Dalipi: Elbasani nuk ka pse të dorëzohet
Dy humbje brenda pak ditësh për Elbasanin, e para me Besën në kampionat dhe e dyta me Dinamon në kupë. Verdheblutë nuk e bëjnë alarmante humbje e dytë, pasi ishin eliminuar me kohë nga Kupa e Shqipërisë, ku synimi i vetëm ka qenë aktivizimi dhe promovimi i lojtarëve të rinj.
Shumica e titullarëve janë lënë pushim në mesjavë nga trajneri Ilirian File, pasi të shtunën luhet ndeshja me Himarën në stadiumin Ruzhdi Bizhuta, ku verdheblutë kanë vetëm fitore. Për mesfushorin Endri Dalipi, kjo ndeshje është mjaft e rëndësishme për skuadrën, pasi është një moment kyç për sezonin.
Ai shprehet se duhen harruar dy humbjet me Besën dhe Dinamon dhe duhet parë vetëm përpara. Dalipi thekson se të gjithë duhet të bëjnë sakrifica në dy ndeshjet e fundit të fazës së parë për të marrë 6 pikë. “Jemi në një situatë të vështirë, për shkak të dy humbjeve që kemi pësuar në dy ndeshjet e fundit kampionat dhe kupë.
Tani nuk na mbetet gjë tjetër veçse të shohim përpara për ti fituar dy ndeshjet në ndeshjet e mbetura të 2011-ës, me Himarën dhe Ilirinë. Kam shumë besim se Elbasani do të regojë dhe do të arrijë të marrë 6 pikë në këto dy përballje. Mendoj se ekipi ynë ende nuk ka dalë nga objektivi, edhe pse tani ndodhemi në vend të 6-të.
Elbasani ka ende rrugë për të bërë dhe jam i bindur se përfundimi i kampionatit do të na gjejë në një vend më të mirë. Është edhe faza e dytë për tu luajtur dhe kemi një kalendar që na favorizon disi, kështu që nuk kemi pse të dorëzohemi, ka përfunduar mesfushori Endri Dalipi.
