E Shtunë, 31 Tetor 2026

Daka fyen gazetaren e KTV-së

Nga Express më 25 janar 2011 në ora 13:46

Unioni i Gazetarëve të Kosovës (UGK) ka pranuar më shqetësim ankesën nga televizioni Kohavisioni (KTV), lidhur me komentet fyese që ka bërë kryetarja e Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ), Valdete Daka, ndaj gazetares Arta Avdiu.

“Redaksia shpreh shqetësimin lidhur me ofendimin e znj. Daka për gazetaren Arta Avdiu, të zënë në kamera, duke thënë: ‘erdh kjo e vocrra e KTV-së. Si plesht osht’. Në këtë rast, znj. Daka është dëgjuar duke komentuar me shpoti edhe gazetarët e tjerë të pranishëm”, është thënë në ankesën e KTV-së, drejtuar UGK-së.

UGK e dënon ashpër këtë deklaratë fyese të znj. Valdete Daka, dhe e konsideron si të papranueshme dhe joetike, sidomos kur vjen nga një zonjë që e njeh gjyqësinë dhe etikën.

UGK i rikujton znj. Daka se pavarësisht si i duken asaj gazetarët, nuk është në kompetencat e saj që të bëjë komente dhe vlerësime për ta, por ta kryejë punën e saj për të cilën edhe është thirrur.

Unioni i Gazetarëve të Kosovës (UGK), kërkon nga kryetarja e KQZ-së, znj. Valdete Daka, që menjëherë të distancohet nga ky ofendim dhe njëherit gazetares Arta Avdiu t’i kërkojë falje publike.

UGK i inkurajon kolegëve të mediave, në këtë rast edhe ata të Kohavisionit, që të mos ndikohen nga këto provokime, por ta kryejnë misionin e tyre të shenjt më përkushtim dhe profesionalizëm.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›