E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dalipi:Elbasani po rritet,gati për fitore edhe në transfertë

Nga Elton Karaj

Mesfushori verdheblu, Endri Dalipi, thekson se ndeshja me Gramozin tregoi vlerat reale të ekipit, që është në formë shumë të mirë

Elbasani nuk fal në “Ruzhdi Bizhuta” dhe këtë gjë e tregoi edhe me Gramozin rival për në superligë. Verdheblutë luajtën një ndeshje të mirë dhe në fund merituan 3 pikët. Endri Dalipi, autori i dy golave, thekson se Elbasani luajti si një ekip kompakt dhe kështu mund tia dalë ndaj çdo kundërshtari dhe jo vetëm në fushën e tij: “Dua ti falënderoj shokët e ekipit për lojën e mirë që zhvilluam përballë Gramozit, që ka ambicie këtë sezon.

E dominuam krejt ndeshjen dhe e merituam fitoren, që arritëm ta siguronim që në pjesën e parë. Them se ajo ndeshje duhet të na shërbejë si një mësim, sepse tregoi se kur luajmë të bashkuar, mund të mposhtim çdo ekip, brenda edhe jashtë fushe, tha dje Dalipi për Sportin shqiptar.

Golat Mesfushori ka marrë rolin e liderit tek Elbasani, ndërkohë që me modesti pohon se golat janë meritë e gjithë ekipit dhe se objektivi personal është gjithmonë në plan të dytë: “Sigurisht që jam mjaft i lumtur që shënova 2 gola të rëndësishëm për ekipin. Këtë nuk e fsheh, por parësore është që Elbasani të fitojë, pavarësisht se kush shënon.

Prandaj dhe më vjen mirë që e ndihmova ekipin për të marrë 3 pikë të çmuara, nisur nga momenti i vështirë që kaluam pas humbjes me Besëlidhjen. Dua që ta ndihmoj gjithmonë Elbasanin, duke shënuar edhe gola të tjerë, ka shtuar futbollisti verdheblu, që ka spikatur sezonet e fundit si golashënues.

Vazhdimi Dalipi mendon se Elbasani është në gjendje mjaft të mirë dhe se gjatë javëve në vazhdim do të tregojë një nivel më të lartë. Sipas tij, ka edhe gjëra për të përmirësuar, por e rëndësishme është që ekipi i ka mundësitë për tu ngjitur në superligë. “Ekipi është në një gjendje mjaft të mirë dhe fitorja me Gramozin sigurisht që na jep më shumë moral për ndeshjet në vijim.

Ndoshta do të kemi vështirësi për shkak të mungesave të Kacolljes dhe Kaçulit, të cilët janë lojtarë mjaft të vlefshëm për Elbasanin. Me rikthimin e tyre mendoj se ekipi do të përmirësohet dhe do të jetë i aftë të fitojë edhe jashtë fushe, pasi do të ketë më shumë siguri në mbrojtje,” – ka përfunduar Dalipi.

Tashmë verdheblutë duhet të përgatiten për ndeshjen e javës së 6-të me Adën në shtëpi, pasi ajo e kësaj jave me Luftëtarin në transfertë është shtyrë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›