E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vdiq gazetari Nazmi Lukaj

Nga Express më 25 janar 2011 në ora 13:50

Pas një sëmundjeje të gjatë dhe të rëndë, të hënën mbrëma, ka ndërruar jetë në Spitalin Ushtarak të Tiranës, gazetari dhe publicisti nga Peja, Nazmi Lukaj (44).

Lukaj, disa vite të pasluftës, ka punuar si korrespondent nga Peja për të përditshmen Bota Sot, ndërsa më vonë u bë pjesë e stafit dhe komentator i kësaj gazete.

Pas diplomimit në Fakultetin Filologjik, Dega e Gjuhës dhe e Letërsisë shqipe në Universitetin e Prishtinës, ai për disa vjet radhazi dha mësim në Gjimnazin e Pejës.

Përveç ushtrimit të këtyre dy profesioneve, Nazmi Lukaj, baba i katër fëmijëve, nuk ka lënë anash as pendën e fjalëve të thurura letrare të fushës së publicistike.

Libri i parë i tij i botuar në vitin 1999 në Tiranë me titullin “Kosova dhimbja dhe shpresa ime”, i hapi rrugën edhe tri botimeve tjera nga ai në periudhën e pasluftës, “Ese, komente dhe analiza”, “A është Kosova një rast unikat?” dhe “Përtej statusit të Kosovës”.

Para se të niset funerali drejtë varrezave të qytetit të Pejës të martën në orën 15.00, me rastin e vdekjes se Nazmi Lukajt, një orë më herët, nga ora 14.00, do të mbahet mbledhje komemorative në Teatrin e qytetit “Istref Begolli”

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›