E Shtunë, 31 Tetor 2026

Traku i makinave, në pranga dora e fundit

Denoncuesit e huaj, zhduken. Akuza jep alarmin se automjetet duhet të kontrollohen në dogana dhe jo pasi të targohen

Trafiku i mjeteve motorike vazhdon të jetë një problem konstant për drejtësinë shqiptare, e cila ka prangosur dhe hetuar vetëm “dorën” e fundit, pra personin që ka automjetin në pronësi, duke e akuzuar për falsifikim të dokumenteve. Sipas të dhënave të administruara në Prokurorinë e Përgjithshme, rezulton se qindra automjete futen çdo vit në Shqipëri me targa të huaja dhe pasi lëvizin për një periudhë të gjatë, targohen nga poseduesit e tyre shqiptarë, të cilët pretendojnë se e kanë blerë mjetin në një vend të huaj, duke paraqitur edhe kontratat përkatëse. Ndërkohë, në vendin e huaj mjeti regjistrohet si i grabitur dhe të dhënat e automjeteve regjistrohen nga Interpoli. Sipas akuzës qendrore, policia kufitare shqiptare duhet të ketë akses në këtë databazë të policisë ndërkombëtare, pasi shumë qytetarë shqiptarë janë vënë nën akuzë për falsifikim dokumentesh, megjithëse pronën e kanë blerë me dokumente të rregulla, madje edhe të targuar. Problemi, sipas prokurorisë, qëndron në mënyrën e zhdoganimit të automjetit.

Hetuesit që merren me të tilla çështje tregojnë se grupet kriminale të trafikut të mjeteve kanë krijuar një skemë. Fillimisht, me çmime të ulëta të tregut blejnë automjetet te personat e huaj. Më pas i sjellin në Shqipëri, duke vendosur menjëherë zhdoganimin dhe targimin e tyre, duke e shitur me çmimet e tregut, ndërsa pas këtij veprimi kontaktojnë shtetasit e huaj. Këta të fundit denoncojnë në polici se automjeti është vjedhur. Të dhënat e mjeteve regjistrohen menjëherë te regjistri i automjeteve të vjedhura në Interpol.

Policia shqiptare, në dhjetëra raste gjatë kontrolleve evidenton automjetet e vjedhura, duke dërguar për ndjekje penale vetëm personin që disponon automjetin dhe jo personin nga i cili është vjedhur. Dosja mbërrin në prokurori, ku fillimisht merret në pyetje “pronari” i fundit i automjetit. Në të shumtën e rasteve, këta persona deklarojnë emrat e personave nga të cilët kanë blerë mjetin. Në të njëjtën kohë, gjatë zhvillimit të hetimeve policia e sekuestron këtë automjet, ndërsa procedura e rimarrjes nga pronari është shumë e gjatë. Për të vërtetuar se mjeti është i vjedhur, organi i akuzës dërgon letër-porosi në shtetin ku është deklaruar i vjedhur ky mjet. Veprimet duan kohën e nevojshme, pasi letrat të kalojnë nga dora në dorë, fillimisht në Prokurorinë e Përgjithshme e më pas në Ministrinë e Drejtësisë, dhe pas shumë burokracive të mbërrijnë në shtetin përkatës. Ndërkohë, në Shqipëri mjeti është i bllokuar dhe në shumë raste pronarët e fundit i kanë braktisur, pasi akuzohen për falsifikim dokumentesh.

Organi i prokurorisë mendon se për të rregulluar këtë problem duhet që të gjitha mjetet të kontrollohen në pikat doganore. Megjithatë, problemi për pronarët “e fundit” të mjetit nuk mbaron me kaq, pasi nëse automjeti nuk deportohet, ai i kalon shtetit. Thashethemet për këto probleme kanë prekur edhe organin e prokurorisë, i cili, në dhjetëra raste i “përvetëson” automjetet e vjedhura, duke i përdorur për lëvizjen e njerëzve të akuzës në banesa dhe gjykata. Në një rast, një prokuror në akuzën qendrore i ka kërkuar shoferit të tij të mos largohet për asnjë çast nga automjeti, pasi pronari i tij “i fundit” ka një kopje të çelësave dhe mund ta rimarrë nga çasti në çast, pasi mendon se sekuestrimi është kryer në mënyrë të paligjshme.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›