E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bonot e privatizimit, si do të kthehen te qytetarët

02/11/2009  Projekti për sipërmarrjet e investimeve kolektive diskutohet në Komisionin e Ekonomisë

Qytetarët do të marrin bonot e privatizimit që kanë depozituar në fondet e investimeve. Projektligji vijon të diskutohet këtë të hënë në Komisionin e Ekonomisë dhe synon shfuqizimin e ligjit nr. 7979 të vitit 1995 “Për fondet e investimit”. Sipas dispozitës kalimtare të këtij projektligji do të jetë Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare që do të nxjerrë aktet nënligjore për fondet e investimeve. “Me hyrjen në fuqi të këtij ligji të gjitha bonot e privatizimit të investuara në fondet e investimit të krijuara me ligjin e vitit 1995 “Për fondet e investimeve” iu rishpërndahen individëve. Ministri i Financave me udhëzim rregullon procedurat dhe afatet e rishpërndarjes”, - thekson dispozita kalimtare e projektligjit.

Tregu

Aktualisht, në Shqipëri nuk ka institucione të investimit në tituj, përveç investimeve në bono thesari, të cilat realizohen kryesisht nga bankat tregtare vendase. Ekspertët kanë theksuar se vënia në zbatim e këtij projektligji do të krijojë hapësirën e duhur për zhvillimin dhe rritjen e tregut të titujve. Projektligji për fondet e investimeve i vitit 1995 në praktikë nuk funksionoi, pasi asnjë fond investimi kolektiv në Shqipëri nuk pati sukses. Në vendin tonë kanë ekzistuar tre fonde investimesh ku qytetarët kanë depozituar letrat e tyre me vlerë kundrejt pagesës dhe më i njohuri mbetet Anglo-Adriatica. Ky fond humbi të drejtën për tu aktivizuar në privatizime nëpërmjet bonove për shkak se leja e aktivitetit skadoi në vitin 2000, ndërkohë që qeveritë e mëparshme nuk i dhanë të drejtë blerjeve të pronës publike me bono. Aty kanë depozituar bono privatizimi rreth 47 mijë familje dhe me një vlerë rreth 10 miliardë lekë.

Risitë

Hartuesit e relacionit theksojnë se fondet e investimeve kolektive kërkojnë një rregullim ligjor të mirë, për ti dhënë mundësi Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare ti zhvillojë dhe nxisë këto sipërmarrje të investimeve kolektive. Synimi kryesor i këtij projektligji është të sigurojë një mbrojtje efektive të interesave të investitorëve, të cilët nxiten nga ofertat e operatorëve të këtyre skemave. Investitorët në këto fonde janë institucionet dhe gjithashtu individë dhe secili prej këtyre grupeve të interesit kanë nevojë për nxitje, për të marrë pjesë në skemat e fondeve kolektive. Investitorët individë zakonisht janë të prirur drejt investimeve afatshkurtra, ndërkohë që investitorët institucionalë janë të prirur të jenë pjesë e strategjive të investimeve afatgjata, në tregun e titujve, pra në bursë, duke ndihmuar kështu në krijimin e tregut të qëndrueshëm. Tregu i kapitalit në vend është i paorientuar. Shkak është bërë mungesa e kuadrit ligjor, i cili ka nisur të plotësohet gjatë dy viteve të fundit, por ende kërkon një plotësim me rregullore të posaçme. Aktualisht hartuesit e ligjeve janë duke plotësuar paketën ligjore me tre projektligje që formojnë kuadrin e plotë të tregut të kapitalit.

Administratorët

Projektligji sjell një koncept të ri për kriteret që duhet të plotësojnë aksionerët dhe administratorët e shoqërive administruese. Ai përmban dispozita të veçanta për parandalimin e konfliktit të interesit nga këta persona gjatë ushtrimit të roleve të tyre në shoqërinë administruese. Projektligji ka synuar rritjen e përgjegjshmërisë dhe të llogaridhënies së personave, të cilët administrojnë fondet e sipërmarrjeve të investimeve kolektive.

Sipërmarrjet

Projektligji parashikon dy lloje sipërmarrjesh të fondit kolektiv të investimeve, njëra e emërtuar “Fond investimi”, që nënkupton një fond me kapital të hapur, të themeluar sipas këtij projektligji, me ofertë publike të titujve. “Fondi furnizues" është një fond që investon vetëm nëpërmjet një fondi tjetër, që është fondi kryesor dhe "fondi ombrellë" është një fond që përmban një numër nënfondesh të ndryshme, me politika të ndryshme investimi.

Detyrimet

Projektligji përfshin detyrimet e agjentëve, procedurat për tu ofruar mundësi investimi në Shqipëri subjekteve të një shteti anëtar të Bashkimit Evropian dhe anasjelltas, rregullat për marketimin dhe promovimin për fondet e investimit. Lloji i dytë i sipërmarrjes së fondit kolektiv të investimeve është "Shoqëria e investimit", që nënkupton një fond me kapital të mbyllur, të themeluar si shoqëri aksionare, e cila mund të jetë me ofertë publike ose me ofertë private.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›