Dallku: Preferoj një trajner shqiptar
Mbrojtësi i Vorskla Poltavës, Armend Dallku shprehet në lidhje me punën që po kryehet në kuadër të miqësoreve ndaj Azerbajxhanit e Maqedonisë si dhe shpreson që të rinjtë të zëvendësojnë denjësisht veteranët
Përgatitjet në Durrës për ndeshjet miqësore me Azerbajxhanin edhe Maqedoninë po vijojnë me ritme të larta, pavarësisht se mungon ai që duhet të udhëheqë kampin stërvitor. Pavarësisht gjithçkaje, lojtarët e dinë se duhet të japin maksimumin. “Një ndeshje duhet parë në kompleks dhe të gjithë duhet të mendojnë si për mbrojtjen dhe për sulmin. Sakaq kemi pasur edhe paqëndrueshmëri në drejtim ku në dy ndeshje ka drejtuar Mustedanagiç dhe më pas erdhi prapë Kuzhe. Sakaq gjykoj se tani me afrimin e disa të rinjve themi të bëjmë hapa përpara,” ka deklaruar mbrojtësi i Vorskla Poltavës, Armend Dallku, që më pas vijon të shtjellojë idenë e tij rreth trajnerit. “Përsa i përket trajnerit, mua do më pëleqne që ai të ishte shqiptar pasi do ta kishim më të thjeshtë që të kuptoheshim dhe ne si lojtarë të realizonim në fushën e lojës emdnimet dhe idetë e tij, por nuk është e thënë që të kesh trajner shqiptar skuadra mund të ecë mirë dhe anasjelltas po të kesh të huaj do dështosh. Këto gjëra nuk janë të prera me thikë, pasi gjithkush kur merr një skuadër në drejtim mendon të bëjë më të mirën paçka se nëse ia arrin apo jo,” komenton Dallku.
Më pas, ai prek edhe çështjen e largimeve të veteranëve, të atyre lojtarëve që për thujase një dekadë kanë mbajtur mbi shpinë peshën e skuadrës kombëtare. Për Dallkun, të zëvendësohen elementë të tillë nuk është aspak e lehtë. “Normal që si për të gjithë vjen një moment që largohesh nga kombëtarja dhe në rastin konkret na bie ne të rinjve që të zëvendësiojmë lojtarë si Skela, Lala apo edhe Duro. Gjykoj se kjo skuadër ka elementë të rinj që mund të jenë të denjë të zbresin në fushën e lojës dhe të luajnë në maksimumin e tyre për të bërë të mundur që të mos ndidhet mungesa e veteranëve. Emocione? Për mua jo pasi luaj me kombëtaren prej disa vitesh, por për ata që kanë rishtazi sigurisht që ka emocione ndaj në gjykimin tim duhen mirëkuptuar dhe u duhet lënë pak kohë që të ambientohen. Çdo trajner kur vjen në drejtim mundohet të bëjë më të mirën, ndaj gjykoj se paçka se skuadra nuk ka marrë rezultate shumë të mirë, ka deri diku një rritje. Për mua është e rëndësishme që trajneri të jetë i aftë që të transmetojë në mënyrën më të thjeshtë të mundshme idetë dhe mendimet te lojtarët me qëllim që këta të fundit të mund të realizojnë atë që ai dëshiron. Nëse funksionon kjo gjë atëherë rezultate vijnë,” përfundon Dallku.
Salihi e Hyka: Miqësoret, konstruktive
Edhe Hamdi Salihi e Jahmir Hyka shkojnë bashkë me rrymën përsa u përket ndërrimit të brezave. “Normalisht që për të gjithë ne të rinjtë është përgjegjësi e madhe që të zëvendësojmë lojtarët si Skela, Lala apo Duro. Besoj që të gjithë të rinjtë janë të gati të shfrytëzojnë shansin dhe të jenë të gatshëm për Kombëtaren. shpresojmë të krijojmë një grup sa më të mirë, ky është edhe objektivi i trajnerit, pasi synojmë të bëjmë paraqitje sa më të mira në këto eliminatore,” është shprehur shtatshkurtri Hyka që militon në kampionatin zviceran. Ndërsa Salihi i mëshon faktit se edhe ndeshjet miqësore janë vlerësuar në maksimum. “Ndoshta nga opinioni duket si një ndeshje jo të rëndësishme, edhe sepse ekliminatoret nisin një vit më pas. Por në të vërtetë ne i kemi vlerësuar shumë dhe po bëhen të gjitha përgatitjet si për të gjitha ndeshjet e tjera,” ka përfunduar Hamdi Salihi.