E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dalja në pensionet për 2009-2010

02/11/2009  Kushtet e përfitimit për mësuesit dhe stafet akademike në universitetet

Pensioni llogaritet me 75 për qind të pagës neto mesatare mujore të secilës kategori.

Përcaktohen kriteret e daljes në pension për stafet akademike në universitete dhe mësuesit e arsimit parauniversitar. Specialistët e sigurimeve shoqërore pohojnë se për të gjitha kategoritë që janë afër përmbushjes së kriterit të moshash për të drejtën e pensionit duhet të kryejnë procedurat përkatëse në mënyrë që të përfshihen në skemën e trajtimit që ditën e parë kur u lind e drejta. Ashtu si gjithë kategoritë e tjera, edhe mësuesit e pedagogët duhet të bëjnë një kërkesë pranë agjencive rajonale të sigurimeve të rrethit të tyre, ku dorëzojnë dokumentet përkatëse, të cilat konfirmojnë llojin e përfitimit. Bazuar në ligjin e sigurimeve shoqërore, përcaktohet se pensioni llogaritet me 75 për qind të pagës neto mesatare mujore të secilës kategori.

Kriteret

Mësuesit dhe pedagogët duhet të plotësojnë tri kushte (tashmë të përcaktuara) për t’u përfshirë në skemën e pensioneve për 2009-2010-n. Kriteri i parë është ai i moshës, ku sipas llogaritjeve të bëra nga ekspertët e sigurimeve arrihet për femrat në moshën 58 vjeç, ndërsa për meshkujt në moshën 63 vjeç. Kriteri tjetër ka të bëjë me vitet e punës që mësuesit apo pedagogët duhet të kenë në profesionin e tyre, ku për secilën kategori kërkohen të paktën 35 vjet të siguruara. Ndërsa kriteri i tretë është ai i viteve të siguruara në profesionin përkatës. Megjithatë, specialistët deklarojnë se me kalimin e viteve kriteri i moshës për secilën gjini do të pësojë rritje çdo 6 muaj. Kjo derisa të arrihet mosha e daljes në pension për femrat 60 vjeçe, ndërsa për meshkujt 65 vjeç, çka do të thotë se rritja e kriterit “moshë” do të vijojë edhe për tre vjetët e ardhshëm. Gjithashtu ekspertët sqarojnë se për të dyja kategoritë do të njihen si vjetërsi pune edhe vitet e shkollës së lartë për femrat dhe vitet e shërbimit ushtarak për meshkujt. Që të dyja këto raste duhen dokumentuar me librezën e notave së bashku me vulat përkatëse si dhe vërtetimin e lëshuar nga dega e ushtarake. Konkretisht për femrat që kanë mbaruar dy fakultete, sipas ligjit merret si vjetërsi shërbimi vetëm koha e ndjekjes së njërit fakultet, (jo më shumë se 6 vjet), ndërkohë që për vitet që janë trajtuar me ndihmë ekonomike apo kur kanë kryer periudhën e zboreve ushtarake nuk do të ketë njohje të tyre si vjetërsi pune, pasi këto vite janë të përfshira në vitet studimore (pavarësisht afatit kohor në të cilin janë kryer).

Dokumentet

Për të gëzuar të drejtën e pensionit që në ditën e parë të mbushjes së kriterit “moshë” këto kategori duhet të dorëzojnë kërkesën për përfitim pranë agjencive para datës 30 qershor të viti 2010. Dosja e dokumenteve përfituese duhet të përmbajë: librezën e punës të plotësuar deri ditën e fundit, që është paguar me rrogë (për meshkujt që janë përfshirë në shërbimin ushtarak të detyruar, kërkohet libreza ushtarake); certifikatë personale me fotografi; certifikatën e gjendjes familjare dhe certifikatë martese (vetëm për femrat); vërtetim i pagës nga 1 janari i vitit 1994 deri ditën e ndërprerjes së marrëdhënieve financiare (këto vërtetime plotësohen nga punonjësit e financës, të cilët janë të specializuar në këtë punë); nevojiten edhe dokumente të tjera, si kopja e noterizuar e diplomës së shkollës së lartë për femrat, kërkesa për pension, që është një formular i gatshëm, që merret në qendrën e fundit të punës, ku shënohet edhe adresa e banimit, numri i telefonit, etj. Organet e sigurimeve shoqërore përcaktojnë pagesën deri në 60 ditë kalendarike.

Pensionet e reduktuara

Këto kategori kanë të drejtë të aplikojnë edhe për pension të reduktuar për rastet kur nuk kanë arritur të plotë kriterin “moshë”. Megjithatë, trajtimi me pensione të reduktuara ka kriteret e saj përfituese. Kështu, femrat mund të përfitojnë këtë lloj pagese vetëm në rastet kur kanë arritur kufirin e moshës 57-vjeçe, ndërsa për meshkujt kufiri i moshës është 62 vjeç. Të dyja gjinitë duhet të kenë detyrimisht 35 vjet punë të siguruara, por jo detyrimisht në këtë profesion. Përfshirja në këtë skemë bëhet me kërkesën e vetë individit, ndërkohë që llogaritet me 0,6 për qind në muaj më pak se pension i plotë. Ky lloj përfitimi mbetet i tillë edhe pas mbushjes së kriterit të plotë të moshës.

Tërheqja

Pas zyrtarizimit të së drejtës së përfitimit mësuesit dhe stafet akademike mund të tërheqin pagesën përkatëse çdo muaj. Ndërkohë për rastet kur pagesa nuk tërhiqet për disa muaj, ajo mund të merren në çdo kohë për një hark kohor prej tre vjetësh. Gjithashtu edhe për këtë kategori lejohet tërheqja e pensionit nga i afërmi me autorizim në rastet kur nuk mund të paraqitet vetë pranë agjencisë përkatëse të sigurimeve. Për këto raste është e detyrueshme që ky autorizim jo vetëm që duhet të jetë i noterizuar, por nuk duhet të ketë afat më shumë sesa 6 muaj. E drejta e pensionit nuk ndërpritet në rast se këto kategori pas mbushjes së kritereve angazhohen sërish në punë, e cila duhet të jetë pranë sektorit privat.

Ndërprerja

Legjislacioni i sigurimeve shoqërore ka të përcaktuara edhe rastet kur ndërpritet marrja e pensionit, jo vetëm për kategoritë që kanë mbuluar arsimin e lartë, por dhe ata të arsimit parauniversitar. Konkretisht në ligj thuhet se ndërpritet e drejta e trajtimit me pension në të gjitha rastet kur stafet akademike ose mësuesit i rikthehen aktivitetit të punës në sektorin publik. Ndërkohë marrja e pensionit do të jepet vetëm pasi ata të kenë lënë sërish punën në sektorin publik. Pagesa shpërndahet me të gjitha shtesat përkatëse dhe, kur kanë punuar mbi moshën, jepen edhe 0.34 për qind shtesë pensioni. Në këtë hark kohor ata janë të detyruar të paguajnë sërish kontribute në skemën përkatëse të sigurimeve.

Drejta e pensioneve për 2009-2010

Mosha e përftimit

Për burrat arrihet në moshën 63 vjeç

Për gratë arrihet në moshën 59 vjeç

Vjetërsia e punës

Për të dyja rastet kërkohen 35 vjet të siguruar, por jo detyrimisht në këtë profesion.

Rritja e moshës

Skema e daljes në pension do të rritet çdo 6 muaj deri në vitin 2013.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›