Mustafaraj: Gramshi do të tentojë kreun këtë fundjavë
Ekipi i Gramshit duket se po e tejkalon objektivin, teksa ka marrë rezultate pozitive edhe në dy transferta, me Ilirinë dhe Adën. Drejtuesit më të lartë të klubit gramshiot, megjithëse e kanë kontestuar ashpër gjykimin e kryesorit Dervishi, sërish mbeten kryelartë për lojën dhe rezultatin 1-1 në Velipojë. Sipas gramshiotëve, kryesori Dervishi dha një 11-metërsh të paqenë në favor të Adës, ndërkohë që Gramshin e ka masakruar” gjatë gjithë kohës.
Trajneri Mustafaraj shpreson që ndeshja e radhës me Kukësin të fitohet, duke bërë që ekipi i tij të prekë për herë të parë edhe kreun. ”Kemi zhvilluar një lojë të mirë në transfertën e vështirë të Velipojës dhe, po të kishte sadopak drejtësi, do të ishim kthyer me tri pikë. Në kampionatin tonë ka ende mendësi si ato që nuk e pranojnë që një ekip mik të fitojë. Ne do ta ruajmë serinë e rezultateve pozitive dhe që në ndeshjen me Kukësin do të kërkojmë të kapim kreun e renditjes.
Futbollistët gëzojnë një formë të shkëlqyer fizike, por nuk duhet të ketë vend për eufori, pasi Kukësi është dhe mbetet një kundërshtar që nuk mund ta nënvlerësosh, tha për Sportin shqiptar trajneri i Gramshit, Mustafaraj. Ndërkaq, barazimi me Adën do të shoqërohet pa dyshim ne shpërblimin e radhës nga kryebashkiaku Bici, i cili e ka përgëzuar ekipin, duke e njoftuar edhe për shpërblimin aq të merituar. Kjo është ndeshja e dytë që Gramshi shpërblehet për rezultat pozitiv jashtë fushe, pas asaj me Ilirinë.
