Gjergji Thaka bën dorëzimet, Partizani varet nga Xhani
Administratori Thaka ka qenë dje në ministri, ku i është komunikuar shkrirja e shoqërisë, si dhe heqja dorë nga përfaqësimi i Partizanit
Nga ILIR CARA
Dy ditë pas vendimit të Gjykatës së Apelit dhe një ditë pas njoftimit për shtyp të Ministrisë së Mbrojtjes, që bën me dije se do të bëjë rekurs në Gjykatën e Lartë, si dhe heqjen dorë nga Partizani, administratori i të kuqve sezonin e fundit, Gjergji Thaka, ka pasur një takim në ministri. Ai ka takuar shefin e kabinetit, Mentor Beqjan, personi që u mor me Partizanin, ku i është komunikuar shkrirja e shoqërisë aksionare të themeluar në fillim të qershorit, si dhe heqja dorë nga përfaqësimi i demave në Kategorinë e Parë. Pra, gjithçka është zyrtare dhe që nga 28 qershori merr fund së funksionuari Partizani i Ministrisë së Mbrojtjes. Me kërkesë të shefit të kabinetit në ministri, Mentor Beqjas, të premten paradite kam zhvilluar një takim me të. Në këtë bisedë natyrisht që kemi diskutuar për të ardhmen e klubit, për të qenë më i saktë me situatën e krijuar pas vendimit të marrë nga Gjykata e Apelit, që i ka dhënë të drejtë presidentit Albert Xhani. Nga z.Beqja më është komunikuar shkrirja e shoqërisë aksionare të krijuar vetëm disa ditë më parë dhe tërheqja e Ministrisë së Mbrojtjes nga klubi Partizani. Kështu, edhe unë do të bëj dorëzimet, pasi natyrisht që i takon Xhanit të vendosë së çfarë do të bëjë me klubin dhe me stafin teknik e ekipin. Skuadra e di tashmë vendimin e dhënë nga gjykata, si dhe vendimin e marrë nga Ministria e Mbrojtjes. Të hënën, në orën 18:00, është caktuar një takim me skuadrën përpara seancës stërvitore. Aty do tu komunikojmë lojtarëve tërheqjen nga Partizani dhe më pas do të jenë vetë ata që do të vendosin. Pra, është e drejtë e futbollistëve të vendosin se çfarë do të bëjnë. Sigurisht, duke biseduar me personin përgjegjës, që në këtë rast është Albert Xhani,- u shpreh administratori i të kuqve të kryeqytetit në sezonin e fundit, Gjergji Thaka. Mësohet se ai, pas përfundimit të takimit në ministry, i ka telefonuar edhe Albert Xhanit, duke i kërkuar ti dorëzojë materialet që ai disponon. Por Xhani ishte nisur për udhëtim jashtë vendit dhe pritet që kjo të ndodhë të hënën. Që nga 28 qershori është Albert Xhani ai që vendos për fatet e të kuqve. Prandaj, nga e hëna 2 korrikut, pritet se çfarë vendimi do të marrë Xhani, së pari për strukturën drejtuese dhe më pas për skuadrën.
