frika nga spiunazhi komunist



Mbreti Zog, edhe pse e sheh të pamundur rikthimin e tij në atdhe pas vendosjes së regjimit komunist, vazhdon të mbajë kontakte me qeveritë perëndimore dhe me miqtë arabë. Ai qëndron vitet e para pas vendosjes së komunizmit në Egjipt dhe paralajmëron krerët arabë për rrezikun e spiunazhit rus. Ndërkohë Zogu përjeton shumë keq shkatërrimin e dy anijeve britanike në kanalin e Korfuzit nga minat detare, veprim ky që u trajtua nga Enver Hoxha si një prekje e territorit të Shqipërisë. Ndërkohë Zogu i çon ndjesën e tij qeverisë britanike për këtë incident. “standard” vijon botimin e kujtimeve të kolonel Hysen Selmanit, njeriut më të besuar të Mbretit

Mbreti Zog, i mërzitur nga aksidenti i anijeve

Më datën 22 tetor 1947, kryqëzorët britanikë “Saumarez” dhe “Destrojer Volage” lundruan përmes kanalit të Korfuzit dhe u ndeshën kur kundronin në mina detare. Ato e shkatërruan gati krejt atë. Dyzet e katër marinarë britanikë mbetën të vdekur në këtë ngjarje të shëmtuar e tragjike që u quajt "Incidenti i Korfuzit". Një javë më vonë, Enver Hoxha i dërgoi Organizatës së Kombeve të Bashkuara një notë ku shpallte se "Luftanijet britanike kishin shkelur ujërat tokësore të Shqipërisë, me qëllim që të shkaktonin trazira në Shqipëri". Propaganda komuniste shkoi edhe më lart, duke përhapur një deklaratë që gjoja kishte bërë komandanti i flotës britanike të Mesdheut, ku thoshte se: Luftanijet britanike kishin lundruar gjatë bregdetit të Shqipërisë me bateritë e tyre gati për të hapur zjarr. Qeveria britanike më parë shikonte për të zbuluar se kush vendosi minat në Kanalin e Korfuzit. Ajo ishte e sigurt se në pellgun e Mesdheut dhe në Detin Adriatik, ishin kryer operacionet dhe ishin pastruar minat, që fuqitë e boshtit Romë-Berlin kishin vënë me qëllim që të dëmtonin anijet aleate. Kurse luftanijet britanike "Saumarez" dhe "Volage" lundruan përmes kanalit të Korfuzit duke qenë të sigurta se nuk do të ndeshin ndonjë rrezik. Shkatërrimi që pësuan erdhi i papritur dhe admirali britanik mori menjëherë masat për të zbuluar se si ndodhen minat në ujërat e kanalit. Fakti ishte, që më 13 nëntor 1946, ishin pastruar përgjithësisht minat e u gjetën 23 mina të vendosura. Ato u pastruan krejtësisht dhe po ashtu ishin pastruar të gjitha ujërat tokësore shqiptare prej Butrintit e deri në Vlorë. Në të njëjtën kohë ishte lajmëruar qeveria shqiptare se ujërat detare janë të pastruara. Më 10 dhjetor 1946, Ministria Britanike e Jashtme i dërgoi qeverisë komuniste të Tiranës një notë ku theksonte: "Kanali i Korfuzit është një vijë lundrimi ndërkombëtare dhe mund të përdoret lirisht nga anijet e çdo shteti". Qeveria komuniste e Tiranës hodhi poshtë çdo propozim britanik se: "Britania e Madhe këtë e ka bërë me qëllim kundër qeverisë shqiptare e të tjera, për të frikësuar popullin shqiptar e jo për gjë tjetër". Qeveria Britanike, në fillim të janarit 1947, iu drejtua Këshillit të Sigurimit, por Këshilli i Sigurimit vendosi që çështja t'i dërgohet "Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës". Aty është dënuar Shqipëria, por delegati sovjetik vuri veton kundër çdo vendimi. Kjo ngjarje ka mbetur gjithmonë e ftohtë me Shqipërinë komuniste, kurse nga Britania e Madhe na presin pa masë përkrahje e ndihma jo armiqësore. Por ç'të bësh, se kjo ishte edhe një favor grek, që e pezmatonin çështjen edhe më tepër se lipsej, për të përfituar nga kjo ngjarje e shëmtuar dhe tepër tragjike. Nga kjo, Mbreti Zog ishte mjaft i mërzitur që po ngjisnin gjithmonë sende në dëmin e Shqipërisë. Gjithsesi, kjo u kushtohej komunistëve si edhe britanikëve që e kuptuan tepër vonë, pothuaj atëherë kur u mbarua puna.

ALEKSANDRI, 8 DHJETOR 1947, takimi me ish- ministrin britanik

Me këtë datë, na vjen miku britanik Excelenca e tij Emeri, ish-Ministër Britanik. Ky ishte mik i Mbretit Zog e i Mbretëreshës Geraldinë. Rreth Luftës së Dytë Botërore, Emri ishte Ministër dhe një mik i ngushtë i Mbretit Zog. Ai fliste gjuhën shqipe dhe natyrisht Mbreti dhe Mbretëresha i bënë pritjet më miqësore. Ai ishte mysafir i Mbretit Zog I dhe përveç kësaj Emeri ishte i ati i Julien Emerit. Mbreti Zog I, i tha Excelencës së Tij, Emerit: “Kam një delegacion grek, por nuk ka një besim ose një mënyrë marrëveshje. Ky është i katërti delegacion që më dërgon Marshall Papagosi. Por, të gjithë janë njësoj. Siç e shihni, sot situata greke pothuajse i përshtatet asaj të Shqipërisë në 1943-‘44 dhe do të jetë mjaft e vështirë, që të zhdukin komunizmin, sepse sot komunizmi grek, siç e dini, furnizohet nga Rusia Sovjetike dhe nga këlyshët e saj, Bullgaria, Jugosllavia e Shqipëria. Është e vështirë kur mendon se ata kanë një kufi të lirë nga Edreneja e deri në Butrint që furnizohet me të gjitha nevojat si armatim, ushqim e të tjera". Më poshtë, Mbreti i shqiptarëve, i thotë bashkëbiseduesit të tij: "Excelenca juaj e di mirë se sa u përpoqëm rreth luftës së përbashkët me grekët. Por, atyre u ishte rritur mendja e nuk donin një miqësi me ne. Ata ëndërronin më kot se do të mermin Vorio-Epirin, siç e quajnë grekët. Por, kjo është një gjë absurde, as që bisedohet deri sa grekët të heqin dorë nga këto pretendime. Duke, na garantuar me këtë rast se as anglezët dhe as amerikanët në asnjë mënyrë me ne nuk kanë ndonjë marrëveshje". Mbreti i tha Emerit, pak kohë më vonë se: "Kam edhe miqtë tuaj këtu, si Spiro Milon. Po të dëshironi e thërras të bisedoni me të. Ky në të vërtetë është shqiptar dhe nga një familje shumë e mirë nga Himara Ai është prej kapedanëve të Ali Pashë Tepelenës e që në atë kohë ka mbetur në Greqi, por i vëllai është në Shqipëri". Pas kësaj filluan bisedimin mbi situatën e krijuar në mes arabëve e hebrenj ve në Palestinë. "Situata shihet mjaft kritike. Lipset për të mos e lënë që të egërsohet më tepër. Duhet sa më shpejt që t'i biem prapa dhe duhet gjetur një mënyrë, së bashku me arabët, që të fiket ky konflikt, se arabët janë shumë të zemëruar e nuk është në interesin tuaj dhe as të Amerikës që t'i nxirrni dore 1 milion arabë, për një gjë aq të vogël. Por, po të doni mundeni për të gjetur mënyrën duke e ndarë Palestinën më dysh, në dy shtete. Natyrisht, shpenzimet e tyre i paguani dhe ju, po ashtu arabët. Për ndryshe do të shkaktosh ndonjë luftë që edhe për ju nuk do të jetë e dobishme". Excelenca e tij, Emeri i dha fjalën Mbretit Zog dhe i pohoi se kishte plot të drejtë. "Unë sa të kthehem në Londër do t'i propozoj qeverisë si mendimin e Madhërisë Suaj, po edhe mendimin tim, që këtë mos ta lëmë që të kalojë një kohë të gjatë. Duhet që të gjejnë një mënyrë dhe e vetmja prej tyre është po kjo që thoni ju, të ndahen në dy slitete dhe të jenë si njeri, po ashtu dhe tjetri të garantuar, politikisht dhe financiarisht".

Pas kësaj u morën në bisedime çështja e emigracionit. Mbreti i tha haptas Emerit se: "Kisha vendosur për t'i sjellë të gjithë këtu në Majen-Urjente. Por, tani nuk jam aspak i kënaqur dhe i kam ndaluar. Kam thirrur Petersonin, Kryetarin e Emigracionit, si edhe kam dërguar nota në vende të ndryshme".

Excelenca e tij Emeri - u përgjigj mbi sa u përkiste ngjarjeve arabe-izraelite në Palestinë: "Është e vërtetë siç urdhëroni. Këto gabime u bënë që në kohë lufte, se në atë kohë pa u instaluar mirë duhej të ishin marrë këto masa. Kjo duhej mirë si prej anglo-amerikanëve edhe prej arabëve. Sot është pak e vështirë, por unë siç ju thashë do të bëj ç'është e mundur që të gjendet një mënyrë për ta lëshuar ketë konflikt. Vetëm se edhe arabet nuk duhet që të pezmatojnë çështjen. Ata duhet që të rrinë urtë e t'i drejtohen UNE-s. Nuk i duhet dhënë shkak një ashpërsimi tjetër: se atëherë ndryshon çdo gjë e jo tjetër. Do të marrin në qafë ata një milion arabë të varfër, se izraelitët do t'i nxjerrin jashtë me ketë rast". Pastaj Emeri ka thënë: "Nesër jam në audiencë tek Mbreti Faruk. Më në fund, do i parashtroj mbi sa biseduam bashkë dhe do t'i them dhe mendimin e Madhërisë Suaj". "Po, - i tha Mbreti, - se unë ua kam thënë pa masë. E këte jo për tjetër, vetëm për të mirën e atyre. Thuaja dhe insisto në mënyrë që të mos i japin shkak kurrë një egërsimi". Dhe vërtetë, Sër Excelenca e tij, Emeri, u prit fare mirë prej Madhërisë së Tij, Mbretit Faruk. Këtë e njihte mirë, sepse Emeri ishte Ministri i Kabinetit Churchill në Luftën e Dytë Botërore. Pastaj të dy kanë biseduar gjatë e gjerë me Mbretin Faruk e janë prekur, për sa u përket ngjarjeve të Palestinës. Mbreti Faruk i ka thënë: "Po më thoni fjalët e Mbretit Zog, se edhe ai na mbyti përditë për këtë çështje". Emeri i është përgjigjur se: "Është e vërtetë që Mbreti Zog, jo vetëm mua, por me shumë këmbëngulje ka protestuar pranë qeverisë britanike për këtë çështje. Mbreti Zog është një mik i madh i arabëve, saqë nuk mund ta çmoni dot". Emeri mbeti i kënaqur nga bujaria e Mbretit Faruk. Vetëm se është shumë i tronditur dhe i egërsuar, për sa u përket Zhurifëve. Ai, na tha se do të flasë dhe me kryetarët arabë dhe të tjerë. Por, kjo është një gjë e padurueshme. Ligji arab me plot 5 nota i ka parashtruar UNE-s, se asgjë nuk është bërë. Kjo është një padrejtësi se Arabët e Palestinës nuk janë qen, por njerëz, ashtu siç janë edhe Hebrenjtë. Dhe e drejta është e barabartë". Me këto fjalë, Emeri mori leje dhe erdhi direkt tek Mbreti Zog, duke falënderuar para tij Mbretin Faruk për bujarinë e pritjen e mirë që i bëri. Dhe i tha: "Sa i përket Palestinës është shumë i egërsuar. Më duket se arabët janë të vendosur për një aksion kundër hebrenjve e kjo është një gabim i fortë".

Mbreti Zog I, iu përgjigj Ministrit Emerit: "Më erdhi shumë keq për incidentin e anijeve britanike, në kohën kur Shqipëria e populli shqiptar ka pritur e pret gjithmonë përkrahjet e ndihmat nga Britania e Madhe. Por, kjo tragjedi fatale nuk është gabim i popullit shqiptar. Ai është shkak i mendjemadhësisë së komunistëve që ju nuk mundët t' i çmonit me kohë. Kur, ne kërkonim pamasë dhe kjo tragjedi si e anijeve britanike, po ashtu komunizmi në Greqi i kushtohet mikut grek Edenit. Ai parashikonte pa u menduar mirë, për të kënaqur grekët me tokat shqiptare. "Unë kurrë nuk besoj Çurçillin për këto gjëra, se ai ishte një burrë largpamës", - i tha Mbreti, - por, të gjitha i kushtohen Edenit. Momentalisht, atij sot i lipset ta stabilizojë qetësinë greke, si edhe heqjen e komunizmit prej Shqipërisë, e cila ishte një aleate besnike e Britanisë së Madhe, por ju sot e lëshuat në zonë të influencës sovjetike. Madje, ajo “tallet" e nuk pranon të luftojë komunizmin grek, që po shkatërron qetësinë greke. Ku është tani Edeni, ai që luftonte pa masë miqtë e britanikëve. E nuk duhet harruar se vendi ishte një bahçe për Britaninë e Madhe, pra jo një rrezik. Është një mëkat miku im që u bë kështu. Ishte kjo padrejtësi dhe kështu sot Enver hoxha tallet me qeverinë britanike.

Ndërhyrja e mbretit Zog në çështjen arabo-izraelite

ALEKSANDRI, 2 SHTATOR 1949

Në këtë datë erdhi tek Madhëria e Tij, Mbreti Zog, Kryetari i Republikës Siriane, Shyqyri Kuatly, Myftiu i Reuz-Alemit, Hysen Efendiu dhe Xhemil Madam Beu. Mbreti i pranoi menjëherë, megjithëse ishte koha tepër vonë. Ishte ora 5 pasdite, kur filluan bisedimet mbi gjendjen aq kritike që u krijua në këtë luftë dhe Kryetari i Republikës Siriane, Shyqyri Kuwatly, nga humbja e luftës, kishte dhënë dorëheqjen. Tani kërkonin mendimet e Mbretit Zog se çfarë të bënin. Mbreti ju përgjigj se do të bisedojnë për çdo bisedim, por “tani është vonë se çdo gjë u mbarua në dëmin tuaj. Unë një vit u mundova, si me ju ashtu dhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me Britaninë e Madhe e Francën Bile, në këtë rrymë, pata shtyrë edhe Turqinë në favorin tuaj, por ju nuk pranuat. Kjo situatë nuk kishte nevojë për një gjykim aq të madh se shihej haptazi se Hebrenjtë, ishin të gjithë të siguruar me gjithë nevojat, si politike dhe ekonomike. Por kjo tani iku, do të bisedojmë që ç'mund të bëjmë e sonte do të jeni këtu për darkë. Kemi kohë që të sheshojmë të gjitha problemet në interes". Në bisedime e sipër, ishte gati ora 9 e mbrëmjes dhe sa u ulëm në sallën e bukës, kur na vjen Mbreti Faruk bashkë me dr. Reshatin e Qerim Sabitin. Menjëherë edhe këta u ulën në bukë dhe sa mbaruam bukën u kthyem në sallon për të pirë kafe. Aty na pyeti Mbreti Faruk, se ku e kishin bisedën, sepse ishte në dijeni për dorëheqjen e Kuatly-t. Ai iu drejtua Madhërisë së Tij: "Madhëri, erdhëm tek një mik i madh e një zheni. Sikur të kishim dëgjuar këshillat e programin e Mbretit Zog, nuk do të kishim pësuar këtë katastrofë jo vetëm me humbje, por edhe me plot turp përpara botës mbarë. Ne nuk meritojmë për asgjë në gjendjen që kemi ardhur. Pra, që të tallen me ne, dy milionë hebrenj me 50 milionë arabë. Unë jam arab, por nuk jam më Presidenti i Republikës, se nuk ka nder para popullit tim dhe as përpara trupit diplomatik. Unë jam tërhequr në Aleksandri ku do të qëndroj pranë këtij burri të madh e mik". Madhëria e Tij, Mbreti Zog, u tha: "Lipset pak me gjakftohtësi, si në fitime që nuk lipset që të gëzohet shumë, po ashtu edhe në humbje, nuk duhet të dëshpërohesh aq tepër. Por, po të mendohesh duke gjetur kohë oportune dhe tamam në kohë për të qenë të gatshëm për të përfituar. Vetëm, se lipset një gjë. Këtë ta keni parasysh gjithmonë. Të jeni të bashkuar! Mos t'ju fusin asnjë shkëndijë në mes për t'ju përçarë, se atëherë nuk fitoni asgjë dhe tani prapë si një miku juaj e më vjen keq ju them: Këtu po zhvillohet një propagandë e Rusisë sovjetike. Unë dua t'u them haptazi se ajo ka futur hundët gjithkund, si në polici, në gjithë dikasteret, e bile edhe në ushtri e ndër profesorë, e studentë të lartë. Kanë mbërritur deri në shkretëtirë të zhvillojnë propagandën e tyre dhe duke derdhur të holla. Dhe, ju vetë i ndihmoni duke kritikuar anglo-saksonët e francezët. Jo, miqtë e mi, se nuk ju bëhet vonë atyre për fjalët tuaja e as për propagandën ruse, që zhvillohet. Ata janë të fortë. Ata e kanë botën në dorë. Me ata nuk merreni vesh me forcë, vetëm me urtësi e demokraci, se në këtë mënyrë po humbni krejt simpatinë perëndimore. Pastaj më me ngadalë. Prapë, siç ju thashë, të jeni të bashkuar dhe caktoni një delegacion arab nga elementët miq të anglo-saksonëve e francezëve, që të jenë të njohur në rrymën e diplomacisë. Këta me një program demokratik e të përshtatshëm, mund të përfitojnë më tepër se ju. Mendoni po në këtë mënyrë në urtësi, por duke mos humbur simpatinë para Perëndimit. Lipset të merren masa të rrepta për të zhdukur njëherë e mire të gjithë agjentët turbullues komunistë. Do ta keni shumë zor, se jeni kompromentuar shumë thellë me këtë mikrob, si në pjesën intelektuale dhe në popull e shkretëtirë, po të doni, unë ju jap edhe fakte, e me shumicë, dhe qendra më me rëndësi të tyre janë në Kajro, Tanto, Ismailije, Aleksandri, Asuanë dhe në Luksorë, por më e tepërta është këtu në Aleksandri. Ju shoh se jeni të mërzitur nga britanikët dhe nga amerikanët e francezët. Jo miq të mi, mos kini më frikë prej tyre. Kjo luftë i zhduku kolonitë. Prej tyre vetëm do të keni përkrahje e jo dhunë. Frikë të keni agjentët rusë komunistë. Ju si muhamedanë, ju çon feja që të bashkëpunoni me demokraci e jo me komunizëm. Se, në rast që nuk bëni këtë që ju thashë, nuk do të përfitoni asnjë gjë. Mundet që t'ju firojnë Gazën, por një milion arabë ju kanë mbetur në portat tuaja dhe vendi i tyre do të aneksohet prej Izraelitëve një herë e përgjithmonë. Mos harroni se Hebrenjtë, jo vetëm që kanë përkrahjen e ndihmat anglo - saksone e franceze që ata i shpëtuan nga shpata e Hitlerit, por edhe nuk do të lejojnë kurrë që t’i cenojë askush. Ata kanë dhe influencën hebre, që sot pjesët financiare në perëndim ndodhen më tepër në duart e tyre e nuk ju mungon asgjë. Myftiu i Jerusalemit e pyeti Mbretin Zog: "Po mirë, si thoni Madhëria Juaj, se Palestina nuk ka për të na u kthyer prapë neve për pjesën tonë? Atëherë, ku është drejtësia perëndimore? Pse, lipset që ne të demarshojmë, atëherë kur nuk na jepen të drejtat tona Madhëri?". Mbreti Zog iu përgjigj: "Myfti efendi, tani është tepër vonë. Sa e sa herë, ju kam thënë që t'i këshillonit arabët mos të largohen nga vendet e tyre. Ju kam thënë se toka përfaqësohet prej njerëzish e jo prej feimsh. Unë ju thosha mos u egërsoni, por në urtësi dhe propozoni që Palestina të ndahet në dy shtete. Një arab dhe një izraelit, por të dyja nën garancinë e Aleatëve të Mëdhenj, si politikisht ashtu dhe ekonomikisht, në atë kohë kishte mundësi të bëhej. Unë kur ju flisja juve një herë, anglo-saksonëve e francezëve ju flisja 10 herë, duke ju thënë të mos humbi 1 milion arabë, por të gjeni një mënyrë të këndshme në mes jush dhe arabëve. Por, juve në atë kohë, u ishte mbushur mendja ndryshe. Unë deri turqve, u pata propozuar që të venë në favorin tuaj". E thashë miqtë e mi. Për sa i përket Palestinës, që sot e ka okupuar Izraeli me përjashtimin e Gazës, nuk besoj që ajo të lirohet. Ajo është pothuaj e aneksuar prej izraelitëve dhe nuk ka gjë që i shkrep. Si ju kam thënë dhe po ju them: Izraeli nuk është vetëm, por ka mbrapa Amerikën, Anglinë dhe Francën. Ato nuk tunden, e mos t'jua hajë mendja asnjëherë se mund t'i okuponi ato vende me forcë, sepse humbni edhe vendet e tjera. Këto janë fjalët që po ju them, e shkoni mirë me anglo-saksonët dhe francezët në urtësi duke dërguar një komision, siç biseduam. Zhdukni agjentët sovjetikë që janë rreziku juaj i vërtetë, - përfundoi Mbreti.

PENETRIMI KOMUNIST NË EGJIPT

Mbreti Zog ishte informuar në saktësi mbi lëvizjet e agjentëve sovjetikë në të gjitha vendet më me rëndësi të Egjiptit. Ishte Mbreti Faruk dhe në prezencën e tij ishin edhe Presidenti Sirian Excelenca e tij, Kuatly, Myfti efendiu i Jerusalemit, Hysein Efendis, e Xhemal Madam Beu. Sot ka arritur më se 60 për qind e popullit Felah Egjiptian, që është i helmatisur në favor të komunizmit. Po ju jap disa shembuj të vegjël: 1-Këtu në Aleksandri është një qendër nën shërbimin e "Alexis Dehtiareff” me një bashkëpunëtor të tij "Cheborine". Këta kanë mundur të vijnë në vend dhe të helmatosin në ide sioniste pjesën ndër autoritete, shkolla, fabrika, polici, oficerë. Në çdo dikaster kanë agjentët e tyre. Mos harroni se vetëm në Aleksandri janë më tepër se 200.000 të huaj prej çdo nacionaliteti. Dhe, këtu mund të thuhet se janë 6000 agjentë, që zhvillojnë propagandën komuniste nën sovjetët, të cilët qarkullojnë lirisht nëpër dezertë e gjithkund. Ata shpërndajnë edhe të holla dhe propaganda në oficerë është komplet kundër Monarkisë.

2-Në Port Said është një shef dhe agjent sovjetik, Hammed Terra dhe Masri Effendi, T.Kravtchenko. Ky është një i rafinuar me kohë këtu dhe shumë i rrezikshëm. Ata kanë mbërritur që një mbrëmje të vënë në qarkullim brenda celulave të vendosura dhe të thërrasin në vend të Monarkisë "Rroftë Rusia Sovjetike, Rroftë Republika Demokratike Sionistë". Ata kanë treguar fotografitë e Stalinit e të Molotovit dhe po agjentët e tyre të blerë të vendit i shpërndajnë shpesh në dezert. Dhe, atje ku vdes një Felah ose Bedevi, ata i dërgojnë 100 lira nga ana e Rusisë. Gjithashtu të sëmurët i ndihmojnë, po ashtu edhe të vobektit.

3-Në këtë raport, që është më tepër se i vërtetë, është dhe ambasadori egjiptian në Kremlin "Mohamed Kammel El Bindarip Pasha".

Me gjithë këtë është edhe Dr. Ahmed Qemal Bej, i cili është nëpunës i Ministrisë së Tregtisë Egjiptiane dhe kryetari i Delegacionit Egjiptian në Moskë. Këta me një shumicë personeli bëjnë dhe lehtësojnë propagandën sovjetike. Ata lanë edhe vajzën e ambasadorit Nadia Bindari Pasha. Ju e dini, që kjo më është haptazi, siç e keni kuptuar edhe ju vetë. Nga ana e tyre, njerëzit e ambasadës së Kremlinit, çdo agjent sovjetik që shkon për t'u bërë vizitë e merr vizën në pasaportën diplomatike pa as më të voglin hetim. Ata i japin vizën për në Egjipt, sepse këta janë të lidhur me oficerët sovjetikë, që janë agjentë të përsosur. Dhe shef i Inteligjencës së Servisit drejton jo vetëm misionin e tij në ambasadën sovjetike, por dhe atë të Polonisë, Çekosllovakisë, Hungarisë, Bullgarisë dhe të Jugosllavisë. Është "Alexis Dehtiareff” me shokun e tij "Cheborine". Këta janë njerëzit që më tepër po qëndrojnë në Aleksandri.

Po të dëshironi, ju dërgoj një kopje të këtij raporti se ka detaje shumë më tepër se sa kemi biseduar dhe në hollësi. Pra, kjo është një mëkat për informacionin tuaj. Vetëm se ky raport nuk duhet që të merret vesh, se jo për mua, por për juve është mirë, sepse një ditë do ju gjejnë në gjumë. Të gjitha përgatitjet janë bërë dhe duhet të jeni të sigurt se 60 për qind e popullatës egjiptiane janë të drejtuar në këtë rrugë. Janë një pjesë e madhe e oficerëve të rinj dhe shumë studentë universitarë. Pra, janë shumë gjëra, por do të kuptoni më mirë kur do ju dërgojë një kopje të raportit.

Madhëria e Tij, Mbreti Faruk dhe Shyqyri Kuatly. Myftiu i Jerusalemit, si edhe Xhemal Madam Beu u prekën aq rëndë dhe u tronditën aq shumë, sa Mbreti Faruk ju kthye Mbretit Zog duke i thënë: "Jo vetëm se ju faleminderit, por ju kam vëlla të madh. Edhe unë deri diku kam qenë në dijeni por jo kaq. Kam për të marrë masat, por gradualisht dhe pa bërë bujë". Mbreti Zog i tha: "Nuk duhet të bini në sy aq tepër. Këtu gjendja ka arritur saqë janë të kompromentuar të gjithë sa ju thashë. E presin ditën programore, por duhet të keni një kujdes të madh në oficerët. Këtu duhen të merren masa të shpejta e disiplinore. Pastrojeni mirë ushtrinë, sepse një ditë do ju zënë në lak. Duhet të vini një qeveri të fortë, e me plot influencë, që të mund pak a shumë të vendosë një rrymë qetësie, dhe gradualisht të bëjë pastrimin e dikastereve. Kjo qeveri duhet që të ketë marrëdhënie të mira edhe me Amerikën, se ato kanë një informacion mjaft të fortë dhe nuk i intereson komunizmi në Mojen-Orjente”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›