Projekti për ngrohjen e Prishtinës me avull nga “Kosova B”, në vështirësi

Projekti për ngrohjen qendrore të Prishtinës ku në vend të qymyrit do të shfrytëzohet avulli i termocentralit “Kosova B”, i paraparë të përfundojë gjatë periudhës 2013-2014, po has në vështirësi në realizimin e tij.
Kjo pasi që banorët e Obiliqit konsiderojnë se janë të anashkaluar. Ajet Berisha, këshilltar komunal i Obiliqit nga radhët e Lëvizjes për Bashkim ka thënë se Komuna e Prishtinës po mendon vetëm për vete dhe më këtë projekt po e shfrytëzon Komunën e Obiliqit.
Ndërkaq Arsim Janova, drejtor i “Termokosit” ka thënë se e kupton vullnetin edhe të banorëve të Obiliqit, por sipas tij ky qytet nuk ka rrjet as primar e as sekondar nëpër objektet e tyre. KTV-ja ka tentuar të fliste edhe me kryetarin Mehmet Krasniqi, por me gjithë insistimin e vazhdueshëm, ai nuk ka dashur të prononcohej.
Ky është një projekt i përbashkët i Komunës së Prishtinës, ndihmuar nga fondet evropiane, ide e vjetër kjo por e riaktualizuar sërish para 3 vjetësh, për të cilën janë alokuar rreth 30 milionë euro./Indeksonline/