E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dallku, titullar në formacionin e trajnerëve virtualë

Armend Dallku është përfshirë në formacionin më të mirë të eliminatoreve të Botërorit 2010. Në prag të ndeshjeve të treta dhe të katërta në grupet kontinentale, mbrojtësi kuqezi ndodhet në 11-shin ideal të lojës i "FIFA World Cup Fantazy Game", organizuar nga faqja zyrtare e FIFA-s. Bëhet fjalë për përzgjedhjen e një formacioni nga "trajnerë virtualë", e ku vlerësimi i futbollistëve (me pikë) bëhet në bazë të rezultateve që arrijnë skuadrat në sfidat eliminatore. Dallku ndodhet në këtë formacion për tre arsye kryesore: ka luajtur si titullar në 180 minutat e para (me Suedinë dhe Maltën), Shqipëria nuk ka pësuar asnjë gol në dy ndeshje (kjo nuk e ka penalizuar në vlerësim) dhe më kryesori është se ka shënuar një gol (atë që vulosi shifrat finale 3-0 me Maltën). Në formacionin më të mirë, i përzgjedhur me skemën 4-3-3 në portë qëndron "gardiani" i El Salvator, Huan Gomes. Ndërsa mbrojtja, përveç 25-vjeçarit Dallku, plotësohet nga Kapdevila i Spanjës, letonezi Stankevicius dhe greku Torosidis. Në mesin e fushës vlerësime të larta ka marrë italiani Daniele De Rosi, përkrah të cilit qëndrojnë Klint Dempsi (SHBA) dhe Serhij Nazarenko. "Tredhëmbëshi" sulmues përbëhet nga greku Teofanis Gekas, neozelandezi Shane Smeltz dhe golashënuesi më i mirë i Euro 2008, spanjolli David Vija.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›