E Shtunë, 31 Tetor 2026

Avancon Bunjaku

Selektori i përfaqësueses së Kosovës, Albert Bunjaku, është emëruar ndihmëstrajner i Orebros. Ai shpreson që bashkë me futbollistët shqiptarë Valdet Ramën, Ilir Berishën, Kushtrim Lushtakun e Armend Alimin ta ndihmojnë skuadrën suedeze për të mbijetuar në Allsvenskan. Por, Bunjaku premtoi se shkaku i Orebros nuk do ta lë pas dore përfaqësuesen e Kosovës.

Albert Bunjakut, i cili mban postin e selektorit të përfaqësueses së Kosovës, i është shtuar edhe një detyrë e re të enjten mbrëma. Ai është emëruar ndihmëstrajner i parë te skuadra e Orebros.

Në fakt, Bunjaku deri më tani ishte trajneri i ekipit U-21 të Orebros. Mirëpo, ekipi i parë i këtij klubi aktualisht gjendet në vendin e fundit të tabelës në elitën e futbollit suedez me vetëm 4 pikë të tubuara, prej 12 ndeshjeve të zhvilluara.

Kjo situatë ka bërë që udhëheqësit e klubit ta emërojnë trajner të ri Per Ola Ljungberg. Ndërsa ky i fundit ka vendosur që pranë vetes ta afrojë strategun kosovar, me të cilin synojnë që Orebros t’ia sigurojnë mbetjen në Allsvenskan.

“Deri më tani atmosfera në skuadër nuk ka qenë e mirë, por tani atmosfera është krejt ndryshe dhe të gjithë jemi të mobilizuar që ta sigurojmë mbijetesën”, ka deklaruar Bunjaku për Express.

Ai ka pohuar se katër futbollistët shqiptarë të Orebros; Valdet Rama, Kushtrim Lushtaku, Ilir Berisha dhe Armend Alimi – të cilët kohëve të fundit në njëfarë mënyre nuk ishin në binarë – e kanë për obligim ta ndihmojnë maksimalisht ekipin e tyre ta arrijë objektivin.

“Detyra ime kryesore është puna me këta futbollistë shqiptarë, të cilët i njoh mirë edhe nga reprezentacioni i Kosovës. Qëllimi im është t’i integroj ata dhe të bëhen lojtarë të rëndësishëm të Orebros në luftë për ekzistencë. Unë nuk dyshoj në aftësitë e tyre”, u shpreh Bunjaku.

Por, ai premtoi se shkaku i Orebros assesi nuk do ta lë pas dore përfaqësuesen e Kosovës.

“Ka shumë selektorë, të cilët janë të angazhuar edhe nëpër klube. Kjo nuk është e dëmshme për përfaqësuese, por vetëm sa sjell të mira. Unë kam një kontratë me Orebron, e cila më lejon që një herë në muaj të qëndroj në Kosovë, e po ashtu lirohem të punoj me përfaqësuesen tonë në datat e lira të FIFA-s e UEFA-s. Nëse Kosova bëhet anëtare e UEFA-s, atëherë do të diskutojmë se si do të jetë bashkëpunimi mes Orebros dhe Kosovës”, ka shpjeguar Bunjaku.

Bunjaku në vitin 2004 ishte trajner dhe asistent te skuadra suedeze Degerfors IF. Një vit më vonë ai ishte emëruar ndihmëstrajner te skuadra e njohur suedeze Kalmar FF.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›