E Shtunë, 31 Tetor 2026

Darka e Strasburgut, pritet hetimi i materialeve zgjedhore

Rama shprehet optimist për rezultatet e takimit. Ndërsa Berisha komenton ushqimin: “Më shijoi”

Eljona Ballhysa
Duket se e vetmja arritje pozitive e darkës së mbajtur në Strasburg mes Ramës e Berishës ka qenë rënia dakord për hapjen e kutive me materialet zgjedhore. Këtë e ka konfirmuar dje kryetari i opozitës, Edi Rama, i cili u shpreh optimist për arritjen e një marrëveshjeje konsensusi gjatë afatit dyjavor të vënë nga ndërkombëtarët. Ndërsa kryeministri Berisha ka qenë më i kursyer në dhënien e detajeve rreth bisedimeve për zgjidhjen e krizës. Kryeministri më gjatë ka komentuar ushqimin duke thënë se i kishte shijuar dhe se kjo kishte qenë një ndër darkat më të këndshme për të. Berisha, madje, sapo zbriti nga avioni në Aeroportin e Rinasit, dje rreth orës 18:00, shfrytëzoi rastin të bëjë humor me kundërshtarin e tij politik. Sipas Berishës, në përfundim të darkës, një zë, duke nënkuptuar Ramën, i kishte thënë atij se i takonte të paguante darkën. “Gjithçka lidhet me personin e tij. Të lutem, priteni kur të kthehet dhe pyesni atë. Se dëgjova një zë që tha se ‘këtë darkë të takon ta paguash ti’”, - është shprehur Berisha duke buzëqeshur.
Maxhoranca
Kryeministri gjithashtu bëri të ditur se gjeti mbështetjen e ndërkombëtarëve, të cilët, sipas Berishës, kërkuan që hetimi i zgjedhjeve të realizohet në respekt të plotë të Kushtetutës, ligjeve të vendit dhe vendimeve të gjykatave. “Darka në restorantin ‘Crocodile’ në Strasburg ishte një nga darkat më të shijshme. Unë e dua shumë Strasburgun, sepse është një qytet me histori frymëzuese. Darka, sigurisht që nuk ishte darkë ahengu, por darkë pune. Mund t’ju them se te të pranishmit spikati qartësisht vendosmëria për respektimin e plotë të Kushtetutës, kuadrit ligjor dhe vendimeve të gjykatave në zgjidhjen e këtij problemi. Ajo çka duhet të them është se qëndrimet e tyre ishin në sintoni dhe me qëndrimet e mëparshme si të Komitetit Presidencial dhe Byrosë Parlamentare të KE-së, si dhe të deklaratave të përsëritura të Brukselit, ndaj dhe unë dua t’ju përshëndes. Mund t’ju them se ishte një darkë e këndshme”, - është shprehur Berisha dje me të mbërritur nga Strasburgu në Tiranë.
Opozita
Kryetari i Partisë Socialiste e vlerësoi takimin në Strasburg duke u shprehur optimist në rezultatin e tij. Rama tha se ajo që në Tiranë ishte tabu të kërkohej, në Strasburg u ra dakord për të hapur dhe hetuar kutitë me materialet zgjedhore. Rama gjithashtu e cilësoi arritje vendosjen e çështjes së transparencës zgjedhore në Shqipëri në axhendën e ndërkombëtarëve. “Në këndvështrimin tonë është bërë një progres shumë i rëndësishëm në dy aspekte. Aspekti i parë është fakti se tanimë çështja e transparencës në Shqipëri dhe për Shqipërinë është shtruar në një tryezë të nivelit më të lartë të mundshëm, me përfshirjen e të gjithë faktorëve dhe aktorëve kyçë të botës demokratike, Bashkimi Europian, Parlamenti Europian, qeveria e SHBA-ve. Të përfshirë në këtë proces, jo thjesht me dëshirën për të shprehur një shqetësim serioz lidhur me mbarëvajtjen e punëve në Shqipëri dhe nevojës për zgjidhjen e krizës, por edhe me angazhimin konkret për të kontribuuar që kriza të zgjidhet dhe për të hapur rrugën e transparencës”, - është shprehur Rama. Duke mos pranuar të japë detaje, Rama tha se është arritur hetimi i materialeve zgjedhore. “Është bërë një hap i konsiderueshëm përpara nëpërmjet grevës së urisë, si një kulmim i një rezistence që e ka çështjen në një tryezë ku mund të zgjidhet. Detyrimet e dhëna kanë një sens ultimativ për palët, që duhen zgjidhur. Ne kemi arritur jo pak. Kujtojmë se çështja e kutive ishte një tabu, por kutitë e dokumentacionit zgjedhor do të hapen dhe do të bëjmë qasjen e duhur për kutitë e votimit”, - është shprehur Rama, ndërsa e cilësoi këtë një arritje që opozita nuk e priste pak ditë më parë. “Kush mendon dhe thotë se ndërprerja e grevës ishte rezultat i presionit, apo akoma dhe më keq, se nga ndërprerja e grevës ne nuk fituam atë që duhej, është krejtësisht i gabuar. Greva u ndërpre në kushtet kur sensibilizimi lidhur me çështjen tonë arriti kulmin dhe u mishërua në vullnetin e mirë të të gjithë këtyre faktorëve dhe aktorëve që përmenda, për të angazhuar një proces negocimi në tryezën më të lartë që bota demokratike mund të përfitojë për të ndihmuar zgjidhjen e një krize për një vend siç është vendi ynë. Mendoj që kjo është një arritje që deri para pak ditësh as dhe ne vetë nuk e parashikonim në këtë përmasë e në këtë intensitet. Dy javë që janë lënë përpara janë një afat ultimativ për një zgjidhje. Unë i kam rishprehur domosdoshmërinë që të mos cenohet nga kjo krizë, që është një krizë e thellë institucionale dhe politike, por që koston e së cilës në raport me liberalizimin e vizave nuk duhet në asnjë mënyrë ta paguajnë shqiptarët”, - është shprehur Rama.

Plani 5-pikësh i Strasburgut

Burimet kanë bërë të ditur se ndërkombëtarët kishin hartuar një plan prej 5 pikësh për zgjidhjen e krizës politike në Shqipëri. Sipas burimeve, shtyllë kryesore e këtij plani është formula e kompromisit e propozuar nga ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Robert Bosh. Pra ndërkombëtarët kërkojnë së pari që palët të bien dakord të hetojnë zgjedhjet nëpërmjet një komisioni hetimor parlamentar ku shumicën ta ketë opozita, bashkë me kryetarin e komisionit. Po kështu ata kërkojnë të shqyrtohet mundësia që nëpërmjet këtij komisioni Kuvendi t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për çështjen që i përket hapjes së kutive dhe rinumërimit të votave. Nëpërmjet Gjykatës Kushtetuese propozohet që të merret opinioni i Komisionit të Venecias përsa i përket kërkesës kryesore të PS-së, që është hapja e kutive me fletët e votimit. Më pas qëllimi është që palët të pranojnë hapjen e kutive me materialet zgjedhore dhe së fundi që të dyja partitë politike të nisin sa më parë punën për të realizuar reformën e re zgjedhore sa më parë të jetë e mundur në mënyrë që Kodi i ri Zgjedhor të jetë gati para zgjedhjeve lokale. Po kështu, ndërkombëtarët do të kërkojnë ndarje të balancuar të drejtimit të komisioneve parlamentare, bashkëpunim për një reformë konsensuale në sistemin e drejtësisë, si dhe zgjedhje konsensuale të anëtarëve të dy gjykatave më të rëndësishme në vend, asaj Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë.

22 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›