E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria dhe Kosova, bashkë në mbrojtje të interesit kombëtar

Certifikimi i oficerëve të shtabit

Me rastin e certifikimit të kursit themelor për oficerë të shtabit, kam nderin dhe kënaqësinë që në emër të qeverisë dhe Ambasadës së Kosovës t’ju përshëndes të gjithë juve, si dhe Ministrinë e Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë dhe Ministrinë e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), respektivisht z. Arben Imami dhe z. Fehmi Mujota. Njëkohësisht përshëndes edhe stafin e Akademisë së Mbrojtjes, ku janë trajnuar, kualifikuar dhe graduar oficerët e rinj të shtabit, përfshirë edhe 5 oficerë të FSK-së.

Ky trajnim, kualifikim i specializuar ushtarak, dhe avancim i aftësive të ushtarakëve të Kosovës dhe Shqipërisë, paraqet një dimension dhe cilësi tërësisht të re, deri fare vonë pothuaj gati të paimagjinueshme në historinë e mundimshme dhe plot sakrifica të popullit shqiptar në rrugëtimin e tij drejt lirisë, pavarësisë dhe prosperitetit. Mbrojtja e interesit kombëtar, përfshirë edhe luftërat mbrojtëse që kanë imponuar rrethanat e ndryshme historike të kohës, me ose pa trajnime formale, gjithmonë ka qenë e përbashkët në forma e modalitete të ndryshme.

Tani, mes dy ministrive të mbrojtjes, përkatësisht Ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë dhe FSK-së së Kosovës, me përkrahjen dhe sanksionimin e plotë ndërkombëtar, veçanërisht kur Shqipëria është tanimë anëtare e NATO-s, aleancës më të fuqishme politiko-ushtarake të botës, për më se një vit ky bashkëpunim ka vlerë të jashtëzakonshme. Kësaj do t’i shtoja edhe aspiratën, si dhe hapat e sigurt që edhe Kosova po bën në drejtim të NATO-s, që me formacionet e veta, ato të KFOR-it, tanimë është operative në mbrojtjen dhe sigurinë e saj dhe të rajonit.

Ky certifikim dhe kualifikim i përbashkët i oficerëve të rinj të Shtabit të Forcave Mbrojtëse të Kosovës dhe Shqipërisë, vjen pak kohë pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Bashkëpunimit mes dy ministrive respektive muajin e kaluar në Prishtinë. Duhet thënë edhe se në këtë kuadër priten bashkëpunime akoma më të gjera, më të thella, më intensive dhe akoma më të specializuara dhe ambicioze.

Të nderuar zonja dhe zotërinj!

Më lejoni edhe një herë që në emër të Ambasadës së Kosovës dhe emrin tim personal, të shpreh kënaqësinë dhe t’ju përgëzoj për arritjet dhe sukseset tuaja të mëdha. Njëkohësisht dëshiroj t’ju uroj të gjithëve, oficerëve të rinj të shtabit, udhëheqjes dhe stafit të nderuar të Akademisë së Mbrojtjes pranë Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes së FA të Republikës së Shqipërisë, dy ministrive respektive, si dhe atyre që kontribuuan në bërjen realitet të kësaj ëndrre shekullore të popullit shqiptar, suksese të mëtejshme.

Kjo përgatitje, trajnim dhe kualifikim, për detyrën e shenjtë të mbrojtjes së lirisë dhe vendit, për të cilat janë bërë sakrifica të mëdha dhe sublime nga gjenerata të tëra të popullit tonë, deri edhe në dhënien e jetës, ku së fundmi mund të përmendim të rënët nga radhët e ish-UçK -së, trashëgimtarë të denjë dhe krenarë të të cilëve jeni ju, ushtarakët e FSK-së, do të fuqizojë më tej shtetin e ri të Kosovës dhe atë të Shqipërisë, dhe do të hapë perspektiva të reja zhvillimi dhe prosperiteti për popullin e shumëvuajtur shqiptar, përfshirë edhe integrimet euro-atlantike. Prandaj, falënderimet dhe mirënjohja jonë e përhershme është sa e madhe dhe e pashtershme, po aq edhe dinjitoze dhe krenare.

Dëshiroj të falënderoj edhe më konkretisht drejtuesit e Akademisë së Mbrojtjes për angazhimin, punën dhe ndihmën e jashtëzakonshme që kanë dhënë në përgatitjen e oficerëve tanë të FSK-së në kuadër të këtij kursi për oficerë shtabi e më gjerë. Këto aftësi profesionale do të barten në Republikën e Kosovës dhe do të kultivohen si pasuri e përbashkët e popullit tonë në sigurimin e stabilitetit, prosperitetit dhe aspiratave të tij të drejta, të ligjshme dhe të dobishme për sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin e rajonit. Njëkohësisht falënderoj e përgëzoj edhe një herë oficerët e trajnuar, të kualifikuar dhe porsa të avancuar, në veçanti 5 oficerët e FSK-së, që na përmbushin me ndjenjë shtesë krenarie, kënaqësie dhe sigurie, të cilën do ta bartin me zell dhe devotshmëri, së bashku me aftësitë e tyre të reja të jashtëzakonshme, edhe në Kosovën tonë të dashur. Urime, përgëzime, shëndet e suksese të reja. Ju lumtë! Të gjithëve së bashku!

Autori: Ambasador i Republikës së Kosovës në Shqipëri

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›