Dako kërkon lirimin nga qelia, seanca për ish-kryebashkiakun në Apelin e GJKKO më 18 korrik

Vangjush Dako kërkon lirimin nga qelia. Më 18 korrik ish-kryetari i bashkisë Durrës do të dalë para Apelit të Posaçëm për ndryshim të masës së sigurisë arrest me burg, me argumentin se heqja e lirisë ishte e pabazuar në prova dhe ligj.
Ish zyrtari i lartë u arrestua më 6 qershor me urdhër të SPAK që e akuzon për shpërdorim detyre në dy raste. Hetimet përfshinë procedurat e ndjekura në dhënien e një tenderi për blerjen e projektit për zhvillimin e vijës bregdetare, nga zona e Brrylit deri në Currila, si dhe lejen për ndërtimin e një pallati që përfundoi me 4 kate shtesë.
Dako i mohoi akuzat në gjyq, duke thënë se gjithçka kanë qenë në dorë të specialistëve. Bashkë me Dakon, SPAK, lëshoi edhe 8 urdhër arreste të tjera për zyrtarë dhe ish zyrtarë të bashkisë së Durrësit dhe ndërtuesin e pallatit që u dëmtuar rëndë nga tërmeti i 4viteve më parë. Ata akuzohen për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh. Në rastin e tenderit, gabimi me një presje dhjetore në llogaritjen e sipërfaqes u bë shkak për 10-fishimin e vlerës së fondit limit nga 21 milionë lekë në 210 milionë lekë, me dëm 18 milionë lekë në buxhetin e shtetit.
Gazetare: Heriselda Dyrmishi
/RTSH/