Dani Alves: Kemi ende gjëra për të ndrequr

Mbrojtësi brazilian, Dani Alves e pranon se Barcelona është një kantier në ndërtim, por beson se trajneri Gerardo Martino do të regjistrojë suksese më të mëdha se sezoni i shkuar.
Pavarësisht fitores 4-0 ndaj Ajaxit, braziliani beson se skuadra do të përmirësohet edhe më shumë në të ardhme. “Jemi ende në një fazë tranzicioni sepse për të dhënë më të mirën tonë duhet të punojmë shumë. Jemi në rrugën e duhur sepse edhe pse kemi bërë ndryshime të mëdha, vazhdojmë të fitojmë”. Në vijim, mbrojtësi sqaron se skuadra po përpiqet të aplikojë një filozofi të re.
“Ajo që ne bëjmë tani nuk është shumë e ndryshme nga e shkuara por po fusim në lojë elementë të rinj për fazën mbrojtëse por edhe në repartin e sulmit ku lojtarët kryesorë të skuadrës duhet të kenë raste të bollshme për të shënuar. E dimë shumë mirë se kemi ende punë për të bërë pasi duhet të ushtrojmë më shumë presion apo të luajmë të bashkuar si një ekip i vetëm”.
30-vjeçari nuk harron të përgëzojë edhe bashkëkombasin Neymar për paraqitjet e tij. Ai shton se ish sulmuesi i Santosit është një nga më të mirët në botë dhe po mëson shumë për t’u përshtatur sa më mirë me skuadrën./indeksonline/