Dalipi: Tërbuni, surpriza e Kategorisë së Parë
Trajneri i ri i pukjanëve beson se me mbështetjen e presidentit Petrit Syla, bashkisë dhe donatorëve, ekipi do të synojë vendet e para të renditjes
Nga Riza Talifaku
Edmond Dalipi, ish-lojtari i kombëtares dhe disa ekipeve të njohura në vend, sezonin e ardhshëm do të drejtojë Tërbunin në Kategorinë e Parë. Si trajner Dali ka përvojë vetëm në stolin e Skraparit, ndërkohë që sezonin e fundit ka mbajtur postin e drejtorit teknik te pukjanët, të cilët synon ti udhëheqë pse jo edhe drejt ngjitjes në Superligë. Në një prononcim për Sportin shqiptar, trajneri Dalipi tregon planet që ka për Tërbunin dhe ambicjet për sezonin e ri. E pranova ftesën e presidentit Petrit Syla me kënaqësi, nisur edhe nga marrëdhëniet e mira që kemi. Kam qenë drejtor teknik sezonin e kaluar dhe e njoh ambientin pukjan, ku më ka pëlqyer shumë publiku. Presidenti Syla më bëri ftesë para dy javësh dhe e pranova. Personalisht, e falënderoj dhe do të bëj më të mirën për të ndërtuar një ekip dinjitoz dhe me ambicje për sezonin e ardhshëm. Motoja jonë do të jetë sa më shumë punë dhe përkushtim në stërvitje, për të shkuar te suksesi. Te Tërbuni është dera e hapur për të gjithë ata lojtarë, të cilët e ndiejnë veten të aftë ta veshin fanellën e këtij ekipi. Nuk do të ketë asnjë dallim, do të luajë ai që do të djersijë më shumë. Më 2 korrik do të zbresim në fushë dhe besoj se do të ndërtojmë një Tërbun, që do ti kënaqë të gjithë, – thotë trajneri Dalipi. Sipas tij, do të vijnë në stërvitje lojtarët e sezonit të shkuar, por edhe të rinj. Trajneri Dalipi thekson se Tërbuni do të jetë i pathyeshëm në Pukë, duke triumfuar edhe ndaj emrave të mëdhenj si Partizani, Dinamo, Lushnja, Besëlidhja etj.
Hida: Gramshi, jo futbollistë tavolinash
Nga Artan Paja
Sekretari i klubit gramshiot, Edmond Hida, shprehet se ende nuk ka asnjë konfirmim zyrtar për lojtarët, që do ti bashkohen ekipit sezonin e ardhshëm. Ai thekson se askush nuk duhet të marrë parasysh bisedat që zhvillohen nëpër ambiente kafenesh, pasi do të jenë stafi teknik dhe ai drejtues, që do të bëjnë përzgjedhjen finale. Ndërkohë, edhe për të larguarit nuk ka asnjë shkresë zyrtare. Sipas sekretarit Hida, lista e lojtarëve që do të bëjnë rrokadën te Gramshi, është duke u studiuar me imtësi nga drejtuesit. ”Dua të qartësoj se te Gramshi ende nuk ka ndonjë zhvillim konkret, aq më tepër diçka zyrtare. Eshtë duke u studiuar lista përfundimtare e lojtarëve që i largohen ekipit, ndërkohë që ka edhe një numër lojtarësh, të cilët mendohet të afrohen për sezonin e ri. Mendoj se bisedat që u takojnë kafeneve janë thjesht ide, që jo domosdoshmërisht janë të vërteta. Për likujdimin financiar po punohet që të bëhet ditët e ardhshme. Përfundimi i kampionatit, pushimet verore dhe shpërndarja e zyrtarëve të financave kanë krijuar këtë hendek, por të gjithë të jenë të bindur se gjithçka do të likujdohet, – u shpreh për Sportin shqiptar sekretari i klubit gramshiot, Hida. Kryebashkiaku i Gramshit, njëherazi dhe presidenti i klubit, Dritan Bici, ka premtuar se gjithçka do të likujdohet dhe se sezoni i ri do të fillojë i ”pastër”, por futbollistët duken të paduruar.
