Danimarka mbështet integrimin e Shqipërisë në BE
Kryetarja e Kuvendit Topalli takon homologun danez Lykketoft: Rritja ekonomike e Shqipërisë, unike në këtë kohë krize globale
Danimarka mbështet Shqipërinë në rrugën e saj të integrimit europian. Pas takimit në Tiranë me zonjën Jozefina Topalli, kryetari i parlamentit danez, Mogens Lykketoft tha se zgjerimi i BE-së me vende të rajonit të Ballkanit Perëndimor kishte qenë pjesë e rëndësishme e diskutimeve mes tyre. “Patëm një diskutim shumë të suksesshëm dhe shumë të mirë me zonjën Topalli, të çështjeve të një rëndësie të përbashkët, çështje që kanë të bëjnë me zgjerimin e Bashkimit Europian dhe çështje që kanë të bëjnë me rritjen ë bashkëpunimit dhe rritjen e zhvillimit të Ballkanit Perëndimor në mënyrë që ky rajon të bëhet pjesë e BE. Diskutuam po ashtu çështje me interes të posaçëm për Shqipërinë në mënyrë që ajo të integrohet plotësisht më tej në mënyrë që të vazhdojë përpjekjet e saj në procesin e statusit kandidat”, vuri në dukje Lykketoft.
Për herë të parë në historinë e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Danimarkës, një Kryetar i parlamentit danez viziton vendin tonë, duke iu përgjigjur ftesës së Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli. Vizita e Kryetarit të Parlamentit të Danimarkës, Mogens Lykketoft, një ndër personalitetet më të larta të politikës daneze dhe europiane vjen në 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë dhe pak ditë pasi Komisioni Europian ka rekomanduar dhënien e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë.
“Jam i lumtur që ve re se Shqipëria ka një transformim të jashtëzakonshëm, me ndryshime të thella pozitive, nënvizoi zoti Lykketoft, dhe kjo është një nga arsyet se pse jam shumë i kënaqur që jam sot këtu. Ky progres është evidentuar edhe në raportin e fundit të KE-së dhe ky është një fakt shumë pozitiv. Ne në Danimarkë jemi të impresionuar nga progresi i Shqipërisë dhe mbështesim fuqimisht aspiratën europiane të shqiptarëve. Shqipëria është një faktor stabiliteti në rajon dhe Europa duhet ta kuptojë e ta vlerësojë këtë fakt”, theksoi ai.
Nga ana e saj, kryetarja e Kuvendit Topalli u shpreh se ndihet e nderuar dhe e privilegjuar që pret në Tiranë një figurë politike të këtij niveli të lartë si zoti Lykketoft.
“Kjo është vizita e parë e një kryeparlamentari të Danimarkës, e këtij vendi që ka mbështetur dhe do të vijojë të mbështesë Shqipërinë në procesin integrues. Njëkohësisht Danimarka ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm dhe për Kosovën. E vlerësoj shumë të rëndësishme vizitën e zotit Lykketoft, vizitë kjo në kuadër të 100 vjetorit të Pavarësisë”, u shpreh Topalli.
Më pas kryetarja e Kuvendit theksoi se përshpejtimi i hapave drejt anëtarësimit në BE është krejtësisht i mundshëm dhe urojmë që opozita do të tregohet e përgjegjshme e të votojë ligjet e integrimit në të mirë të së ardhmes europiane të Shqipërisë. Duke u ndalur në zhvillimet në rajon kryetarja e Kuvendit falënderoi Danimarkën për mbështetjen dhënë Kosovës, duke u shprehur optimiste për të ardhmen e këtij vendi.
Lykketoft, ish Ministër i Ekonomisë dhe Financave vlerësoi rritjen ekonomike të Shqipërisë si unike në këtë kohë të krizës europiane dhe globale.
Kryetari i Parlamentit të Danimarkës, Mogens Lykketoft ndodhet për një vizitë dy ditore në Tiranë me ftesë të Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli. Në ditën e sotme të vizitës së tij zyrtare, Kryetari i Parlamentit të Danimarkës, Lykketoft do të zhvillojë takime me Presidentin e Republikës së Shqipërisë,Bujar Nishani, me Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha si dhe me Ministrin e Punëve të Jashtme, Edmond Panariti.