E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Parlamenti Evropian miraton rezolutën greke për lirimin e Fredi Belerit

Parlamenti Evropian ka miratuar një rezolutë që përmban një amendament për lirimin e Fredi Belerit. Amendamenti është paraqitur nga Partia Popullore Evropiane me iniciativën e Eurogrupit të Demokracisë së Re, në Raportin mbi Procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE.

Përmes këtij amendamenti, eurodeputetët shprehin “shqetësimin e tyre” në lidhje me arrestimin e Fredi Belerit, i cili ndodhet në burg i akuzuar për blerje votash.

“Kjo çështje lidhet me respektimin e përgjithshëm të të drejtave themelore, çështjen e pazgjidhur të pronave të pjesëtarëve të pakicës etnike greke në zonën e bashkisë dhe akuzat për shkelje nga ana e bashkisë. U dërgua një mesazh i qartë se taktikat e autoriteteve shqiptare kundër minoritetit grek nuk tolerohen as nga qeveria greke, as nga Parlamenti Europian dhe se rruga europiane për Shqipërinë është nëpërmjet respektimit të rregullave shteti ligjor dhe respektimi i të drejtave të njeriut të të gjithë qytetarëve të saj”, thuhet në rezolutë.

Beleri u arrestua më 12 maj, ndërsa hetimet ndaj tij kishin nisur më 9 maj pas referimit të rastit nga policia e Vlorës, dhe u mbështet me pamje filmike dhe përgjime pasi një agjent i infiltruar i policisë, përgjoi momentin kur bashkëpunëtorët Belerit dhanë 40 mijë lekë për 8 vota.

Në zgjedhjet e 14 majit Beleri, kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” u shpall fitues në Bashkinë Himarë përballë Jorgo Goros.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›