Dalja nga Ahtisaari rrezikon normalizimin e marrëdhënieve

Ndërsa nëse ka komunikim të rregullt dhe nëse informohet rregullisht nga kryeministri dhe pse është takuar me të gjithë të tjerët dhe nuk është takuar vetëm me Kryeparlamentarin, Krasniqi nuk ka dhënë edhe aq përgjigje të drejtpërdrejtë përveç që ka thënë se Thaçi ka zgjedhur vetë këtë formë të Komunikimit.
Kryeparlamentari duke folur për dialogun e filluar për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, ka thënë se është e nevojshme të dialogohet në përmirësimin e jetës së qytetarëve, por në rast të daljes nga pakoja e Ahtisaarit, atëherë më shumë do të dëmtoheshin proceset se sa të avancoheshin në normalizim të marrëdhënieve.
"Unë nuk dua të jem paragjykues. varet shumë nga ata që bisedojnë se si do të arrijnë marrëveshjet. Por gjithnjë po mbes aty nëse tejkalohet dokumenti gjithëpërfshirës i cili ka bërë një zgjidhje më fatlume sa i përket komunitetit pakicë se vendet e tjera të rajonit, unë mendoj se më tepër mund të i dëmtoj çështjet se sa të ndihmojë", ka theksuar Krasniqi.
Ndërsa në pyetjen nëse ka komunikim të rregullt dhe nëse informohet rregullisht nga kryeministri për çfarë ndodh në këto takime, pasi pas takimit të parë me kryeministrin serb, Ivica Daçiq, Thaçi nuk është takuar si me presidenten apo përfaqësues të një pjesë të opozitës, Krasniqi nuk ka dhënë edhe aq përgjigje të drejtpërdrejtë.
“Unë kam qenë i njohur se edhe Rezoluta e miratuar në Kuvend ka qenë për ato bisedime që janë zhvilluar. Ne kemi pasur një takim në kuadër të Partisë Demokratike dhe aty ka qenë kryesia dhe unë jam pjesë e saj dhe nuk jam në atë drejtim i panjohur. Në vijën institucionale natyrisht ka zgjedhur formën e vet të informimit”, ka thënë Krasniqi.
Ai nuk ka parapëlqyer ta komentojë edhe aq përfoljet për një koalicion të mundshëm të PDK-së me AAK dhe as për kërkesën e kësaj të fundit që të qeverisë me vendin, duke shtuar se qeverisja me vendin i takon partisë që fiton zgjedhjet.
"Unë nuk dua të bisedoj për çka nuk kemi biseduar. Për çështje që bluhet në kokat e individëve dhe dëshirat e tyre është diçka tjetër. Unë e mbroj faktin që partitë politike kanë dal në zgjedhje me qeverisë vendin dhe populli, qytetarët e kanë përcaktuar kush duhet të qeverisë vendin dhe këtë e qeverisë subjekti i cili merr më se shumti vota. Çdo shmangie nga kjo është mos respektim i vullnetit qytetar", ka deklaruar ai.
Gjatë intervistës për Agjencinë e lajmeve Kosovapress, Krasniqi ka folur edhe zhvillimet përbrenda Partisë Demokratike të Kosovës, duke shtuar se ka gjëra të cilat duhet korrigjuar. Sipas tij, në PDK, janë futur njerëz që jo vetëm se nuk do të merrnin votën e qytetarëve, por edhe as të anëtarësisë së PDK-së.
"Po kanë ardhur njerëz që jo veç që nuk do të merrnin votën e qytetarëve, nuk do të merrnin votën as të Partisë Demokratike, prandaj e vetmja mënyrë për të fuqizuar Partinë Demokratike është që në krye të saj të vijnë njerëz që i donë anëtarësia, të vijnë njerëz që i duhen këtij vendi, të vijnë njerëzit që i avancojnë proceset demokratike. Kjo është një kërkesë jo vetëm politike por edhe njerëzore të them kështu. Ai që kontribuon, ai djersitet, ai që mundohet në fund të fundit le të merr edhe shpërblimin", ka thënë Krasniqi.
Ndërsa rreth kritikave që bënë në adresë të drejtuesve më të lartë të partisë, si për çështjen e anashkalimit të forumeve të partisë dhe çështje të tjera, Krasniqi shprehet se këtë e bën për ta forcuar PDK dhe demokracinë e saj të brendshme.
“Demokracia nuk e njeh mendimin uniform, e njeh mendimin e kundërt, e njeh debatin e njeh idetë dhe ne jemi që të i përballim mendimet, të i përballim idetë dhe të fiton ajo që është më e mira ose në fund të fundit ajo që ka më shumë partizan se idetë mund të jenë të mira por mos të kenë shumë partizan, ose të mos jenë të mira por të kenë partizan do të varet nga niveli i përgatitjes edhe kulturore edhe intelektuale edhe politike kështu”, ka thënë ai.
E për anëtarin më të ri të kësaj partie, Kadri Veseli, Krasniqi ka thënë se Veseli nuk ka munguar në vendimmarrje në PDK.
"Shikoni ndoshta unë nuk kam dashtë të më bëni këtë pyetje, është mirë që Kadri Veseli e ka formalizuar të qenit në Partinë Demokratike, por nuk ka munguar në vendimmarrje edhe deri më tani në Partinë Demokratike", ka theksuar ai. /Kosovapress/