Daka: Procesi zgjedhor u devijua nga partitë

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovës, Valdete Daka, ka deklaruar se komisionerët dhe partitë politike devijuan zgjedhjet më 12 dhjetor, duke theksuar se procesi ishte i mirëorganizuar deri në atë moment.
“Përderisa procesi zgjedhor ka qenë i organizuar shumë mirë, pothuajse në mënyrë të përkryer nga ana e KQZ-së, pra teknikisht ne jemi ata që i organizojmë zgjedhjet dhe deri në ditën e zgjedhjeve, procesi është në duart tona”, deklaruar Daka për REL.
Sipas saj, kur ky proces ditën e zgjedhjeve ka kaluar në përgjegjësi të komisionarëve dhe të subjekteve politike, është devijuar. “Me qëllim apo pa qëllim - unë këtë nuk do ta paragjykoja, sepse kjo është çështje, me të cilën do të merren organet e tjera dhe përgjegjësinë duhet ta bartin ata që i kanë shkaktuar këto devijime. Nuk do të thosha se mungesa e materialeve teknike ka ndikuar në cilësinë e zgjedhjeve, në ditën e zgjedhjeve, sepse llambat edhe pse ndoshta kanë qenë të kualitetit më të dobët, megjithatë kanë punuar”, vijoi ajo.
Daka shtoi se ajo çfarë ka ndodhur në terren nuk është përgjegjësi e KQZ-së. Për sa i përket rivotimeve të 9 janarit të vitit të ardhshëm, Daka tha se janë marrë masa për zëvendësimin e komisionerëve.