E Diel, 1 Nëntor 2026

Rajmonda Stefa: Mund të jetë vrarë për konflikt pronësie



Ndërkohë deputetët socialistë që e kanë pasur Xhindin kolegun e tyre të partisë janë shprehur shumë të tronditur por asnjëri prej tyre nuk ka ditur të japë një pistë për arsyen e kësaj vrasjeje. Por nga kolegët e tij ka ardhur dhe pista e vetme për mundësinë e vrasjes. Deputetja dhe kolegia e tij e afërt në PS-në e Fierit, Rajmonda Stefa ka dëshmuar se Xhindi ka pasur një konflikt pronësie. Ajo pasi ka shprehur tronditjen e saj ka lënë të kuptohet se deputeti socialist që ka humbur jetën mbrëmë mund të ketë pasur një konflikt pronësie ditën e djeshme. Duke akuzuar për mungesë sigurie nga ana e shtetit Stefa është shprehur se “asgjë nuk mund ta justifikojë vrasjen e një deputeti qoftë edhe për një konflikt pronësie. Kur vritet një deputet siguria është më e tronditur. Nëse ka një konflikt pronësie në Kurjan, nëse ka ndodhur konflikti paradite dhe vrasja pasdite do të thotë se shteti nuk ka ekzistuar”, u shpreh ajo. Por më pas ajo është tërhequr pak nga siguria me të cilën e shprehu këtë gjë duke thënë se nuk ka dijeni që të ketë ndonjë konflikt prone por e ka lidhur këtë me vizitën e Xhindit paraditen e djeshme në fshatin Kurjan, ku ai ka pronat e tij si dhe me pyetjet e gazetarëve. “Nuk mund të merret jeta për konflikt pronësie. Ai ka 16 vjet që e ka marrë pronën sipas ligjit”, ka shtuar Stefa në dëshminë e saj që ka qenë ndoshta më e vlefshmja nga të gjitha dëshmitë për median të kolegëve të tjerë të Xhindit.

I vetmi deputet i PS-së që tentoi ti japë nota të një prapavije politike ishte Erion Braçe, pro kryetari i Asamblesë së PS-së Gramoz Ruçi është treguar më i matur duke thënë se në momentin e duhur do të mbahet dhe qëndrimi për këtë ngjarje.

Edi Rama

Kryetari i PS-së Edi Rama ka qenë brenda pak orësh pas vrasjes së Xhindit në familjen e tij të cilës i ka shprehur ngushëllimet. Ai është shprehur se “ai ishte një qytetar që përfaqësonte shumë qytetarë dhe është një humbje e madhe jo vetëm për familjen por për Partinë Socialiste”.

Gramoz Ruci

Deputeti socialist Gramoz Ruçi ka shprehur tronditjen e tij të thellë për humbjen e kolegut të tij. Ai ka hedhur poshtë lajmet sipas të cilave Fatmir Xhindi kishte qenë me të gjatë ditës së djeshme në një takim elektoral në Fier. Ai tha se ”Nuk kam që në takim elektoral me Xhindin sot. Kam qenë në qarkun e Fierit por jo me Xhindin

Sapo jam kthyer në Tiranë më njoftuan për lajmin dhe është një ngjarje tepër e rëndë, si në planin njerëzor dhe politik”. Duke folur për figurën e tij ai ka thënë se “nuk ishte njeri konfliktual. Ishte simbol I qetësisë, maturisë dhe mirësisë. Unë nuk mund të gjykoj për pistat e krimit dhe atë ta gjejnë organet kompetente. Në këtë moment ka vetëm heshtje dhe po presim”. I pyetur për pistën politike ai tha se “nuk mund ta përjashtoj, por sigurisht që po pres informacionet përkatëse. Jam duke shpalosur përgjegjësitë e mija njerëzore politike dhe shoqërore ndaj tij dhe në momentin e duhur do shprehim qëndrimin tonë”.

Valentina Leskaj

“Është ngjarje rëndë dhe tronditje e madhe. Shteti duhet të marrë gjitha masat për të zbardhur ngjarjen. Ka qenë një deputet shumë korrekt, i motivuar me marrëdhënie shumë të mira me njerëzit dhe zonën, një deputet shembullor. Jemi shumë të pikëlluar për këtë humbje”, është shprehur kryetarja e grupit Kuvendor Socialist, Valentina Leskaj. Sipas saj “organet e specializuara duhet të marrin masa urgjente për të gjetur autorët. Çështjet e sigurisë ka kohë që janë problem në Shqipëri dhe kjo është një dëshmi tjetër”.

Petro Koci

“Ka qenë një deputet korrekt dhe i respektuar. Nuk jam në gjendje të përcaktoj ndonjë arsye por e njoh atë si një deputet korrekt. Nuk ka pasur probleme në zonën e tij”, tha Petro Koçi një tjetër ish deputet socialist i rrethit të Fierit. Ai ka kërkuar nga organet e shtetit që të zbardhet çështja sa më parë.

Pilo Keri

Miqtë e Fatmir Xhindit kanë mbetur të shokuar kur kanë marrë vesh lajmin e vrasjes së tij. Ata nuk dinë të thonë “përse”. Një nga miqtë më të afërt të deputetit Fatmir Xhindi që humbi jetën dje nga një sulm i papritur, deputeti socialdemokrat Pilo Keri thotë në një telefonatë për “standard” se me aq sa ai e njihte Xhindi nuk kishte konflikt me dikë. “Fatmiri është njeri i mirë, nuk ka pasur asnjë konflikt, shkon mirë me të gjithë, nuk dimë pse e kanë vrarë”, u shpreh i tronditur Keri i pyetur nga standard nëse ishte në dijeni të ndonjë problemi që mund të kishte pasur deputeti socialist me persona të tjerë, duke çuar në shkakun e vrasjes. Por Keri i cili udhëtonte drejt Fierit me disa deputetë të tjerë kolegë të tij nuk dinte të na thoshte një arsye pse kishte ndodhur kjo vrasje.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›