E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bakaj: Ti bëjmë Francës atë që na bëri Luksemburgu

Nga Adi Metaliu

Në mungesë të Skelës, Lalës dhe Agollit, Bakaj mund ta nisë titullar: Luajmë pa presion, se skemi çtë humbasim

Nuk pranon ta konsiderojnë të ri në kombëtare, pavarësisht se minutat në fushë i ka pasur të kufizuara. Elis Bakaj, 24 vjeç, duhet të marrë më shumë përsipër në kombëtare, aq më tepër që mesfushës do ti mungojnë tre lojtarë kryesorë (Lala, Skela dhe Agolli), ndoshta edhe Ervin Bulku i dëmtuar. Fundjavën që shkoi ka shënuar një supergol në kampionatin rumun, duke dhënë sinjalin se po vjen momenti i tij: E kam pritur më shpejt golin, por erdhi tani. Në Francë nuk do të shkojmë kokulur, pasi skemi çfarë humbasim.

Elis, në mungesë të Skelës, juve ju jepet më shumë hapësira në formacion, qoftë në ndeshjen e radhës ndaj Francës?

Gjithmonë jam shprehur se çdo lojtar ka dëshirë të luajë sa më shumë. Jam përpjekur të jap maksimumin në ato minuta që më janë besuar. Nëse do të jem titullar ndaj Francës, edhe pse është një ndeshje shumë e fortë, do të jap më të mirën që të justifikoj veten.

E konsideroni fat që mund të luani titullar përballë një skuadre të madhe?

Franca është shumë e fortë dhe ta imponon lojën. Do të jenë ata në përdorim të topit dhe për ne lojtarët ofensivë do të jetë pak më e vështirë. Por është një kënaqësi shumë e madhe që të luash ndaj Francës, veçanërisht në Stade de France.

Ju keni kohë që të prisni të luani nga fillimi me përfaqësuesen?

Nuk më takon mua të vendos. Është në dorën e trajnerit që të bëjë zgjedhjet dhe në dorë të specialistëve për të dhënë mendimin. Kemi të bëjmë me fundin e një cikli, që do të thotë se disa do ta mbyllin, ndërsa të tjerë bëhen më të rëndësishëm. Ne, që nuk mund të konsiderohemi më të rinj, duhet ta justifikojmë veten.

Përfaqësuesja jonë luajti mirë me Francën në pjesën e dytë. A mund të jetë kjo pikë referimi për ndeshjen e radhës?

Për mendimin tim, nuk duhet të luajmë në mbrojtje, pasi skemi çfarë të humbasim. Në dy vjet kemi bërë një ndeshje të dobët, atë me Luksemburgun. Përderisa Luksemburgu na mundi ne, pse të mos pretendojë Shqipëria ti marrë pikë Francës? Për ne ishte një ndeshje tragjike. E kemi vuajtur shumë atë ndeshje, por nuk mund ta hedhim poshtë të tërë sezonin. Në Francë nuk duhet të shkojmë si inferiorë dhe as me kokën ulur. Nuk kemi presion dhe çfarë të humbasim.

Benzema, Riberi dhe të tjerë mund ti mungojnë Francës?

Franca ka shumë lojtarë. Nuk do ti ndiejnë këto mungesa.

Mendoni për Francën apo për Rumaninë?

Mendojmë për Francën, ajo është ndeshja e radhës. Në fillim Franca, pastaj Rumania.

Keni shënuar një gol të mrekullueshëm me Dinamon e Bukureshtit në kampionat. A ishte ky fillimi që prisnit?

E kam pritur më shpejt golin, por erdhi vetëm tani. Po kalojmë një formë të mirë, jemi në vend të parë dhe presim shumë nga ky vit.

Nga shtypi rumun kemi mësuar se trajnerit i keni kërkuar të luani nga fillimi?

I kam kërkuar më shumë minuta, pasi duke luajtur më shumë, do të kem më shumë mundësi për të shfaqur veten.

Si i keni marrëdhëniet me trajnerin?

Shumë të mira. Ai ka besim tek unë dhe më ka aktivizuar dhe unë e kam justifikuar veten.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›