Kapiteni Kajo: Kemi besim te drejtuesit e Naftëtarit
Futbollisti kuçovar, Erion Kajo, thotë se skuadra e tij do të jetë në gjendje të bëjë një paraqitje të mirë edhe sezonin e ardhshëm
Arben Çepani
Naftëtari nuk është grumbulluar ende dhe futbollistët kuçovarë pohojnë se përgatitjet duhet të fillojnë sa më shpejt për ta përballuar me sukses kampionatin e ri, ku ky ekip rikthehet në Kategorinë e Parë pas një mungese trevjeçare. Pavarësisht pretendimeve për vonesën në fillimin e përgatitjeve, futbollistët besojnë te mbështetja e prsidencës. Kapiteni Erion Kajo mendon se Naftëtari do të jetë në gjëndje ta përballojë sezonin e ri. ”Është e vërtet, – thekson kapiteni kuçovar, – që vazhdojmë të stërvitemi në mënyrë individuale, në pritje të organizimit për kampionatin e Kategorisë së Parë. Shpresojmë ti fillojmë sa më shpejt përgatitjet, sepse jemi ngjitur me vështirësi dhe sakrifica të mëdha në këtë kategori. Dëshira dhe ambicjet për të konkuruar denjësisht në të parën, janë mëdha. Ndoshta mund të jemi të vonuar në kohë sa u takon përgatitjeve, por besojmë te projekti dhe strategjia e drejtuesve për të formuar një Naftëtar të fortë dhe rezultativ. E dimë që Kategoria e Parë do të jetë më e vështirë, që do të thotë se duhet një mbështetje më e madhe. Megjithatë, jemi të bindur se jemi në gjendje për të bërë një figurë të mirë. Them se Naftëtari i Kategorisë së parë do të jetë një ekip serioz dhe dinjitoz”.
Festa Drejtuesit e klubit kuçovar kanë organizuar dje festën zyrtare të ngjitjes në Kategorinë e Parë, në sallën kryesore të bashkisë. Ka qenë një ceremoni festive në formën e një kokteili, e organizuar nën kujdesin e kryebashkiakut Bardhyl Gjyzeli. Të pranishëm në ceremoni ishin futbollistët e sezonit të fundit, stafi teknik, ish-futbollistë, specialistë dhe sportdashës kuçovarë. Kryebashkiaku Bardhyl Gjyzeli, në fillim të ceremonisë, ka falënderuar skuadrën, drejtuesit e sh.a-së dhe tifozët për kontributin që dhanë, duke e ngjitur Naftëtarin pas 3 sezonesh në Kategorinë e Parë. Ai tha gjithashtu se mbështetja do të vazhdojë në Kategorinë e Parë, ku objektivi parësor do të jetë qëndrimi në të. Pritet që javën e dytë të muajit korrik të bëhet organizimi i skuadrës.
