E Diel, 1 Nëntor 2026

Historia e rrallë; Diplomati shqiptar që u internua nga KGB-ja si azerbajxhanas



Vijon nga numri I kaluar

Por për fatin e tij të keq, Ismail Farku nuk dinte se në krye të organizimit të largimit të tij nga Moska, qëndronte KGB. Në 16 Nëntor 1963 një polic troket në derën e dhomës së Ismail Farkut dhe e çon me forcë në rajonin e policisë. Aty, në mesnatë mbi të ngrihen akuza të pabaza për punëra “fallco”, sikur gjoja ai është shtetasi sovjetik Mehdi Mehdijev Shemsedin, që nën emrin e shtetasit shqiptar Ismail Farku, përpiqet të largohet nga vendi duke përdorur emrin e tij!!!. Punonjësi I KGB-së, Butırskin, e fut në burg, ku Ismail Fark, duke kundërshtuar padrejtësinë, hyn në grevë urie. Më pas, e dërgojnë në dhomë izolimi për 12 ditë, ku i urritur, i fryhen këmbët dhe më e keqja, humbet vetëdijen dhe prej andej, Ismail Farkun, që I kanë vënë emrin “Serbski”, e nisin në gjykim. Gjykata ja dërgon ekspertizën mjeksore psikiatrike İnstitutit të Gjykatës Psikiatrike dhe të Përgjithshme, ku pikërisht e bija e Feliks Dzerjinskinit, (që hodhi bazat e KGB-së), gjeneralja Markarita Feliksovna Talce i vë atij diagnozën “Skizofreni” dhe se ishte “person i rrezikshëm për shoqërinë”.

Në bazë të këtij raporti mjekësor, Gjykata Popullore e rajonit vendos dërgimin e Ismail Fark për ”kurim” të detyruar në spitalin Psikiatrik. Në 27 Prill, 1964 me dy ruajtës mjekësorë, atë e sjellin në Baku, ku e vendosin fillimisht në spitalin Psikiatrik në klinikën numër 2 dhe pas pesë ditësh, e kalojnë në spitalin psikiatrik nr.1. Pra, u bë gjithcka që Ismail Farku të mbahej fshehur në një rajon sa më të largët.

Gjatë gjithë kohës, kudo, në burgje dhe spitalet psikiatrike, Farku mbajti qëndrim kundër regjimit Sovjetik, ndersa u njoh me persona, që sakrifikuan në luftën për të drejtat e njeriut. Në bisedat me ta dhe duke mësuar prej tyre, u kthye edhe vetë në një disident. Edhe pse Ismail Farku u thoshte mjekëve se ishte shqiptar dhe jo azerbajxhanasi Mehdi Mehdijev Shemsedin, nuk e besonte më njeri. Për më tepër, atij i morën dokumentin nga Universiteti ku kishte studiuar në Moskë, me qëllim që atje të mos figuronte njeri i regjistruar në emrin e tij të vërtetë.

Ndërkaq, lajmin se në spital ishte shtruar Mehdi i Mehdijev Shemsedin, e morrën prindërit e tij që jetonin në rajonin Kasem Ismailov, (sot Goranboj) në Azerbajxhan, të cilët prej vitesh e dinin të humbur djalin e tyre. Në 25 Maj, 1964 ata shkojnë në spitalin e Bakusë, por në vend të djalit Mehdi Mehdiyev Semsedinin, që kishte një trup të gjatë 1.80, me arsim 4 klasë shkollë dhe që përveç turqishtes së Azerbajxhanit nuk dinte gjuhë tjetër, u ballafaquan me një tjetër person, me Ismail Farkën, me një trup 1.64 cm të gjatë, që fliste gjuhët shqip, rusisht dhe frengjisht si dhe njohës i Persishtes dhe Arabishtes. Kështu këta prindër të shkretë panë se përballë ky i huaj nuk ishte djali i tyre. As ata nuk kishin si t’a dinin të vërtetën se djalin e tyre e kishte marrë KGB.

Më pas, punonjësit e KGB-së dhe ministrisë së Punëve të Brendshme në Azerbajxhan u takuan në spital me Ismail Farkun, ku i shpjeguan se rruga për të shpëtuar prej aty ishte që të pranonte shtetësinë sovjetike. Në rast se ai pranonte, do t’a nxirrnin nga spitali dhe do ta ndihmonin të jetonte aty. Po Ismail Farku përsëri refuzoi dhe kështu, mjekët xhelatë I dhanë atij “pleqërinë”, duke i bërë çdo gjë, deri dhe heqjen e dhëmbëve me mënyrat më çnjerëzore, vetëm që të mos mund të thoshte se ishte me kombësi shqiptare, por fshihej me një emër tjetër. Ndaj Farkut u përdorën mjekime si trisidil, kaloperidol, sulfazin etj në doza të mëdha, por dhe pse nën presion, ai nuk e pranoi kurrë shtetësinë sovjetike.

Pas një jetë vuajtjesh plot 25-vjeçare, dy punonjës të KGB-së njoftojnë Farkun se me erën e re të Gllasnost të Gorbaçovit dhe me perestrojkën, shoqëria ruse kishte hyrë në rrugën e demokratizimit. Ata planifikojnë që nisur nga gjendja shendetësore, Farku t’i bëjë një letër gruas së Gorbacovit ku t’i lutet që t’a falin. Kështu, aty në spitalin ku e mbanin, vijnë persona nga “Kryqi i Kuq Azerbajxhanas” dhe nga “Shoqëria Aypara e Kuqe”, takohen me Ismail Farkun dhe në përfundim, i ndryshojnë pavionin: nga psikiatrik, tek sëmundjet mendore!!!!

Në këtë pavion, mjeku që e kuronte, Ejup Alijev, me qëllimin e mirë që të zhdukë ç’ka thuhej për Ismail Farkun, i drejton një letër Akademisë Teknike të Meşme në San-Peterburg ku kërkon të dhëna nëse në vitet 1950 kishte studiuar aty shqiptari Ismail Farku. Ndoshta për shkak të ndryshimeve që ndodhën në Bashkimin Sovjetik, apo se ishin larguar nga puna personat që i bënë gjëmën, në përgjigjen që erdhi, shkruhej se “Ismail Farku ka studjuar në këtë Universitet”. Mjeku Aliyev me të marrë dosjen e vjetër të Farkut nga Universiteti, pasi pa se në dosjen që ndodhej në spital, nuk shkruhej emri i Ismail Farkut, e zëvendëson me dokumentin e ri dhe njofton drejtorinë e spitalit se” Ismail Fark është i rregullt”.

Bashkë me Ismail Farkun në spitalin psikiatrik ndodhej disidenti azerbajxhanas Nadir Agayev, që duke përfituar nga shpërbërja e Bashkimit Sovjetik, shpëton nga spitali. Më vonë, në 1990, ai boton librin “Magjitë e fshehta të Sahanit” mbi burgjet në spitalet psikiatrike, ku tregon dhe për Ismail Farkun. Ky libër botohet në gjuhët Ruse dhe Turqishten e Azerbajxhanit në gazetën “Karatelnaya Meditsina” në Moskë, ku tërheq vëmendjen e shoqërisë si dhe të gazetave të huaja, agjenturat e informacionit dhe ato diplomatike, të cilat tregojnë interes mbi fatin e dhimbshëm të Ismail Farkut. Edhe radio e huaj, “Svoboda” që transmeton në gjuhën Ruse dhe Azere, prezanton historinë e dhimbshme të Ismail Farkut përmes leximeve të librit. Kështu, më në fund, me ndihmën e Nadir Ağayevit, në 9 Gusht 1990 Farku lihet i lirë nga burgu dhe strehohet në shtëpinë e tij.

Që nga ky moment, fillon kërkimi i të afërmve të Ismail Farkut nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq, ndërsa kryetari i degës mbi “kërkimet e shtuara” M. Sheynberker që nga Mynih ofron ndihmën duke i kërkuar Shoqërisë Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut, që të jepej njoftimi për Ismail Farkun. Ndërkaq, në 1992 në Moskë hapet ambasada Shqiptare dhe Nadir Ağayev dërgon aty të dhënat mbi Ismail Farkun.

Por historia e hidhur për këtë njeri nuk mbaron me kaq, pasi mësohet se në Shqipëri, duke e ditur të vdekur prej kohësh, gruaja e tij kishte krijuar familje të re, vajza ishte rritur dhe kishte familjen e saj, se djali i lindur në 1962, gjithashtu ishte martuar dhe të gjithë jetonin në Tiranë. Kështu, ambasadori Hasanmataj i tha Ismail Farkut se për të, ishte më e arsyeshme të jetonte në Azerbajxhan.

Sot, İsmail Farku jeton në rrethinën e Baku-s, në afërsi të qytetit Shuvalan, në një shtëpi private, ku punon çfarë I vjen në dorë për të jetuar, ndërsa ende nuk i dihet statusi i huaj politik që i takon….

Pergatiti Entela MUCO

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›