E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mitrovicë, KQZ vlerëson pozitiveprocesin e votimit

PRISHTINË- Rivotimi në Mitrovicë për zgjedhjet e para parlamentare në Kosovë ka filluar sot në mëngjes (në orën 07:00) në 29 qendra të votimit me 104 vendvotime, të hapura për më shumë se 86 mijë votues.
Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka deklaroi në një konferencë për shtyp të dielën paradite se "të gjitha qendrat e votimit dhe vendvotimet janë hapur dhe procesi është duke u zhvilluar mirë".
Ajo u bëri ftesë të gjithë anëtarëve të këshillave të vendvotimeve dhe vëzhguesve të akredituar të veprojnë sipas ligjit dhe rregullave të KQZ-së dhe veçmas falënderoi vazhguesit ndërkombëtarë që ndodhen sot në Mitrovicë.
Zyra e Përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian (EUSR) në Kosovë koordinon "Vëzhgimin e Zgjedhjeve të Kosovës 2010" për të përcjellë dhe rivotimin e sotëm në qytetin verior kosovar, ndër më të mëdhenjtë në vend.
Misioni për Vëzhgim i Zgjedhjeve përbëhet nga rreth 40 ekipe, me pjesëtarë të ICO-së/EUSR-së, pjesëtarë të misioneve diplomatike në Kosovë, si dhe diplomatë nga vendet e tjera anëtare të BE-së dhe nga rajoni i Ballkanit Perëndimor. Për rivotimin në Mitrovicë, KQZ ka akredituar dhe shumë vëzhgues të tjerë.

Koalicioni i OJQ-ve "Demokracia në Veprim" deklaroi të dielën se po monitoron procesin e rivotimit sot në komunën e Mitrovicës në Kosovë me rreth 130 vëzhgues statikë dhe 20 vëzhgues të lëvizshëm, të cilët kanë raportuar se të gjitha vendvotimet janë hapur në kohë dhe pa probleme.
"Deri në orët e paradites nuk është evidentuar ndonjë parregullsi", thanë drejtuesit e koalicionit "Demokracia në Veprim", të cilët i bënë thirrje të gjithë qytetarëve të Mitrovicës që të dalin në votime, për të ushtruar të drejtën e tyre qytetare dhe Kushtetuese.
Ky koalicion u ka bërë thirrje gjithë anëtarëve të Këshillave të Vendvotimit, vëzhguesve të partive politike dhe simpatizantëve të tyre, që të mos pengojnë vëzhguesit e "Demokracisë në Veprim" në kryerjen e mandatit të tyre për raportim objektiv, me qëllim rritjen e transparencës së procesit zgjedhor në Komunën e Mitrovicë.

Rivotmi i sotëm zhvillohet me vendimin e Gjykatës Supreme të Kosovës, pas konstatimit të parregullsive në procesin e votimit.
Pritet që sot rreth mesnatës apo gjatë ditën e nesërme të shpallen rezultatet paraprake të rivotimit në Mitrovicë dhe përgjithësisht të zgjedhjeve të përgjithshme të 12 dhjetorit në Kosovë, të parat që nga shpallja e pavarësisë në 17 shkurt të vitit 2008.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›