Dalipi: Asnjë lexim i matësve elektrikë nuk do të kryhet fiktivisht

TIRANË, 22 janar/ATSH/ Administratori i Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OSSH), Blendian Dalipi deklaroi sot se lexuesit e matësve elektrikë do të hedhin në mënyrë manuale të dhënat, duke siguruar kështu që asnjë lexim të mos jetë fiktiv.
Gjatë një takimi me punonjës të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, në rolin e lexuesve të matësve të energjisë, për të diskutuar mbi masat e marra dhe detyrat që dalin nga skema e re e faturimit të energjisë elektrike, ku e pranishme ishte edhe zv/kryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, Dalipi informoi se deri tani janë identifikuar të gjithë abonentët që shpenzojnë mesatarisht 700 kilovat-orë energji në muaj.
“Të gjithë lexuesit sot kur kryejnë procesin e leximit në terren, kanë një aparatë që e quajmë PDA, nëpërmjet këtij aparati shkojnë në vendin ku është instaluar matësi. Dhe në mënyrë manuale hidhen të dhënat në aparat. Aparati është i lidhur online dhe transmetohen të dhënat në qendër. Nëpërmjet stafit procesohet hedhja e të dhënave dhe printohet fatura. Pika delikate është se të gjithë lexuesit duhet të shkojnë fizikisht dhe të lexojnë matësat, dhe asnjë lexim të mos bëhet në mënyrë fiktive. Nëpërmjet aparatit kemi krijuar mundësinë e përcaktimit të vendndodhjes së lexuesit. Nëse konsumatorët do të kenë ankesa, nëpërmjet aparatit verifikojmë nëse lexuesi ka qenë në datën e duhur dhe në momentin që është bërë leximi. Leximi do të kryhet në ciklin 30-ditor”, tha Dalipi.
Ai po ashtu vuri në dukje se janë shtuar operatorët që hedhin të dhënat në sistem.
/a.f/r.e/