Hasalla: Lushnja nuk fal para tifozëve të saj
Mbrojtësi veteran, Blerim Hasalla, thekson se Ada është vlerësuar maksimalisht, pasi sezonin e kaluar ka fituar në Roza Haxhiu
Lushnjarët nuk e kanë ulur ritmin e përgatitjeve për ndeshjen e radhës, edhe pse në një mot të keq. Reshjet e shiut e kanë vështirësuar punën e stafit teknik dhe të futbollistëve, por nuk kanë ndikuar në atë që duhet bërë për takimin me Adën. Të gjithë futbollistët I kanë përveshur mirë mëngët, duke i zbatuar me përpikëri këshillat e stafit teknik. Në ndeshjen me Gramozin janë shpenzuar shumë energji, që duhen rikuperuar përpara të shtunës, kur në stadiumin Roza Haxhiu do të vijë Ada.
Mbrojtësit lushnjarë patën probleme ndeshjen e fundit, për shkak të intensitetit të sulmeve dhe kundërsulmeve, ndërsa më të freskëtit kanë qenë dy mesfushorët Byzhyti dhe Topi, të cilët bënë volum të madh loje, pavarësisht terrenit të vështirë. Synimi i verdhejeshilëve është të shprehen sa me mirë në ndeshjen me Adën, që duhet marrë në konsideratë, pasi sezonin e kaluar ka fituar në Lushnjë.
Hasalla Ndoshta ishte i vetmi futbollit i Lushjnës veterani Blerim Hasalla, i cili mbajti edhe shiritin e kapitenit me Gramozin, që e kuptoi si duhej luajtur në atë terren të vështirë. Falë përvojës së tij dhe situatave të ngjashme që i janë paraqitur më parë, Hasalla ka shkëlqyer në fushën me ujë të Ersekës. Mëngjarashi e pati shumë të lehtë jo vetëm të shmangte sulmet për ta goditur portën e Gramozit, duke krijuar raste të pastra për shënim e vendësve, por me pasimet e gjata e ndihmonte shumë skuadrën.
Të luaje me topa të gjatë në atë terren ishte e vetmja mënyrë për të fituar. Ishte e pamundur ta mbaje topin, sepse nuk të linin pellgjet e ujit, kështu që duhej vetëm një prekje. Në ato kushte, topat e gjatë na ndihmuan për të shënuar dhe për të marrë 3 pikët. Më vjen mirë, që skuadra ka fituar 7 ndeshje radhazi dhe mendoj se edhe me Adën do të bëjmë të njëjtën gjë. Me këtë nuk dua të them se e nënvlerësojmë Adën, përkundrazi, e vlerësojmë shumë atë, sepse e meriton.
Sezonin e kaluar na ka mundur në shtëpi, kështu që ka marrë vëmendjen tonë maksimale. Shpresoj që të kënaqim tifozërinë tonë këtë të shtunë, në ndeshjen e fundit të fazës së parë në stadiumin tonë. Shohim me kënaqësi që nga ndeshja në ndeshje numri i tifozëve po rritet dhe kjo na bën të dihemi më mirë me pikët që marrim dhe fitoret që u falim atyre, – ka thënë veterani lushnjar, mbrojtësi i krahut të majtë Blerim Hasalla.
