Dalipi në vend të Kosovrastit, bashkia padit anëtarët e Këshillit
Tiranë- Bashkia Tiranë ka depozituar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor, Tiranë kallëzimin penal për disa anëtarë të Këshillit Bashkiak të Tiranës me akuzën: Shkatërrimi i pronës dhe Kundërshtimi i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose në shërbim publik.
Më datë 03.05.2013, një grup personash në bashkëpunim kanë hyrë me forcë në ambientet e Bashkisë së Tiranës, duke kundërshtuar punonjësit e Policisë Bashkiake që ishin duke kryer detyrën e tyre funksionale, sipas nenit 8 të ligjit nr. 8224, datë 15.05.1997 për Organizimin dhe Funksionimin e Policisë së Bashkisë dhe Komunës (i ndryshuar).
Këta persona, në bashkëpunim kanë shkatërruar derën kryesore të Bashkisë së Tiranës, duke mundësuar hyrjen me forcë në ambientet e institucionit,- thuhet në njoftimin e bashkisë.
Ditën e premte, më datë 3 maj, këshilltarët e të majtës së bashkuar hynë me forcë në ambjentet e bashkisë pasi pretenduan se kryetari Basha kishte pezulluar mbledhjen ‘e ligjshme’ sipas tyre.
Pas hyrjes me forcë në ambjentet e Bashkisë së Tiranës, këshilltarët e majtë kanë votuar në paradhomën e Këshillit për shkarkimin e Njazi Kosovrasit në krye të Këshillit Bashkiak.
Pa praninë e këshilltarëve të djathtë, me 31 vota pro është miratuar shkarkimi i zotit Njazi Kosovrasti, pas tij u bë votimi i Dalipit.