E Shtunë, 31 Tetor 2026

Danimarka do t’i ndihmojë diplomacisë kosovare

Zëvendësministri i Jashtëm i Kosovës Petrit Selimi priti në takim ministrin për Çështje Evropiane në Qeverinë e Danimarkës, Nicolai Wammen. Në takimin e përzemërt, zëvendës diplomati i parë i Republikës së Kosovës njoftoi mysafirin danez për proceset diplomatike në të cilat po kalon Kosova, njohjet, anëtarësimet dhe dialogun me Serbinë.
Ministri Wammen i cili e vizitoi herën e fundit Kosovën si pjesëmarrës i konferencës vjetore të MPJ së Kosovës ”Germia Hill”, kësaj radhe u fokusua në ofrimin e ndihmës në proceset e rëndësishme që e presin Kosovën, sidomos në kontekst të integrimeve evropiane dhe në anëtarësimet në organizma dhe instrumente të BE-së.

Zëvendësministri Selimi kërkoi ndihmën e Danimarkës në konsolidimin multilateral të Kosovës dhe në rritje të interaksionit formal me trupa Pan-Evropianë dhe agjenci ndërkombëtare, si dhe në proceset e ardhshme që e presin Kosovën në kuadër të integrimeve Euro-Atlantike në BE dhe NATO.

Zëvendësministri Selimi tha se Kosova me dialog dhe me vendimin e GJND-së më 2010 ka shlyer të gjitha argumentimet e mundshme që disa shtete kanë pasur kundër njohjes.

“Tani duhet punuar së bashku në anëtarësime në trupa dhe mekanizma evropianë për t’u ofruar qytetarëve të Kosovës të njëjtat mundësi sikurse të gjithë evropianëve të tjerë”, tha Selimi.

Ministri për Çështje Evropiane në Qeverinë e Danimarkës, Nicolai Wammen deklaroi se Danimarka do ta ndihmojë Kosovën gjithkund ku aplikon për anëtarësi dhe do të jetë pranë edhe në lobim me shtetet nga BE-ja që nuk e kanë njohur Kosovën.

Në këtë aspekt, dy bashkëbiseduesit janë pajtuar se sinjalet nga shtetet e ndryshme pas arritjes së marrëveshjes me Serbinë, ofrojnë bazë të mirë për të përfunduar procesin e njohjeve./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›